Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Agastra: Princesha dhe Larva

 


Përrallë
Një  herë e një kohë, në një mbretëri të largët, jetonte një mbret dhe një mbretëreshë, nga martesa e të cilëve kishte ardhur në jetë një vajzë me emrin Kaltrina.
Bukuria e saj kishte kapërcyer atë njerëzoren, ajo dukej si një perri, ose si Zanë.
Vitet kalonin dhe bukuria e saj po bënte lakmitarë shumë princër nga mbretëritë përreth, por ajo ishte e fokusuar te shkollimi dhe pasioni i saj për poezinë, nuk mendonte martesën edhe për disa kohë.
Kaltrina ose vajza blu, ishte quajtur e tillë jo vetëm për faktin se në dejet i rridhte gjaku blu mbretëror, por edhe se syte e saj ishin më blu se qielli.
Teksa i shikoje rrezikoje të përhumbeshe në to, fluturoje brenda tyre në hapsira pa fund, atje ku qielli, prekte detin e më pas zhyteshe ne irisin e kthjellet te detit të syve të saj, si për tu zgjuar nga përhumbja.
Thonin se po t’i shikoje gjatë ata sy, ose dashuroheshe, ose përhumbeshe deri në humbje vetëdijeje.
Kjo ishte kthyer në frikë nga njerëzit, sepse ndryshe nga princeshat e tjera ajo shkonte në këmbë në shkollë përmes njërëzve dhe ata thjesht përkuleshin duke ia hapur rrugën pa guxuar ta shihnin ne sy për të mos pësuar asnjërën nga pasojat qe ajo shkaktonte, madje kishte edhe një rrezik tjetër të madh. Ajo arrinte të verbonte nga ndriçimi i flokëve të saj të gjatë bjondë, të cilët kishin marrë ngrohtësinë dhe ngjyrën e diellit.
Thonë se nëse të kalonte pranë ndërkohë qe ishte duke rënë shi ose borë, nëse ajo shpupuriste flokët e saj të arta, shpërndante rrezet e diellit anekënd.
Vallë ishte njeri apo perri, zanë?
Në lashtësi kemi dëgjuar që ka pasur krijesa gjysmë njeri e gjysmë perëndi, thua të ishte e tillë?
Këtë do ta mësojmë në vijim.
Një ditë Kaltrina, teksa po kthehej nga shkolla e përfshiu një dëshirë për të shkruar, e sa herë ishte në këtë  gjendje frymëzimi,  ulej të pushonte nën hijen e një peme të madhe, që quhej Pema e Manit të Bardhë, i cili për hir të së vërtetës prodhonte një frut shumë të veçantë.
E ndërsa ajo e shikonte me admirim për madhështinë që ajo pemë prezantonte dhe mendohej për vargjet që do të hidhte në letër, shkëputet një kokërr mani e pjekur mirë e bie mbi fustanin e saj.
Ajo buzëqeshi dhe tundi flokët e artë. Menjëherë rrezet e diellit u shpërndanë  anekënd, kështu e gjithë mbretëria e kuptoi që Kaltrina qenka lumturuar, pasi ka shpupuritur flokët e arta të saj dhe vendi është veshur me vezullim.
Më pas e mori në dorë kokrrën e sheqertë të manit, e sapo e afroi tek buzët e saj për ta ngrënë, ndjeu mbi buzët e saj një gudulisje të lehtë, e largoi dhe e kruajti buzën me delikatesë. Ndjeu që në buzë i ishte ngjitur diçka.
Thërriti rojen që e priste në karrocën e saj dhe urdhëroi ti sillnin një pasqyrë. Ai ia solli menjëherë. Papritmas shqoi mbi buzët e saja qershi një gjallesë të vogël e cila ishte mbledhur kruspull nga frika.
E mori me kujdes dhe e vendosi mbi fustan. Ajo filloi të lëvizë dhe me shtatin e saj të vogël u përkul para saj duke iu lutur:
-Princeshë e nderuar Kaltrinë, të lutem mos më dënoni, nëse do të më falni, unë do të vihem në shërbimin tuaj.
Princesha e dëgjoi dhe më pas qeshi me të madhe: -Ha-ha-ha!
Ahhh, se harrova t’iu tregoj edhe një tjetër detaj.
Kur ajo qeshte, retë në qiell shpërndaheshin e bënin një spektakël formash, herë si lule, herë si objekte e herë si kafshë të çuditshme.
Këtë, të gjithë e dinin që ishin efektet e gjendjeve të Kaltrinës, princeshës sonë.
Po nëse Kaltrina trishtohej ç’ndodhte?
Më mirë mos tua them.
-Kush je ti ?-e pyeti Kaltrina gjallesën.
-Unë, unë, jam larva e manit. Më njohin si insekt të dëmshëm. Çfarë nuk bëjnë njerëzit të më luftojnë. Ushqimi ynë i preferuar është gjethja e pemës së manit të bardhë mundësisht. Nuk kam edhe shumë kohë nga cikli i jetës pasi ne transformohemi në flutura e ndaj doja të thoja për herë të fundit që unë jam i aftë të end edhe pëlhura cilësore si fustani që keni veshur, ndaj më merr me vete, në mbretërinë tuaj, princeshë!
-Po unë, nuk kam pemë Mani atje, ku jetoj – i tha Kaltrina, ndaj kam frikë se do të ngordhësh urie.
-Më merr në një kuti dhe më ushqe me gjethe mani, do të shikosh që do të mbijetoj,  madje do të të dhuroj mëndafsh pa fund. Ti do të vishesh nga unë pasi unë pas një cikli thur mëndafshin më të rrallë e më të kërkuar. Si thua? Do të më marrësh?
-Po pastaj, c’ndodh me ty? – I tha Kaltrina. Vdes? Joooo, jo, unë se dua këtë të mirë nëse ti e pëson kështu!
-Pastaj kthehem në flutur e largohem, po ti më merr njëherë, – tha larva me zë të mekur.
-Mirë, tha Kaltrina dhe urdhëroi rojen të kujdesej për të.
Kur u kthye në mbretëri, i ngriti një “laborator” dhe larva priste ciklin e saj.
Kaltrina kujdesej për të, e ushqente dhe bisedonte vazhdimisht me të që mos të ndihej i vetmuar.
Erdhi dita që larva do të endte fijet e mëndafshit. Ishte një punë e vështirë dhe ajo po lodhej shumë. Kaltrinës i erdhi shumë keq teksa e shihte të gjorën larvë të lodhej aq shumë dhe nga dhimbja që ndjeu për të një lot i rrëshqiti nga syri i qielltë dhe ra mbi kurrizin e larvës. Ajo instiktivisht ngriti sytë, sepse iu duk si prekja e vesës së mëngjesit, por jo, ishte loti i syve të rrallë.
Ai e kryqëzoi pa dashur shikimin me sytë e saj të kristaltë, pa e ditur vetinë e saj që ose do të dashurohej, ose do të humbiste koshiencën.
Kaltrina u kujtua por ishte shumë vonë. Efekti tashmë kishte ndodhur.
Larva u dashurua  me Princeshën Kaltrinë e po tretej dita ditës nga kjo dashuri e pamundur, e për rrjedhojë cilësia e mëndafshit po ulej.
Kaltrina e kuptoi dhe i tha:
-Larvë e dashur, po të çoj sërish në shtëpinë tënde, fustanet qe më ke endur ti do t’i mbaj si gjënë më të shtrenjtë.
Larva u dëshpërua, por s’kishte ç’të bënte, si mundej t’ia diskutonte vullnetin dhe vendimin e saj?
-Mirë, i tha Larva, vetëm të lutem më dërgo ti.
-Patjetër që tani.
U nisën rrugës. Papritmas karroca u prish dhe ata mbetën në mes të pyllit.
Ishte natë.
Princesha urdhëroi rojen të dilte jashtë e të shikonte çfarë kishte ngjarë si edhe te ruante jashtë duke garantuar siguri, sipas protokollit mbretëror.
Kur ra nata e yjet dolën në qiell, Kaltrina ngriti sytë nga dritarja e karrocës dhe dialogoi me Hënën ca fjalë që Larva sipas Kaltrinës s’mund t’i kuptonte.
A s’ju thashë që ajo ishte gjysëm perëndi? Ajo i kërkoi Hënës që dashurinë që ndiente Larva për të t’ ia largonte  në mënyrë që ajo të mos vuante, por Hëna i tha:
-Kaltrinë,  larvat  s bien në dashuri me njerëzit.
-Po Hënë po, ka rënë e unë nuk dua që të vuajë.
– Epo diçka ka këtu, iu përgjigj Hëna.
– Cfarë? – e pyeti Kaltrina e kuriozuar.
– Ku e gjete? – e pyeti Hëna
-Në pemën e manit, – iu përgjigj Kaltrina.
-Pa mendohu mirë se më duket s’po më tregon të vertetën.
– Ah po, harrova, e gjeta mbi buzë. M’u ngjit kur doja të provoja kokrrën e manit që më ra mbi fustan.
– Epo duhet ta puthësh, sepse të paska sinjalizuar.
– Ç’thua keshtu moj Hënë, kështu do ti duket se edhe unë e dashuroj.
-Puthe, puthe nëse dëshiron të gjesh dashurinë e jetës tënde!
 Keshtu i tha Hëna dhe u zhduk duke e lënë Kaltrinën të hutuar. Menjëhere skëterra mbuloi vendin sepse Hëna u fsheh. Kaltrina u frikësua shumë, aq shumë sa edhe larva e ndjeu frikën e saj.
– Mos ki frikë!- i tha ajo, – më ke mua pranë.
-E si mund të më ndihmosh ti mua nëse më ndodh gjë, kaq e vogël sa je, s mund të ndihmosh as veten tënde.
-Por unë mund të bëhem njeri nëse ti bën atë që të tha Hëna.
-Siiii, ti e kuptove se ç’tha hëna?
– Po,- i tha Larva, sepse unë jam një princ që një shtrigë më ka bërë magji duke mallkuar nënën time shtatzënë. Ajo donte të prishte martesën e prindërve të mi dhe sikurse nuk ia doli e mallkoi nënën time duke i thënë: “Bëfsh një larvë krimbi”… e ashtu ndodhi.
Unë linda i tillë. Më ndihmo! Është në dorën tënde të prishësh mallkimin e shtrigës, prej së cilës po vuan familja ime dhe unë.
Kaltrina me ta dëgjuar kërkesën e tij nuk e zgjati aspak dhe e puthi menjëherë.
Ç’të shikonte? Para saj u shfaq një djalosh shtatlartë me sy të kaltër si ajo dhe flokë bjondë.
I kryqëzuan vështrimet gjatë dhe menjëherë erdhi agimi. Dielli u ngrit në qiell e buzëqeshte me rrezet e tij të ngrohta më shumë se kurrë…
Kishin kaluar 25 vite që nga koha që prindërit e djalit- larvë, s’kishin dalë nga kështjella prej dhimbjes që i kishte lënë pas mallkimi.
Princi e rrëmbeu në krah princeshën, e hipi mbi kalin e bardhë që i priste dhe u nisën në drejtim të kështjellës së prindërve të tij për t’i dhënë lajmin e bukur se ai ishte djali i tyre.
Kur u takuan me djalin, prindërit e tij të plakur e të thinjur u kthyen edhe një herë në moshën e rinisë nga gëzimi dhe entuziazmi.
Lumturia e tyre u transmetua edhe te banorët që jetonin në kushte varfërie, sepse s’kishte kush i drejtonte. Pas asaj dite vendi i tyre lulëzoi nga begatia dhe bollëku sepse të gjithë filluan të punojnë dhe të gëzojnë.
Më pas, të gjithë së bashku u nisën për te kështjella e Kaltrinës dhe bënë një dasmë  të paharruar.
Të dy mbretëritë u bashkuan dhe forcuan vendin duke u dhënë mundësinë banorëve të pasuroheshin e të jetonin në paqe dhe harmoni me njëri- tjetrin.
Lumturia dhe gëzimi qenë ulur këmbëkryq në mbretërinë e tyre të bashkuar, sepse lumturia eshtë porta e mirëqënies dhe e qetësisë shpirtërore.
Korrik 2023.
Please follow and like us: