Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Lamtumirë Paskali i madh i Gjirokastrës!

 

Shpirti i Sotiraq Paskalit, sot u ngjit në qiell. Një ditë pas Milan Kunderës, gjeniut çek të letërsisê që mbylli sytē në Paris. Sikur ta kishin bërë me fjalë me njëri tjetrin…

Ndoshta takohen diku atje lart …

Paskali i madh, nuk do të dalē mē nga porta mitike, plot sarmaçe e lilakë gjirokastre tê varura si stoli nē supe ciganke belharlisur, atje: mu në krye të Sokakut të të Marrëve, ku ta bën me sy ngrehina kryeneçe, trikatëshe e personazhit më të famshëm jo vetëm të Gjirokastrës, mbase të krejt Shqipërisë.

Një ngrehinë e bashtinën plot pemë, mureveshur e gjitha, që është galeri arti, bibliotekë në qindra kopje librash, arenë cirku, sallon muzike e pikture, palestër stërvitjeje, ofiçinë për gjithfarësoj mjetesh dhe një oaz lulesh e trëndafilash që s’i gjen askund, ka rënē heshtja. Një heshtje gati biblike.

Mbi gjërat e vogla, të thjeshta, ku më parë shihje, gjeje gjithçka, brenda tyre, gjithçka: marrëzinë, dritën, zejen, sakrificën, intelektin, muzikēn, forcën, ekstravagancën, ngasjen, artin,ngjyrat, madje dhe përdëllimin e mëshirën, lirinë apo urrejtjen për lehtësinē e padurueshme të qënies (prapē Kundera) sikur ka rënë mpirja, hutimi.

Jeta e Sotiraq Paskalit ishte ajo e bohemit, artistit, shkencëtarit, njeriut të lirë që s’ka Enciklopedi, Roman apo Anuar Bibliotekash në botë që mund ta nxjejë e përmbushë të gjithin.

Mjek veterinier, themelonjës i cirkut të parë, piktor e skulptor me ekspozita brenda e jashtë vendit, shkrimtar e poet me 21 vëllime, muzikant, zbutës kafshësh të egra, kampion kombëtar në shtangë, mundje, atletikë etj.

Paskali e jetoi ashtu si deshi jetën e vet.

Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Qytetar Nderi i Qarkut, Mjeshtër i MADH i Punës, Naim Frashëri e dhjetra tituj të tjerë të dhëna gjatë jetës, janë thjesht titujt që na kujtojnë se sa e çuditshme dhe e pakufishme, e gjerë dhe plot të panjohura është jeta e njeriut. Ndoshta sa pa vlerë janë vetë titujt …

I ruaj si gjë të çmuar në kujtesë, fjalët e thëna nga Paskali i madh në një ditëlindje, festë, për  miqtë e panumërt të tij:

O të dashurit e mi! Njerëz më të mençur e më të shtrenjtë se ju, jam i bindur që nuk do të takoj dot as në parajsë…! Ia kam thënë këtë gjë Shën Pjetrit dhe ai e ka miratuar!

Lamtumirë Paskal i madh i Gjirokastrës!

Fjalët dhe historitë e tua janë gdhendur në çdo mur të Gjirokastrës…

Please follow and like us: