Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: PSE VETEM SHKODRA?!

 

 AT DONAT KURTI O.F.M., (1903 – 1983)

 Pjesa e VI/2.

ISHTE DREJTOR I SHKOLLES FRETENVE

SHKODER

PERBALLë

Seksionit Mbrendshëm ose Degës së Punëve të Mbrendshme SHKODER,

Aty ku ishte edhe

 SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!

 

  • Qysh në fillim të shek. XIX e deri sa nuk kje çilë shkolla e Motrave Stigmatinëve, vemë re një të nxitun e një zellë për me ngritë shkolla femnore.

Varzat mblidheshin nëpër shtëpi private e aty u mësohej me këndue e me shkrue si edhe punëdore. Këta vlejnë mjaft  sa me i diftue  rracës shqiptare, se këto shkolla primitive ishin nji hap heroik kah kultura. Janë ngjarje 180-190 vjeçare e endè, mbahën mend emnat e atyne mësueseve të herëshme, ndër të cillat njihën:

 

MĒSUESET E PARA SHQIPTARE (200 vjetë ma parë):

  • Kush Micja, Tone Radoja. Tereze Berdicja. Tina e Nikës.
  • Këto shkolla thuhët, se poqën mendimin me thëmelue një shkollë publike femnore.
  • Në vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash; po edhe nana shqiptare.
  • Që në vitët ma të para çfaqëshin prej bijave shkodrane drame e argëtime, rrëthue prej dritës së ndritëshme të nderës e të njerëzisë. Simbas kohët e kushteve edhe shkollat femnore u përmirësuen.
  • Në vj. 1885 ase aty pranë, në Prizren, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.
  • N’ at kohë dihët e thëmelueme edhe ajo e Shkupit.
  • Në vj. 1890-1903 Motrat Stigmatine shkojnë në Durrës, e aty mbajnë për 13 vjet një shkollë fillore për vajza e një shkollë për punëdore.
  • Në 1896 (?) në Kallmet Motrat e Mëshirës, kishin shkollë fillore për vajza e djelmë.
  • Në vj. 1907, Shiroka ka shkollën e vet edhe për varza.
  • Në 1925 çilin shkollë në Dajç, për djelmë e për varza; kështu edhe në 1927, në Nënshat.
  • Në 1924 në vend të klasave plotore e qytetëse u hap prej Motrave Stigmatine normalja.
  • Në vj. 1930 çilët një shkollë për vajza në Tiranë.
  • Prej këtyne vërejtjeve të shpejta mund të shihët se gjatë pushtimit otoman d.m.th deri në 1911, katolikët kanë hapë ndër kohë të ndryshme 47 shkolla shqipe, ndër ta janë edhe 10 shkolla për varza.
  • Flija n’ideal të katolikut mërrinë deri në heroizëm. Për të mirë të vendit, simbas fuqive e mjetëve, s’ u kursye asgja. Durimi e dashtnija, pasqyrohën fort bukur ndër fëmijë të njomë, të mledhun ndër azile a strehë foshnjore.
  • Në vj. 1898, me 3 Tetor, Motrat Servite hapin dyertë e kuvendit të vet në Shkodër për një azil; e kaq mirë e rregullojnë dhe e mbajnë, sa me u çuditë të huejtë për té.

Edhe me 1920 Motrat Stigmatine t’ Shkodres nisin me i afrue fëmijët e lagjëve të largëta të qytetit në një azil, që e çilën në Rus.

  • Në vj. 1929, Motrat Servite shkojnë në Tiranë e hapin një azil të rinj.

 

Konviktet

 

  • Malësorët e largtë s’ mujshin me pasë shkolla, por edhe ata kishin të drejtë me kërkue zhvillim. Me ndihmë të Mbretnisë Austro-Hungareze kje mendue me u çilë një konvikt i madh për djelmë të malëve. Kjo u realizue në vitin 1907 dhe, u kje lanë Vëllazënve (Schulbruder), që i çonin fëmijët në Shkollën françeskane.

Shumë ndër oficerat, mësuesit e nëpunësit me fis prej malësh, do t’i kujtojnë me andje ata vjetë, që kaluen n’ atë konvikt të rregulluem në çdo pikëpamje.

  • Në vjetin 1921 Motrat Stigmatine hapën në Shkodër një konvikt për vajza me afër 72 vende. Kje levdue e çmue prej të gjitha anëve të Shqipnisë, deri prindët me besime të ndryshme çuen bijat e veta n’ at vend plot shpresë, madje, edhe me bursa të veta.

 

SHTYPSHKRONJAT

 

  • Mjafton me thanë, se qyshë ndër vjetët ma të para kjenë sjellë shtypshkronjat në Shqypni. Përmendët ajo e Obotit në vj.1493. Një mjegull aziatike na ndanë prej atyne kohve e gjatë robnisë kje shue gjithshka. Me të mëkambun të shkollave u ndie edhe nëvoja e shtypit e, katolikët, kjenë që ia sollën të parat shtypshkronja vendit tonë.
  • Në vj. 1871 Jezuitët prunë në Shkodër ma të parën shtypshkronjë në këto ana.
  • Pesë vjet mbrapa botohët me te libri shqip i Don Engjëll Radojës “Dotrina e Kerscten”;

në vj. 1881 “Gramatika për gjuhë shqype” e P. J. Jungg S. J., e në vj. 1892, “Vakinat e ligs herscme e t’ ligs ree”, të Don Pashko Babit. Ç’prej asaj kohë e deri me sot kjo shtypshkronjë ka botue ma shumë se 320 vepra të  ndryshme, shqip e në gjuhë të hueja.

  • Në vj. 1909 Don Ndoc Nikaj, pruni në Shkodër me shpenzime të veta një shtypshkronjë të re “Nikaj”, që botoi deri në vj. 1922 afër 52 vepra në gjuhë shqipe.

Po me këte të Shkodrës me makina ma moderne çili një tjetër në Tiranë (që asht dhe sot në 2012 F.R).

  • Në vj. 1913 Dr. Terenc Tocci, pat sjellë në Shkodër shtypshkronjën ‘Taraboshi”.
  • Në vj. 1916 Françeskanët sollën në Shkodër një shtypshkronjë, me të cillën u botuen afer 112 vepra të ndryshme të gjitha në gjuhë shqipe, me ndonjë përjashtim.

 

SHKRlMTARËT E LIBRAT

 

  • Për me e paraqitë në një mënyrë ma të gjallë shkakun, që i dha zhvillimit të gjuhës e të kulturës, të shikohën librat e shkrimët e botueme e dorëshkrimet e ruejtuna nëper biblioteka.Në ketë katalog të madh, që edhe ne na vjen mërzi me e lexue, gjejmë libra: Besimi, Morali, Gramatologjije, Letërature, Historie, Socjologjie, Didaktike, Filozofije, Shkencash positive, etj.

Shkrimtarët katolikë shqiptarë, përveç se ndahën në shenjë për zotësi, janë edhe të  lodhëshëm, pse, për me ia mërrijtë idealit që kanë pasë synim, të kulturës e t’Atdheut, përdorin edhe shtypin e jashtëm e gjuhët e hueja; kështu, që, asht punë e vështirë me e paraqitë në mënyrë të saktë e të plotësuem vëprimin e tyne. Megjithkëte kemi mërrijtë, për kurjozitet, me i numërue veprat ma të njoftuna e me caktue simbas shekujsh numurin e tyne aproksimativ.

  • Prej vj. 1555 deri në vj. 1700 njofim 12 vepra, e 9 autorë, Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Barleti, Tivarasi etj.
  • Prej vj. 1700 deri në vj. 1800, kemi 11 vepra, 9 autorë e 6 dorëshkrime, ndër këta janë P. Francesk M. de Lecce O. F. M., Kuvendi i Arbnit, D. Gjon Kazazi etj.
  • Prej vj. 1800 deri në vj. 1900, kemi numrue 81 vepra, 34 autorë e 4 dorëshkrime.

Ndahën në shenjë në këte kohë: P. Leonardo de Martino OFM, që, i pari nisë e lëmon vjerrshat shqipe mbas metrikës moderne e, mundohët me shpirtë me interesue botën e qytetnueme për çeshtje shqiptare.

  • Zef Jubani (i Ndok Hilës ), i cilli n’ anë të Veriut kje i pari që mblodhi kangë shqipe e i përkëthei italisht.
  • Pashko Vasa, i cilli mësimet fillore i bani në shkollën françeskane në Shkodër, filloi me shkrue që ndër vjetët e para e botoi 6 vepra në gjuhë të ndryshme për pamvarësi shqiptare. Kaq me urti e dije punoi, sa, mërrijti me ia mbushë mendën Abdull Hamidit t’i epte lejën me ngritë në vj. 1879, një shoqni letrare shqiptarësh mbrendë në Stambollë.

Në këte rasë Pashko Vasa, në bashkëpunim me të tjerë, trajtoi një alfabet të përgjithshëm për shqiptarë e që, atëherë, ai ka parasyshë unitetin e kombit, dashtninë ndaj të cillit e shprehi plot ndijesi në kangën, që këndojmë edhe sot:

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush të ka qitun me krye në hi?

Ti ke pasë kenë nji zojë e randë

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

 

  • Mandej, janë për t’u përmendë: D. Engjëll Radoja, D. Pjetër Zarishi, P. Françesk Rossi da Montalto O. F. M., P. Jak Jungg S. J., D. Ndue Bytyci, P. Tomë Marcozzi O. F. M., D. Pashko Junki, D. Pashko Babi e tjerë shkrimtarë të rijë, të cillëve u doli zani e u bane të njoftun në shekullin e XX.
  • Duhët pasë parasyshë, se edhe andej detit, n’Itali, katolikët italo-shqiptarë tregojnë një dashni të posaçme për Atdhe të lanun, zhvillojnë një literaturë fort të haptë e i japin nxitje të madhe kulturës e idesë kombëtare. Dallohën në shenjë ndër ata të herëshmit: Lukë Matranga, Nikoll Filja, Jul Variboba, Nil Catalani etj; ndër ata ma të vonët: Jeronim de Rada, i cilli, përveç shkrimësh të panumur e propagandët, shkroi edhe 13 vepra me randësi për gjuhë e çashtje kombëtare; P. Anton Santori O.F.M. që shkroi tri vepra shqip e shumë vjerrsha satirike; Zef Serembe; Zef Schiro, që shkroi 9 vepra me randësi e shumë shkrime rasët; Zef Camarda etj.
  • Prej vj. 1900 deri në vj. 1912, pra, mbrenda 12 vjetëve, gjejmë 59 vepra e 16 autorë.

Dallohën, sidomos: At Gjergj Fishta O. F. M., që në ketë kohë shkruen:”Lahuta e MaIcis” 1905; “Anxat e Parnasit” 1907; “Pika voeset” 1909 etj. deri në ditë të sotme gjithsejtë 17 vepra, të gjitha shqip e plot ndjesi kombëtare.

  • Luigi Gurakuqi, i cilli, gjithë dashni për Atdhe e kaloi rininë e vet në mërgim, s’le të përkohëshme pa e mbushë me artikuj të vet, s’ len shoqëni shqiptarësh pa marrë pjesë edhe ai vetë. Shkruen 6 vepra të ndryshme.
  • D. Ndoc Nikaj, i cilli filloi që në vj. 1888 me i dhanë kombit libra shqip.

Shkroi shumë ndër të përkohëshme e fletore; deri sot ka shkrue 12 vepra.

  • P. Anton M. Xanoni S. J. i cilli, si punëtor i palodhun i gjuhës shqipe, shkroi mase 14 vepra e la shumë dorëshkrime.
  • At Shtjefën K. Gjeçov O. F. M., i cilli, që në rini të vet u vu me mbledhë prej gojës së popullit shka asht ma e bukur në gjuhë e ndër doke tona; shkroi shumë në të përkohëshmën “Albania” e, na la 7 vepra të ndryshme, ndër të cillat edhe vepren e njohun “Kanuni i Lekë Dukagjinit“.
  • Përveç këtyne, dallohën në shenjë si shkrimtarë të mirë në të përkohëshme e fletore:
  1. Pashk Bardhi, Hilë Mosi, Filip Shiroka, Mati Logoreci, Gaspër Merturi, Kolë Thaçi etj.
  • Prej vj. 1912 deri në vj. 1933 shkrimtarët shtohën e punojnë përherë e ma me zell.

Kemi mërrijtë me numërue 304 vepra të ndryshme e 69 autorë.

Kanë një randësi të posaçme:

Dr. Terenc Tocci për artikuj, që shkruen e për 8 vepra që boton;

At Vinçenc Prennushi O. F. M., për artikuj të panumur e për 20 vepra të ndryshme.

  1. Fulvio Cordignano S. J., që shkruen mbi shumë çashtje të ndryshme e dy libra.

At Ndoc Saraçi S. J., i cilli, boton 13 libra shkolle.

Karl Koliqi, që shkruen në shumë të përkohëshme e fletore, përkëthen mirë 8 vepra.

Ernest Koliqi, i cilli tue bashkëpunue ndër shumë të përkohëshme, mërrinë me fitue një stil të rrjedhëshëm e elegant, shkruen vetë e perkëthei gjithësejtë tri vepra.

  • Ma shumë dallohën gjatë kësaj kohë për botime të ndryshme e artikuj me randësi:
  1. Ambroz Marlaskaj O.F.M., Gaspër Mikeli, At Anton Harapi O.F.M., Gaspër Beltoja, D. Lazër Shantoja, At Marin Sirdani O.F.M., Zef M. Harapi, At Justin Rrota O.F.M., Kolë Kamsi, D. Gaspër Gurakuqi, D. Lekë Sirdani etj.
  • Prej këtej mund të shihët se, para vjetës 1800 gjuha e jonë s’ kishte me pasë asnjë shqipe, po t’u hiqëshin shkrimtarët katolikë deri n’ atë kohë d.m.th. D.Gjon Buzuku 1555, D. Fran Bardhi 1635, D. Pjetër Budi 1664, Emz. Pjetër Bogdani 1685, Autorët Fran Geskaj, qi kemi përmendë, tue folë mbi shkolla, Kuvendi i Arbënit 1706, Kazazi 1743, dhe po t’u hiqëshin edhe autorët jashta Shqipnije d.m.th. Lukë Matranga 1592, Nil Catalani 1694, Nikoll Filja 1736, D. Jul Variboba 1762, Teodor Cavallioti 1770 etj., të cillët i ngritën një monument të pamort gjuhës sonë.
  • Leteratura e jonë mandej, s’ kishte me e pasë as të katërtën pjesë, për mos me thanë krejt pa gja, të materialit e të përparimit që ka sot, po t’ u hiqëshin 460 vepra të numërueme deri tashti, pa marrë parasyshë të përkohëshmet, e po t’u përjashtonin 136 shkrimtarë katolikë, prej të cillëve kjenë që morën pjesë në Kongres të Manastirit e në Komisjonin letrar të vj. 1916.

 

Të Përkohëshmët e Fletorët:

  • Një mjet tjetër për me botue e me e përhapë kulturën shqiptare e sidomos, për me edukue popullin dhe me e ba t’ aftë për indipëndencë, kjenë të përkohëshmët e fletorët e asaj kohe.
  • Në vj. 1891 nisi me u botue në shtypshkronjën e “Zojës së Papërlyeme” prej Jezuitëve e përkohëshmja fetare “Elçia e Zemërs së Krishtit”, që njihët ma e vjetra.
  • Në vj. 1908 i kje shtue edhe pjesa letrare, në të cillën punoi ma shumë P. Anton M. Xanoni S. J.
  • Në vj. 1912 xu fillë ndër Françeskanë një e përkohëshme tjetër fetare “Zani i Shna Ndout”, që përmban edhe shumë shkrime të bukra letrare.
  • Në vj. 1913, nën drejtim të At Gjergj Fishtës O.  F. M., fillon me u botue edhe e përkohëshmja letrare-­kulturore “Hylli i Dritës“, që mbas sa vuejtjesh ende vijon i pelqyem e i çmuem prej mbarë popullit shqiptar si edhe prej të huejsh. Nëpër te ju lëshue kushtrimi gjithë shqiptarëve për lavrim të gjuhës e për kërkim të drejtave të veta.
  • Në vj 1917, nën drejtim të D. Ndre Zadejës doli në Shkodër, për tri vjet e përkohëshmja fetare “Zoja e Shkodrës”.
  • Ne vj. 1921 nën drejtim të z. Gaspër Mikelit doli në Shkodër e përkohëshmja arsimore “Shkolla e re”, që ma vonë nën tjerë emna, kje ba gati si organ i Ministrisë s’ Arsimit.
  • Në vjeetin 1929, si organ i Shoqnisë L. E. K. A., të drejtueme prej Jezuitësh doli e përkohëshmja letrare- kulturore “L. E. K. A.”, fort e çmueme prej popullit.
  • Katolikët s’ kjenë kursye me e çue zanin edhe jashta Shqipnije. Janë për t’u përmendë kryesisht Italo-Shqiptarët, si edhe shkrimtarët tonë ma të mirë, që bashpunuen në “Albania” të Bruxellës.
  • Në vj. 1887, drejtue prej Jeronimde Radës, doli e përkohëshmja “Fiamuri i Arbërit”, 4 vjetë.
  • Në vj. 1887, drejtue prej Franc. Stassi Petta e Zef Schiro, kje botue e përkohëshmja mujore “Arbëri i ri”. Në vj. 1896, nën drejtim t’ Antonio Argondizzo doli fletoria “YIli i Arbëreshëvet”.
  • Në vj. 1907 në Trieste, u botue e përkohëshmja “Dashamiri”, nën drejtim të Mati Logorecit.
  • Përveç të përkohëshmëve janë edhe fletorët, që në mënyrë ma të shpejtë e ma popullore influencojnë me fuqi magnetike n’ opinjonin publik.

Në vj. 1910, doli në Shkodër fletorja “Bashkimi”, kje thirrë edhe “Koha “, deri në vj. 1913; mandej ndërroi emën e kje quejtë “Besa Shqiptare”, deri në vj. 1924, nën drejtim të Don Ndoc Nikaj. Pat kundërshtime të mëdha kjo fletore edhe prej shqiptarëve, por trimnisht luftoi për indipëndencën tonë.

Në vj. 1913 Dr. Terenc Tocci, botoi fletorën “Taraboshi” në dy periudha të ndryshme. Kah mbarimi i vj. 1916, nën drejtim të At Gjergj Fishtës O. F. M. doli fletoria e njoftun

“Posta e Shqypnis”, përveç pjesës politike, ka shumë  pjesë të bukura leterature shqipe.

  • Në vj. 1923 del fletorja “Ora e Maleve” nën drejtim të grupit me atë emën.

 

Shoqënitë:

  • Idealistët e kombit, katolikët e njëmendtë, kuptonin mirëfillit, se asnjë hap i organizuem s’mund të bahëj, se asnjë program s’ mund të zbatohej pa dashni e pa lidhni me njeni-tjetrin, prandej nisën me u bashkue si civila, si kler, përrreth ndonjë njeriut ma në shenj e ma me autoritet, kështu, dora-dorës, u formuen edhe shoqënitë në vendin tonë. Tue kenë se kultura merr zhvillim e s’ mund të përshihët veç me një program, shoqënitë kjenë formue me programe të ndryshme për një qellim  të vetëm, që kje kultura e përparimi i vendit.
  • Në vj. 1899 Emzot Preng Doçi, Abat i Mirditës, thëmeloi Shoqëninë “Bashkimi”, me program letrar. Në atë përfshihën njerëzit ma të zotët në lamën letrare e asajë do ti dihët alfabeti i sotëm. Botoi shumë vepra shqip, si “Fjalori i ri”. Entuzjazmoi e nxiti tjerët shqiptarë, me shprehë ndër shkrime të ndryshme dashninë për Atdhe e indipëndencë. Që prej vj. 1904, pat gati të thuesh si organ të vetin një kalendar të përvjetëshëm fort të bukur, me emën “Shqyptari”, për tri vjet.

Kje çmue prej të gjithë atdhetarëve të vërtetë e kje përfaqësue në Kongres të Manastirit.

  • Në vj. 1901 shumica e Ipeshkvijve, në bashkëpunim me Don Ndre Mjedjën, ngritën Shoqëninë “Agimi”, edhe kjo me program letrar. Ndoq nji alfabet në vedi e shtypi disa libra. U dha shkas shumë diskutimëve të çeshtjëve gjuhësore. Kje përfaqësue edhe kjo në Kongres të Manastirit.
  • Në vj. 1907 kje ngritë ndër Jezuit një shoqëni “Vepra Pijore”, me gjetë mjetët për botim të librave shqip. I vjefti shumë leteraturës shqipe me ma shumë se 40 vepra të ndryshme .
  • Në vj. 1911, me 22 Kallnor, kje formue një shoqëni letrare me emën “Klubi Gjuha Shqipe”.
  • Në vj. 1924, për me shue sidomos analfabetizmin në vendin tonë kje formue shoqënija “Lidhja e Mësuesave Katolikë”. Në 1929 prej ish-nxanësve të Jezuitëve kje ngritë Shoqënia L. E. K. A., me pro­gram letrar-kulturor, që vijon në botim t’ organit të përmuejshëm “Leka”.

Të gjitha këto shoqëni kanë pasë për program ma shumë leteraturën e arsimin.

  • Në vj. 1914 kur lëvizjet politike vinin tue u egërsue përherë e ma fortë e shumëkush dishronte me ia ngjitë thonjtë Shqipnisë, kje formue prej disa djelmoçave katolikë entuzjastë për Atdhe, shoqnija “Nji tubë djelmoça shkodranë”, që nxiti popullin me kërkue të drejtat e veta.
  • Në vj. 1918 thëmelohët në Shkodër shoqnija “Rozafat”, me program muzikor-artistik; mërrijti me trajtue një orkestër e, në 1923, organizoi ma të parën ekspozitë pikturash kombëtare.
  • Në vj. 1919 prej disa djelmoçave idealistë kje thëmelue shoqënija “Bogdani”, me një

program muzikor-­dramatik. Formoi një ndër bandat muzikore ma të plotësuemët e Shkodrës e çfaqi me zotësi të rrallë drama të ndryshme. Në salon të shoqënisë kjenë mbajtë edhe disa konferenca çeshtjësh shoqënore si edhe akademi. Mbasi ra rasa me folë përmbi shoqënitë, që u morën me muzikë, nuk asht jashta vendit me cekë, se ky art mori shkas në Shqipni të Veriut dhe u zhvillue vetëm prej elementit katolik.

  • P. Tomë Marcozzi de Rapino O.F.M., kje i pari që formoi në Shkodër një bandë Muzikore private. Në vj. 1882 n’oborr të Kishës Kathedrale ushtuan për të parën herë burijat, që kjenë lajmëtaret e kohve ma të mira, që do të vinin në Shqipni. Kush mundët me ia paraqitë vedit gëzimin, që ndjeu n’at rasë populli katolik, që ndrydhë nën robni, s’ kishte pse këndonte?Ajo bandë për çdo të dielë e për të gjitha të kremtët, filloi me kënaqë gjithkendin e, kje një fuqi e re, qi e shtyni popullin kah lavrimi i artit të muzikës. Në vj. 1917 P. Martin Gjoka O.F.M., mërrijti me formue në Shkodër ma të plotësuemën orkestër e ma të mirin kor.
  • Në vj. 1922, me nxanësa të vogjël shkollët ngriti një bandë të kompletueme me 42 vegla e me uniformë, një punë kjo që mbrekulloi mbarë popullin e Shkodrës, që e shikonte me simpati. Kjo bandë vijoi deri në vj. 1924. Rishtas kje ngritë në vj. 1930, e në konkurs bandistik-teatral, që kje ba në Tiranë prej Ministrisë s’ Arësimit me 8 ­X-1930, fitoi çmimin e parë.

 

VEPRA TJERA  KULTURORE.

  • Të huejtë, sa herë kanë pasë rasë me ardhë në Shqipni, jo vetëm në kohë të pushtimit otoman, por edhe ndër ditët tona, kanë vu re me andje ndër katolikë ndërtesa e Kisha të ndërtueme mbas arkitekture. Të thuesh vetëm këto kanë tregue të prirunit kah bukuria e kah estetika dhe, i kanë lanë nderë vendit. Mjeshtritë e ndryshme, prej të cillave, gjithkush e di se rrjedhë përparimi ekonomik i vendit, kjenë përftue e lavrue prej elementit katolik. Ndër ta ke gjetë farmacistë, rrobaqepës të mirë, këpuctarë, marangoza, farkëtarë, argjentarë, llastërtarë, tregëtarë e sa të tjera.
  • Ndër ne u mësue me çmue arkeologjinë e me ia ruejtë Atdheut vjetërsitë e mija vjetëve.

Jezuitët për zhvillimin e mësimëve që ndër vjetët e para të shkollave të veta patën formue një kabinet fizike e sidomos një muze, që për sasi të sendëve të mledhuna mund të njehët ende ma i bukri e ma i rregulluemi në Shqipni. ­Françeskanët në tjetrën anë, përveç muzeut të vogël, në këto vjetët e fundit mërrijtën me thëmelue njëfarë pinakoteke të bukur me disa piktura të vjetra.

  • Por, ai që e pat ma për zemër arkeologjinë e vendit tonë, kje padyshim At Shtjefën K. Gjeçov O. F. M., i cilli, që ndër vjetët e para të zyrës se vet, kje mundue me kërkue vetë e me nxitë edhe tjerët, për me i ruejtë e me i mbledhë vjetërsitë e vendit. Shkroi sa herësh mbi këte subjekt e shtyni deri edhe funksjonarët e naltë të Shtetit, me formue komisjone të ndryshme për ketë qellim; punë kjo që tregon një ndjesi fort delikate për përparim të vendit.

 

VEPRAT FILANTROPIKE

 

  • Ajo ndjesi e ambël, qi zhdukë egoizmin, tue na përkulë para mjerimëve të vëllazënve tonë pandryshim besimi, nuk asht thjeshtë prej natyrët, por prej besimit kristjan, që shprehët me fjalën Charitas.

Ky virtyt na nalton para mbarë njerëzimit porsi idealista të vërtetë. Bota liberale e ndien influksin e kësaj vepre vigane, por s’do me e njohtë kavinë, prandej e pagëzon me f]alën filantropi. Katoliçizmi diti me përftue në mënyrë të ndryshme vepra filantropike.

Në vj. 1885 Jezuitët për me u vjeftë edhe atyne qi s’mujshin me ndjekë shkollën, thëmeluen një “Oratorium”, ku, përveç argëtimit kishin edhe mësim fetar.

Në vj. 1889 kje thëmelue ndër Jezuitë shoqënia bamirëse “Rrethi i Sh’Jozefit”, e kishte për program me mbledhë lëmoshë per me u pague qiranë e shtëpisë të vorfënve.

Deri në 1916, u ndau lëmoshë afër 50.000 Krs.

Në vj. 1890 (?) me ndihmë të Mbretnisë Austro­-Hungareze, kje çilë në Shkodër një spital, ku shërbyen me durim e dashni të jashtzakonëshme Motrat Vinçencjane, ase Motrat e Mëshirës. Aty kje mjekue kushdo pa ndryshim besimi. Vazhdoi deri në vj. 1918.

Në vj. 1898 ase ndonjë vjetë përpara, gjejmë në Kallmet një “Ambulatorium”, të mbajtun prej Motrave të Mëshirës, ku, mjekohej katundarija e merrëshin ilaçët pa pare.

Në vj. 1897, në kuvend të françeskanëve kje thëmelue “Buka e Shna Ndout”, një  vepër bamirësije, që mund të thirrët ma e frytëshmja në vendin tonë.

Për çdo të Marte u ndahët  buka pa ndryshim besimi ma shumë se 200 vetëve; u epet lëmoshë mujore sa familjëve të vorfna e u thahën sa lot.

Lëmosha, që shpërndahët  çdo vjetë, asht përnjëmend e bindëshme, pse mërrinë deri në 24-25.000 Krs.

Jashta kësajë shume, prej vj. 1902 e deri në vj. 1912, u kje dhanë ndër shkolla të fretënve ma shumë se 60 të vorfënve bukë, supë e tesha. Në vj. 1905 (?) Motrat Salezjane i sollën sytë kah ma të mjeruemit e popullit, me një durim e një dashni heroike, i mblodhën në një shtëpi, që kje thirrë “Streha e pleqëve”.

E mbajtën këtë deri në vj. 1916, kur për rrëthana politike ju desht me lanë Shkodrën.

E vijuen at vepër për tri vjet rresht Motrat Stigmatine.

Në vj. 1907 Motrat Salezjane çilin me ndihmë t’ ItaIisë një orfanotrof për varza jetime, tue i edukue kah zemra, kah mendja e kah jeta. Ky orfanotrof vijoi deri me 24 Prill të kësaj vjetë. Këte vjetë (1907) edhe Schulbruder-t me ndihmë t’ Austro- Hungarisë, hapën një orfanotrof për djelmë, të cillin e mbajtën fort mirë deri në vj. 1916.

Në vj. 1914 Motrat Salezjane, i gjejmë se shërbejnë në spitalin “Iolanda”, i hapun prej Italisë. Mbas një kohe e vijojnë këte në vj. 1928.

Në vj. 1920 kje hapë prej Etënve Jezuit “Orfanotrofi i Zemrës së Krishtit” për djelmë, vepër që vazhdoi deri në Prill të kësaj vjetë me afër 40 jetima.

  • Në vj. 1924 nisi një tjetër vepër bamirësije. N’ at vend ku mbretnon mjerimi e ankimi d.m.th. në burg të Shkodrës, kje një rreze drite, një shkas paqe e dashnije.

Françeskanët e kanë marrë mbi vedi me i sherbye atyne të shkretëve, e përveç kujdesit fetar, ndër të kremte ma të mëdha, nëpër të nxitun të tyne mblidhën lëmoshë, që shpesh kapën deri në 3.000 Krs.

E, të burgosunve pa ndryshim besimi u bahët bukë, djathë, vezë, duhan, rroba etj.

 

MISJONI

  • Gjithëshka u përmend deri këtu asht fruti i asajë detyrës shpirtnore, që i ven feja secillit katolik me e shpallë të vërtetën, me e ndjekë e me e mbrojtë; por populli shqiptar s’ kishte mujtë me qindrue në ketë detyrë, as s’ ishte mbajtë i ndëruem, i thyeshëm e idealist, mos t’i kishte ndejë gati meshtaria nëpër misjone, tue i mësue e tue i drejtue.
  • Françeskani s’ ju nda popullit shqiptar për 700 vjetë. Kur mbas pushtimit otoman françeskanit i kjenë rrënue kuvendët, e Kishës i kjenë marrë mjetët e jetesës, e erdh tue u ligështue forcët d.m.th. iu pakësue përsoneli, ajo kohë kje ma e tmershmja për vendin.

Në vj. 1634 vinë fretën prej Italije e bashkëpunojnë me ata pak fretën, që kishin mbetë në Shqipni. Këta e kërkojnë shqiptarin ndër male të thëpisuna e ndër fusha. Mësojnë, predikojnë, i mbajnë gjallë ndjesitë bujare të rracës, shpëtojnë të prirunit  kah kultura,  gatuajnë zemrat për liri. Rrahën njëmend, burgosën e mbytën, por nuk ligështohën, nuk thehën. Me dashni e tue ba mirë, mërrijnë me fitue deri simpatinë e anmiqëve, e tue shpetue besimin katolik, shpetojnë idealistin Shqiptar.

  • Kjo çetë misjonarësh vijoi deri ndër ditët tona.
  • Prap meshtaria ndër predke, ndër shkrime e ndër mësime, kërkon me e ba popullin leal, me ndërgjegje e me karakter e jo fanatik.
  • Në vj. 1883 e ma vonë në vj. 1888, edhe Jezuitët fillojnë me zhvillue një program të rij për dobi të popullit. Sajojnë misjonët shetitëse, që shkojnë gjithkah tue ba mirë, tue i afrue zemrat, tue pajtue gjaqët, tue zhdukë poshtërsitë, tue  çilë shtigje kah drita e vërtetë e kah kultura.

Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore nga e cila e ndau vetëm vdekja.

Atje At Donati njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruente ndër fletore dhe pergatiste vepren e tij me vlerë:

“Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”.

Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit.

Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: “Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë.

Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.”

Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë… Ndërsa, Dhimiter Shuteriqi, Shaban Demiraj etj., që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij. At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi se sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue aty tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty i dinte mirë skutat mbasi gati ka kenë ba edhe ky “fratel” dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin. Me që At Donati  ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky.

At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç i kishte përgjegjë:

Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë shka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ja ke pa hajrin boll këtij vendi!” dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën… Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!…

Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjegjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.

At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u këthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe.

Aty nuk shkoi gjatë, mbasi viti 1967- e shkatrroi Everi edhe “këtë qendër me thëmel”, por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët, që i sherbenin karakterit tyne.

Populli i Shkodrës nuk e pau At Donatin asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit “të lirë” në atë kohë.

At Donati nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Pjeter Meshkalla, At Konrrad Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani  etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë në Shkoder.

***

Koha bani të vetën.

At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina në Zallin e Kirit, pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme Motër Emilia…, e spitalit të Tiranës, që nuk e la vetëm deri atëditë, më 10 nandor 1983 plot 40 vjet ma perpara që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë prej asaj kohë kur aty gjeti qetsinë e vertetë Shpirtnore.

 

At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuejtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë e tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun:“VISARËT E KOMBIT”.

  • Në një studim kaq të vogël, tue mos mujtë me i paraqitë faktët ndër shpjegime imtime të veta, jemi të sigurtë se janë lanë jashtë shumë vepra, qi kishin me e ndritë ma shumë aktivitetin e elementit katolik në Shqipni, për kah kultura; por kaq lè të mjaftojë.

Nëpër rreshtim të datave, si në një film ka me u pa tëndenca e përherëshme e katolikëve kah përparimi, vëprimi i tij i ndryshëm ndër kohë e ndër rrëthana fort’ të vështira e negative e, njëherit, dashnija e tij për Atdhe, Perparim dhe për Pamvarësi, pikrisht sot, në këte 120 vjetor që u lé me 3 Shtator 1903, per mos me u harrue kurrma nga Shkodra e Rozafës plakë dhe, as nga Bjeshkët tona me nam’ e në za të perjetshem!

Lavdi Fratit të Paharrueshem At Donat Kurti, Vlla i Françeskanve të zbathun Shqiptar!

 

  • Shenim nga F.R.:
  • Materiali i plotë asht botue në 1935, në revisten “Hylli i Dritës” nga At Donat Kurti.
  • Ndersa, shtesat e jetës së At Donatit janë ba nga F.Radovani.

Melbourne, 6 Korrik 2023.

 

 

 

Please follow and like us: