Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti sekret/ Si përgjohej Radiotelevizioni Shqiptar nga Sigurimi i Shtetit?

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E REZIDENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “KALAJA”

Marrë nga P.Op. Mikel Gjika

Dhënë: Rezidenti “Kalaja”

Në natyrë

Raport i dt. 20.9.1984

Burimi njofton se ditën e diel më 16.9.1984, në Televizion ndodhi një defekt i cili u quajt “skandal i madh politik”. Në vend të emisionit kushtuar Brigadës së 22 Sulmuese, u vu në transmetim një emisionin fëmijësh, i karakterit shkencor. Ndërsa spikeri i TV fliste për Brigadën e 22, figura tregonte plane të tjera. Kjo zgjati rreth 2 minuta.

Sipas njoftimeve të marra nga shokë të ndryshëm, defekti në fjalë ndodhi për arsye të ngatërrimit të kutisë së filmave dhe përgjegjës kanë qenë dy redaktorët e programacionit, Arian Bakiri dhe Zhani Gostivishti, si dhe teknikët Bashkim Lleshi dhe Njazi Bandi, si dhe montazhi i cili nuk ka bërë shënimin përkatës, në fillim dhe mbarim të emisionit.

Burimi ka mendimin se defekti nuk është vlerësuar siç duhet, nuk janë analizuar shkaqet dhe nuk është mbajtur qëndrim ndaj fajtorëve. Drejtoria, mbasi kolegjiumi nuk u mblodh fare, u mjaftua vetëm me një shënim në dokumenta Arian Bakirit, kurse të tjerëve, këshillime. Ka dyshime tek Njazi Bandi, tek i cili kanë ndodhur edhe herë të tjera defekte të ndryshme. Sidoqoftë, lëshime të tilla, lënë shteg për skandale edhe më të mëdha.

“KALAJA”

Vlerësim: Raporti ka vlera operative, pasi na vë në dijeni, pasqyron shkaqet e defektit në TV, të datës 16.9.1984, që ka ardhur si neglizhencë dhe pakujdesi e punonjësve të sipërm, por që janë me pasoja politike.

Sqarim: Arjan Bakiri dhe Zhani Gostivishti, si dhe dy teknikët, njihen nga ana jonë si persona me përbërje e qëndrim të mirë politik. Në ngarkim të tyre, nuk kemi pasur ndonjë material.

Detyrë: B.p., u porosit që të bisedojë me punonjës të këtij sektori, si dhe me vetë autorët, për të mësuar hollësira të mëtejshme për origjinën dhe shkaqet reale të defektit, nëse ka pasur shkelje të rregullave të punës, cili person e mban konkretisht përgjegjësinë, për këtë pakujdesi, etj.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen ORV. Të bisedohet me shokët e Drejtorisë, për të vënë në dijeni drejtorinë e RTV, lidhur me këto dhe probleme të tjera, për të marrë masat dhe për të evituar defekti të tilla.

Punëtori Operativ

Mikel Gjika  

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E REZIDENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “KALAJA”  

Marrë nga P.Op. Mikel Gjika

Dhënë: Rezidenti “Kalaja”

Në natyrë

Raport i dt. 23.9.1984

Në vazhdim të informacionit të mëparshëm, burimi vë në dijeni se defekti i datës 16.9.1984, në Tv, siç është njoftuar, ndodhi për arsye “ngatërrese” të bobinave dhe “skandali i madh”, u mbyll me një vërejtje të redaktorit, Arjan Bakiri dhe me nga një këshillim, redaktorëve Zhani Gostivishti dhe teknikëve Bashkim Lleshi dhe Njazi Bandi.

