Albspirit

Media/News/Publishing

Përpjekjet për gjetjen e konsensusit/Drejtësia, nga vizita e Merkel tek Nuland e Fleckenstain

Miratimi i reformës në drejtësi në orët e para të mëngjesit të sotëm me konsensusin më të gjerë politik, veç faktit të zgjatjes së procesit për rreth 20 muaj, ka qenë kryefjalë e pothuajse çdo zyrtari të nivelit më të lartë në vizitat e kryera në Shqipëri.

Megjithë apelet e vazhdueshme, kërkesat dhe presionet, palët politike në Shqipëri nuk ndryshuan shumë nga herët e tjera të arritjes së konsensusit, duke e realizuar atë në sekondën e fundit.

Për gjithë situatën secila nga palët politike drejtonte gishtin tek pala tjetër, ndërsa Ambasadorët e SHBA dhe BE-së në Tiranë, vështirë se do të mund të harrojnë për disa kohë takimet dhe ecejaket e tyre në trekëndëshin Kryeministri-Kryesia e Kuvendit-PD, ku përpiqeshin të bindnin palët që të dakordësoheshin.

Në 8 Korrik të 2015, pra pak më shumë se 1 vit më parë, Kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi nga Shqipëria plotësimin e të gjitha kushteve në procesin e integrimit, ku Drejtësia konsiderohej më e rëndësishmja.

I njëjti mesazh do t’i jepej Tiranës zyrtare dhe forcave politike në vend edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës të zhvilluar në kryeqytetin shqiptar. Më 14 shkurt, Kerry shprehu optimizmin për miratimin e reformës në drejtësi, duke shtuar se vendi duhej të ecte të drejtimin e duhur.

Pas apelit të Merkel dhe Kerry, ishte rradha e Brukselit për ti drejtuar politikës shqiptare mesazhet për miratimin e reformës në drejtësi.

Federica Mogherini kërkoi miratimin pa vonesa të reformës, ndërsa gjatë vizitës zyrtare në Tiranë apeloi për arritjen e konsensusit me palëve. Johannes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin, do ti kërkonte politikës shqiptare një reform pa kushte, e cila do të garantonte një drejtësi të pavarur dhe vendosjen e shtetit ligjor.

Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knuet Fleckenstein erdhën me një mision të posaçëm në Tiranë për të ulur palët në arritjen e marrëveshjes mbi draftin e reformës në drejtësi.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Ambasadorja Victoria Nuland nuk u mjaftua vetëm me apelet politike, por në vizitën e saj në Tiranë, më 10 Korrik, i dha politikës shqiptare edhe një draft hibrid, mbi të cilin u arrit edhe konsensusi dhe dakordësia për draftin final të miratuar në Kuvend mbi reformën në drejtësi.

Please follow and like us: