Fritz Radovani: PSE VETEM SHKODRA?!
Pjesa VII
SHOQNIA “BASHKIMI” SHKODER 1899
A DONI DIJETARE?
-SHQIPNIA PO!
-SHQIPËRIA JO!
Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme SHKODER,
Aty ishte edhe
SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT
– I VETMI NË BOTË KU POROSITI:
Shoku Tito, Stalin dhe Mao Ce Dun, shokun Ever: “Dergoni tek ne kuadrot e besuar të Partisë suaj, e ata neser do të drejtojnë shtetin si doni ju”!
2023: Po, ME “RILINDJEN KOMUNISTE” A JENI T’KNAQUR?!
Një fshatar pyet agronomin e kooperativës: “Po, kur, e marove ti shkollën?”
Agronomi iu përgjegjë shkurt: “Natën”. Vazhdoi rrugën me shatë në krah fshatari e, si nëpër dhambë i dolën këto fjalë: “Nuk di me i kuptue këto shkollat e natës… Edhe kastravecat e mij i donë dy ditë diell për me u ba me i këputë. Ndërsa, këta njerëz po bahen agronom, ingjenjera e doktora dhe drejtues shteti pa asnjë ditë diell! Po, si piqen këta nuk e kuptoj”.
Ishte herët endè kur nuk shkoi gjatë dhe na doli “shkolla e partisë” që nxori pa diell as hanë “kuadrot” drejtues të shtetit, të gjithë ekonomisë, kulturës e pse nuk thue edhe të “shkencës” dhe t’ “Akademisë së Shqipërisë”!
As nuk e di çfarë shkollet ka pasë Josif B.Tito. Me siguri aty afër me Ever Hoxhën duhet të jenë kenë, se ai nuk ia vuni gishtin kot! Për Everin dihet se sa i ka vjeftë lëkura, ka thanë “bilbili” i partisë “se shokët e tij lindin një herë në shekull!”. E, Zoti mos e thashtë me lé ma modeli i tij! Populli thotë: “Edhe në leftë, hejr mos baftë e Zoti, e shoftë faren e rracen e tij!”
Në ndërmarrjen e etiketave në Tiranë punonte një shkodran i vjetër Luigj Filipi, i cili ishte edhe përgjegjës i atij reparti. Më ndihmonte për etiketat e prodhimëve të fabrikës së Pelhurave. E takova mbas sa vitësh tek Pazari i Ri i Tiranës, aty nga vera e vitit 1991 dhe u pëshëndetëm me té. Mbas një bisede të shkurtë për At Mëshkallën më tregoi sësi në vitin 1945, nga fundi i muejt mars kur asht pushkatue Don Ndre Zadeja, një natë tue bisedue me Tuk Jakovën, me të cilin njihëj që në 1936 në grupin e komunistave të kryesuem nga Zef Mala në Shkoder, i kishte thanë Tukut se, asht e mira me bisedue ai me Ever Hoxhën që mos të vazhdohën pushkatimët e priftënve të Veriut, por të zgjidhën rreth 50 vetë prej tyne, ma të prëgatitunit me shkolla të nalta në disa fusha dhe të shpërndahën në tre apo katër qytete të Jugut Shqipnisë tue përfshi edhe Korçen, Gjinokastren dhe Vlonen e, sigurisht, me qendër në Tiranë, të hapën universitete me këta profesora dijetar që ka Kleri Katolik Shqiptar, dhe Ata të japin mësim atje simbas programeve të paraprëgatituna nga ne, mbasi po të realizohet kjo me siguri do të prëgatitët një brez i ri i kulturuem që do të na e kishte lakmi Ballkani. Tuku e kishte pritë mirë mendimin e Luigjit, por do ti tregonte pak ditë ma vonë edhe mendimin e Everit mbasi ta bisedonte me té. Kishin kalue gati 10 ditë pa u takue Luigji me Tukun. Luigji ishte thirrë një natë në një mbledhje urgjente të partisë komuniste dhe mbasi asht kritikue për disa “pikëpamje” të vjetra dhe krahinore, gati ishte edhe përjashtue nga partia, tue u shkarkue nga të gjitha postet e drejtuesit të atij grup organizate partie.
Luigji vërtetë që nuk kishte shkollë të naltë, por dëshira me pasë kulturë ai vetë dhe rinia shqiptare si dhe, shkolla të nalta në të ardhmen atij nuk i mungonte. Kjo lidhej edhe me një fakt tjetër se Luigji njihte prëgatitjen, aftësinë dhe mundësitë që kishte Kleri Katolik Shqiptar për me formue tek na një inteligjencë të mirfilltë Evropjano Përendimore, gja për të cilën kishte dhe ka edhe sot nëvojë Shteti Shqiptar. Kleri Katolik kishte krye shkollat e nalta në rreth 24 Universitete të Evropës, tue mos e llogaritë fare se të gjitha fakultetët ishin të njohuna prej tyne, sëpse ishin të paisun me kulturë universale tue fillue nga historia, letërsia, matematika, juridiku, muzika, piktura, skulptura, sportet etj., pa zanë me gojë fare filozofinë apo degët tjera që kishin karakter fetar.
Në mbyllje të bisedës unë për me e ngacmue, i thashë: “Po, kishe harrue ti Luigj, se kuadri i prëgatitun në këta universitete do ti bahej havale partisë dhe shokut Ever”?
– Jo, jo, – mu përgjegjë Luigji, – havale do ti baheshin Titos, se Everit vetëm do ti kishe nxjerrë “pak punë” sa me pushkatue edhe nja 500 vetë mashumë se ka vra, nga intelektualët që do t’ishin prëgatitë ndër ata universitete!
Unë nuk kam pasë fatin me kenë nxanës i shkollave të Jezuitve apo Françeskanve të Shkodres, por kam njohtë pak e aspak nga Ata dijetarë për të cilët bisedonte Luigji. Kam njohë At Pjeter Mëshkallen e ndonjë tjeter.
Prej piktorit dhe mësuesit tem fort të dashtun dhe të paharrueshëm Simon Rrota, kam njohtë vëllaun e Tij, shkencëtarin e madh të Gjuhës Shqipe At Justin Rrota OFM, një nga Françeskanët ma të dijtun që ka pasë Kleri Katolik Shqiptar. Në vitin 1951 e kujtoj në mesin e Elterit të madh të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të mbajtun për parmakët e mermerit tue predikue, mbasi nuk kishte mundësi me hypë në predikatore se ishte me një paralizë të fortë që i kishte pushtue gjysmën e trupit. Kisha ishte aq e mbushun me njerëz sa një pjesë ishin jashta tri dyerve të hymjes. Ishin ditët e adhurimit të Sakramendit dhe, ishim pikërisht në ata vite kur endè ishin të pathame plagët e të pushkatuemve nga tragjedia e madhe e organizueme prej komunistave me Sigurimin e shtetit e të Seksionit Katolik në Shkoder, në Atë vend ku pak vite ma parë kishin futë armë e municione nën Elterët e Kishës, ku po predikonte i Nderuemi At Justini.
Kujtoj mirë temën për të cilën foli: “Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit rrëthohet nga xhullinjtë dhe, Juda, i afrohet Krishtit dhe e puthë…”.
Sa domethanse ishte kjo ngjarje atëherë! Pra, ishe fëmijë, por fjala e Dijetarit dalton edhe gurin! Në mbrendsinë e zemres së Tij të sëmurë ishte hapë edhe një plagë e re. Mbas disa takimëve “miqësore” me Tuk Jakovën, por pa rezultat për palën e komunistave në lidhje me “Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ishte arrestue një Dijetar tjetër i madh At Marin Sirdani OFM., vëlla, mik dhe bashpuntor i At Justinit në të gjitha vëprimet e tyne. At Marini asht kenë vëlla me një tjetër shkenctar Don Aleksandër Sirdanin, që edhe Ate e mbytën në gropat e zeza në hetuesinë e Koplikut, në vitin 1947. Vdekja e vëllaut At Marinin nuk e ligështoi fare, kur Tuk Jakova u mundue me i diktue thanjet e Ever Hoxhës nëse nuk firmohet “Statuti”, madje, At Marini në dy mbledhjet e para për até qellim ka mbajtë qendrim burrnor tue mbështetë fjalën e Don Kolec Prennushit për mos nënshkrim të Statutit. At Marin Sirdani ishte një nga kolosët e studimëve historike dhe një nga analistët ma të mëdhaj të Historisë së Shqipnisë. Veprat e Tij janë të shumta, por botimi i vitit 1941 “Shqipnia e Shqiptarët” e tham pa frikë, edhe pse nuk jam kompetent historie, asht libri që për çdo të panjohun i jam referue dhe kam gjetë rrugën e vërtetë në të cilën duhet me ecë për me kenë i saktë në dokumenta historike. Nëse do të nisemi nga gryka e lumit Buna në drejtim të Tivarit dhe të ecim në të gjitha fshatrat për të gjatë kufinit ashtu si i rreshton emnat e tyne At Marin Sirdani, pa ma të voglim dyshim tham se do të mërrijmë në pikën e fundit të kufinit, në fshatrat e Jugut dhe do të ndalojmë në Kepin e Padanës, ku me siguri gjatë kësaj rruge të gjatë dhe të panjohun do të mësojmë edhe ngjarjet historike të atyne fshatrave, që jam i bindun se nuk i kemi ndigjue as lexue askund që nga viti 1941, që At Marini i ka botue ata në Shkoder. Kalimi ndër ata pika kufini që ka përcaktue At Marini asht Kufini i vërtetë i Shtetit Shqiptar. E ky Kufi sot nuk kalon në cakun e saktë të tokave tona të plaçkituna nga shovenistët serb e grek. Prandej At Marin Sirdani, asht i përjashtuem nga Historia e Shqipnisë së shkrueme nga “akademikët” komunistë.
Pa At Marin Sirdanin asnjëherë nuk besoj se ka me u shkrue Historia e vertëtë e Shqipnisë, ashtu si nuk asht endë e shkrueme pothuej asgja nga veprat e Tij, tue përjashtue “Hylli i Dritës” para vitit 1944, kur At Marini zente fletët ma të rendësishme të asaj revistë shkencore.
Në fushën e gjuhësisë vazhdonte punën shkencore pa ndërpremje At Justin Rrota, i cili ka shumë vjet që ka vdekë, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, me 21 Dhetor 1964, në pragun e shkatrrimit të atij Kuvendi në 1967, nga “Revolucioni Kultural 1967”. Ka punue shumë për me përcaktue saktësisht se cila duhet me kenë Gjuha e Njësueme Shqipe. Edhe punimet e Tij mbetën ata të para vitit 1944, ndonse ka punue deri në fundin e jetës pa u lodhë asnjëherë. Por, fatkeqësisht, mbas vitit 1951, punimet e At Justinit u vodhën nga “vagabondi” spijun i Sigurimit shtetit komunist, mik dhe veprimtar “besnik” i Ramiz Alisë, “maturanti i natës” injoranti i njohun “dr. prof. Jup Kastrati”, që me mundin e djersën rrëkajë të At Justin Rrotës, u shpërblye nga PKSH dhe Sigurimi i shtetit (pra, Seksioni katolik i sigurimit), të cilit i ka shërbye deri diten që ka ngordhë, me “titujt” e sa e sa privilegje të tyne të pameritueme për hajninë ndaj vepres shkencore e bibliotekës së At Justinit.
Po, a vetëm At Justin Rrota e vëllaznit Sirdani u vodhën dhe u plaçkitën nga pseudo dr. prof. e akademikët e Ever Hoxhës? -Jo, e kam shkrue disa herë dhe po e përsërisë prap, se: Biblioteka Kombëtare e Tiranës në vitin 1998, kishte në podrumet e saja mbi Njëmijë Tituj e vepra shkencore të Klerit Katolik Shqiptar, të plaçkituna nga Sigurimi i shtetit komunist që nga viti 1945, në Bibliotekën Françeskane, të Jezuitve e Kisha Kathedrale në 1967.
Pse heshtje dhe indiferencë ndaj Themeleve të Kulturës Shqiptare?
Jo, duhet të ngulitët në trunin e çdo Atdhetari Shqiptar, Jo kjo heshtje ndaj hajdutëve dhe plaçkitsave kjofshin ata edhe miljonerët e sotem!
Shkenca dhe Kultura Shqiptare duhet të vehët në shinat e së vërtetës!
E kjo asht e domosdoshme të fillohet nga të gjitha shkollat Shqipe, mbrenda e jashta Atdheut, për me u pasue nga ato shtetnore që vazhdojnë me kenë të prangosuna nga ideologjia marksiste – leniniste, tue përfshi edhe të gjitha botimet shkollore në të gjitha Trojet Shqiptare e, kryesisht në Kosovë.
Janë pikërisht ata libra e tekste shkollore që shpërndahën në gjithë Botën tue helmatisë Rininë Shqiptare nga SHBA e deri këtu në Australinë e pastër e të qytetnueme me libra antishkencor dhe mashtrues nga Shqipnia.
Kulturës Shqiptare i mungojnë thëmelet ndër librat që botohen edhe sot mbas 30 e sa vjetësh të ramjes së Murit Berlinit, i cili “nuk pranon” me u rrëzue në Shqipni nga “Rilindja komuniste” e Edi Ramës!
Ku asht ndër libra të shkollave At Gjergj Fishta, Don Ndre Zadeja, Arshi Pipa, Don Lazër Shantoja, Don Nikoll Gazulli, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjon Shllaku, Helena Luli (Mirakaj) Don Ndoc Nikaj, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, Don Aleksandër e At Marin Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pjetër Mëshkalla, At Zef Saraçi, At Zef Valentini, At Anton e At Mark Harapi, Don Kolec Prennushi e sa të tjerë që kanë kontribue per kulturen e vertetë deri tek Ernest Koliqi, që hapi edhe 250 shkollat shqipe t’Kosovës?
Vazhdohet edhe sot me “epitetët” e komunistave kriminel në Historinë e Shqipnisë, e pra bazat e së cilës i vune vetë Ata shkencatarë, që i çimentuen të gjithë Ata Thëmele të Sajat me Gjakun e Shenjtë të Tyne!
Cili universitet i Botës së Qytetnueme përjashton nga Katedrat e Tija Përparimtare At Gjergj Fishten, At Shtjefën Gjeçovin e Don Ndre Zadejen?
Kush mund të flasin për publiçistikën tonë pa zanë me gojë Faik Konicën e Jugut dhe Don Lazër Shantojën e Veriut?!
Cili nga Shqiptarët e Jugut mundet me folë për Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin pa zanë me gojë At Anton Harapin?
Kush di sot me kja mbi vorrin e Avni Rustemit si kjau Don Lazër Shantoja? Kush asht Ai Shkodranë apo Vlonjat e Korçar që do me vue një “Rubë” pa lexue Don Ndre Zadejën e, me i këndue Asaj pa ndigjue edhe melodinë e pavdekshme të Don Mikel Koliqit ?
Kush mundët me mohue sot Thëmelet e muzikës Shqiptare të vume nga duert e At Martin Gjokës, At Filip Mazrrekut e Prenk Jakovës?
Kush mund të flasin për etnografinë tonë sot pa njohë veprat artistike e monumentale të Prof. Simon Rrotës ? Kush e njeh Kol Idromenon dhe artin e piktorit Vladimir Jani, apo piktorin modern Lin Delia? Vetëm në pikturë kishte dy akademista që jetuen deri vonë 1980 – 2003 At Gegë Luma dhe At Leon Kabashi, pa mujtë me dhanë asnjëherë kontributin e tyne në atë art.
Asnjëherë nuk duhet harrue se kryeveprat e Kolë Idromenos janë krijue dhe ruejtë në Kishën Kathedrale të Shkodres dhe se, nga bankat e shkollës françeskane dhe asaj jezuite dolën artistët ma me vlerë të letërsisë dhe artit shqiptar në shekullin e XX-të.Botanisti i madh At Mark Harapi SJ., ka zbulimet e veta në florën shqiptare që as nuk i zen kush me gojë.
Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, shkrimtari i njohun Arshi Pipa dhe Martin Camaj, kompozitori i madh Prenkë Jakova, aktori Zef Jubani, kangtari Lukë Kaçaj, dhe futbollisti i pahurrueshëm Loro Boriçi, ku u shkolluen?
Kush mund të quejnë vetën Shqiptar e stërnip pasues i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, pa pranue se “lotoret” e At Shtjefën Gjeçovit sot janë të stërgjyshave tonë që i kënduen Lirisë dhe i vajtuen robnisë ndër shekuj të shekujve? Jo, o Shqiptarë kështu, jo! Shqipnia asht prej nalt në Grudë e deri poshtë ku shkruen At Marin Sirdani, po, mësoni historinë se mund të jeni shumë të pasun me dollarë e Euro, po jeni shumë të “vorfën” në gëdhenje kulturore të trunit dhe të shpirtit edhe tek trashigimtarët tuej të padijtun!
Shqipnia ka pasë dhe ka edhe sot Dijetarë e Njerëz Përparimtarë!
Ata nuk shuhen ashtu si donte diktatura komuniste e barbare e terroristave tiran të vjeter e të “rinjë”, modeli milionerve kriminel Hoxha, Alia e Rama
që sot po i lustrojnë edhe shkarpat Vuçiçit tek “Balkani i skllavnuem”!
Shqipnia ka pasë e ka me pasë nëvojë për Dijetarë, por po përsërisë, për Dijetarë që e kanë dashtë dhe donë edhe sot me gjithë zemër Atdheun e Vet: Ashtu si e deshti Imzot Prenk Doçi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Dom Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Pashk Bardhi, Dom Mark Shllaku, Dom Dodë Koleci, At Ambroz Marlaskaj, Frymzimi i Tyne kje
Prijsi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, që u pasue nga Ded Gjo’ Luli, Luigj Gurakuqi e sa Burra tjerë deri tek e Madhja Nanë Tereza, që punuene per Një Shqipni të dijtun, Një Shqipni të Vertetë Evropjane që prej Shoqnisë “Bashkimi”, themele të vume me doren e vet prej vitit 1899 në Shkoder.
Melbourne, 10 Korrik 2023.