Një analizë e tillë, një qëndrim kaq sentimental e liberal, vazhdon të indinjojë tërë punonjësit që ju dhimbset ekrani, aq më tepër që ai u cënua ditën historike të përvjetorit të Konferencës së Pezës. Burimi është i mendimit se edhe në këtë rast, janë shkelur në mënyrë flagrante rregullat elementare:

Tendenca për të shpërndarë përgjegjësitë, vihet re edhe në këtë rast: Qysh në muajin mars të këtij viti, regjisorja Vera Grabocka, ka prishur bobinën e grupit të Krujës në Festivalin kombëtar të Gjirokastrës. Asnjë masë zhdëmtimi nuk po merret për këtë. Vetë Vera, flet poshtë e lart, duke u tallur dhe thënë se; “Nuk kanë ç’të më bëjnë”!

“KALAJA”

Vlerësimi: Nga raporti del se ka shkelje të rregulloreve dhe neglizhenca e liberalizëm në analizimin e defekteve dhe problemeve të ndryshme në RTV.

Detyrë: B.p. iu hoq vërejtja që të mos bëjë sugjestionime, por me fakte dhe të dhëna konkrete. U porosit që të bisedojë me punonjës të tjerë nëse, a ka raste të tjera të shkeljes së rregullave në vende të tjera pune, a ka neglizhenca apo liberalizëm, sidomos gjatë transmetimit dhe në studiot përkatëse.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen e ORV-së. Të verifikohet në vend, procedura e punës në montazh, e të përcaktohen përgjegjësitë konkrete dhe natyrat e vërteta të defektit në fjalë. Të bisedohet me drejtorin e Përgjithshëm të RTV-së, për të analizuar këto probleme dhe të tjera, e marrë masat për parandalimin e defekteve të kësaj natyre.

PUNËTORI OPERATIV

MIKEL GJIKA

Shënim: Verifikuam në vend, duke biseduar me shokun Milto Baka, sekretar i organizatës bazë të partisë të Televizionit, dhe shokun Ylli Pepo, zv/drejtor dhe Zhani Gistivishtin, redaktor, lidhur me këtë ngjarje. Rezultoi se problemi ishte analizuar thellë atje, janë diskutuar shkaqet e vërteta, që lidhen me pakujdesinë dhe nënvlerësim të detyrave nga redaktori Arjan Bakiri. Këtë emër e njoh nga afër, vjen nga familje me përbërje e qëndrim të mirë politik dhe vetë njihet si djalë i mirë dhe për të nuk disponohet ndonjë material negativ. Nuk ka pasur ndonjë rast tjetër defektesh, në punë. Mendimi im, sikundër me shokët e sipërpërmendur, ishte se defekti nuk ka ndodhur me ndonjë qëllim të caktuar, por kjo ishte për arsyet e mësipërme, për të cilat, Arjan Bakirin, muarrmë masat përkatëse.

30.9.1984                      

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E AGJENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PENA” NGA BAZA “ROZAFAT”       

Marrë: Mikel Gjika

Dhënë: “Pena”

Baza: “Rozafati”

Raport i dt. 2.10.1984

Burimi informon se nga vëzhgimet e bëra dhe nga bisedat me punonjës të Radios së Jashtme, dalin disa probleme që pengojnë punën në këtë sektor:

a) Nuk bëhet një punë sistematike e organizuar me letra, duke filluar që nga përkthim i i tyre, e deri tek përgjigjet dërguar dëgjuesve drejt për drejti, ose nëpërmjet emisioneve të përgatitura apostafat për ta.

b) Jo gjithmonë emisionet janë të ndërtuara mirë dhe me përmbajtje dhe nuk përmbajnë materiale të përpunuara mirë dhe me cilësi.

c) Në disa gjuhë përkthimi bëhet me të meta, kjo për shkak të kualifikimit jo të duhur të përkthyesit, si dhe për mungesë fjalorësh dhe materialesh të tjera të domosdoshme. Kjo ndodh veçanërisht në sektorin e çekishtes, për të cilat burimi ka informuar edhe më parë.

Vlerësim: Raporti është me vlerë operative, na njeh me disa të meta dhe dobësi në Radion e Jashtme, që pengojnë punën e saj në propagandimin e vijës së Partisë dhe politikës së shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Detyrë: B.p. u porosit që të rrisë vigjilencën, sidomos tani në rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut, të vëzhgojë shkeljeve të rregullave dhe të normave të punës, nëpër redaksitë e ndryshme, por edhe në sektorin teknik, nëse zbatohen rigorozisht rregullat për futjen nëpër studio e transmetimit, etj.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen operative ORV, të nxirren probleme për të përgatitur një informacion për RTV, e të bisedohet me eprorët për mënyrën e konsumimit të tij.

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E AGJENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PENA” NGA BAZA “ROZAFAT” 

Marrë: Mikel Gjika

Dhënë: “Pena”

Baza: “Rozafati”

Raport i dt.1.11.1984

Burimi njofton se ka zhvilluar një bisedë me një teknik të Radios të quajtur…! Gjatë bisedës…i tha burimit se në Radio është dëmtuar koka e gjilpërës së një disku, me vlerë 670 dollarë…u shpreh se fajtor për këtë është inxhinieri i këtij institucioni, Dhimitër Kekezi. Ky i fundit, së bashku me kryeinxhinierin e këtij institucioni, Flutra Myftiu, përpilojnë një proces-verbal, ku thuhej se disku ishte dëmtuar gjatë punës. Këta të dy, i kërkojnë teknikut që të firmosin proces-verbalin, por ai nuk pranon, duke thënë se nuk ka qenë prezent, kur ka ndodhur një gjë e tillë dhe nuk ka qenë i pranishëm, kur është përpiluar proces-verbali. Shkaktar i prishjes së kokës së gjilpërës së diskut, që sipas teknikut….është Dhimitër Kekezi, kishte tentuar ta saldonte kokën e këputur të gjilpërës, por e dëmtoi atë më keq. Në një mbledhje të sektorit të teknikës, në rend të ditës ishte ky problem, por gjatë mbledhjes u zhvendos fare rendi i ditës dhe nuk u gjet autori i kësaj prishjeje. Tekniku… kërkoi me këmbëngulje që të gjendej fajtori, duke thënë më në fund se do të thërriste organet e hetuesisë, për këtë problem.

“PENA”

Vlerësim: Raporti është me vlerë operative, pasi na njeh me dëmtime të aparaturave që kanë vlera të mëdha nga inxhinieri Dhimitër Kekezi dhe me përpjekje të krye inxhinieres Flutura Myftiu, për të mbuluar dëmtimin e kaluar me lehtësi.

Detyrë: U porosit që të bisedojë përsëri me teknikun… dhe për probleme të tjera të kësaj natyre, nëse ka pasur raste të tjera të mbulimit të gjërave, të bisedojë dhe me teknikë të tjerë të Radios e, të futet mirë në këto probleme, nëse ka shkelje të rregullave të transmetimit, etj.

Masa Operative: Të shtypet raporti për dosjen e ORV, të verifikohet në vend kjo ngjarje, të sqarohet se çfarë përfaqëson inxhinieri Dhimitër Kekezi, dhe nëse ka pasur raste të tjera të kësaj natyre.

Mikel Gjika

Raporti u pa nga shoku Ropi Postoli dhe Pelivan Luçi që shënojnë përkatësisht

Shoku Ropi: “Të verifikohet ngjarja e ndodhur me anë të agjenturës dhe të vijës së masave, duke përfshirë edhe……nga kush është këputur koka e gjilpërës, sa është dëmi, dhe çfarë pasojash ekonomike e politike ka sjellë. Të verifikohet gjithashtu dhe qëndrimi i Dhimitër Kekezit dhe Flutura Myftiut deri në datën 20.11.1984”. Shoku Pelivan shënon se është dakord me të gjithë detyrat dhe vlerësimet e marra.

Nxori

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

Please follow and like us: