Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Kryeministri, Mugosha dhe “Patat”

Puthje bolshevike internacionaliste

Imagjinoni sikur Dushan Mogusha, i dërguari serb që përfaqësonte Partinë Komuniste Jugosllave të kish dalë hapur e të thoshte: “Ngrihuni o shqiptarë e luftoni, ta përzeni Italinë dhe pastaj, pasi të fitojmë luftën, ta bëjmë Shqipërinë Republikën e Shtatë të Jugosllavisë”! Sa vetë do të ngriheshin të luftonin për realizimin e këtij programi?

Po pavarësisht se këto ishin qëllimet e vërteta thirrja u drejtua: “Le të bashkohemi pa dallim feje krahine dhe ideje për të fituar…”.

Ashtu si edhe sot, edhe atëherë u përdorën si karrem idealet më të larta, u bënë premtimet më të mëdha dhe shumë shqiptarë u ngritën duke i besuar kësaj propagande. Por gjatë luftës shumica e atyre komunistëve që ishin patriotë u eliminuan në prita, në vrasje pas shpine, të tjerët u denoncuan nga vetë “vëllezërit e tyre të armëve” dhe përfunduan në Kampet e Përqëndrimit Naziste etj, etj, kështu që kur ardhi koha për të bërë marrëveshjet e për të nënëshkruar dokumentat e bashkimit me Jugosllavinë nuk kishin mbetur shumë nga ata komunistë si Qemal Stafa e të tjerët që do të mund të bëheshin pengesë. U dërgua Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) që të firmoste marrëveshjen për barazimin e monedhës. Nuk pranoi të nënshkruante. Me t;u kthyer në Shqipëri u burgos dhe u dërgua në qilarin e torturave. Pas tij u dërgua Nako Spiru i cili e nënëshkroi marrëveshjen, por pastaj i penduar për dobësinë e tij vrau veten… Sido që të ishte u nënëshkruan të gjitha dokumentat dhe Shqipëria më në fund u bë zyrtarisht Republika e Shtatë e Jugosllavisë. Pra, për këtë paskëshim  luftuar, për këtë na kishin ardhur e punonin Dushan Mogusha e Miladin Popoviçi gjatë gjithë kohës së Luftës. Por ndodhi Çudia e Madhe: ndërhyn Stalini nga Moska! Enver Hoxha nuk ka rrugë tjetër veç se të anullojë marëveshjet. Shqipëria mbeti një shtet i pavarur, po një shtet ku shqiptarët jetonin sipas “zemrës së Sërbisë”: Të shtypur e të terrorizuar, çdo dhjetë vjet zbulohej një “grup armiqësor” në qeveri dhe bëheshin “spastrime”, varfëri, “luftë klasash” që përçante vëllanë me vëllanë, etj, etj.

Po sot, si do të mund ta përshkruanim Shqipërinë e qeverisjen e Edi Ramës. A nuk po bën ai gjithshka që jeta e shqiptarëve në Shqipëri të jetë sipas dëshirave të zemrës së Vuçiçit?

A nuk po i trajton ai shqiptarët si “Patat”? Tani i ka ndarë në dy grupime:

1-“Patat e egra” që janë opozita dhe ata që nuk i thonë po dhe amin për gjithcka.

2-“Patat e buta” janë ata që thonë e bëjnë gjithmonë atë që do kryeministri.

“Patat e egra” gjuhen pa mëshirë. Atyre nuk u jepet qetësi as ditë as natë, u shkatërrohen sistematikisht e pa mëshirë mjedisi i nevojshëm për jetesë me synimin për ti zhdukur krejtësisht. Kurse për “patat e buta” kujdeset vetë kryeministri, madje disa prej tyre u jep të hanë racione shtesë, i majm duke i ushqyer me dorën e tij…

A nuk e ushqeu dhe e majmi me dashuri të madhe edhe Arben Ahmetajn, i dha privilegje pas privilegjesh, dhe ky tani pa pikë turpi na sillet sikur të ish një “patë e egër”, ik dhe merr arratinë! Ka paturpësinë ti shmanget misionit të tij historik, aq më tepër tani kur dihet botërisht se “Kryeministri i Ndritur Edvin/Edi Rama” ka një zjafet të madh, tani në tetor. Misjoni i Arben Ahmetajt do të ish të vinte e të vetëflijohej në tavë, përpara ndërkombëtarëve, të mirrte përsipër të gjitha të këqiat që të shkëlqente Edvin-Edi ynë si një “Udhëheqës i Ndritur i Ballkanit” që lufton korrupsionin dhe sjell vllazërim-bashkimin midis gjithë popujve të Ballkanit. Atë që nuk mundi ta bëjë Titua do ta bëjë me siguri Edvin-Edi Rama. A u soll në këtë mënyrë ndonjë me Xhaxhi Enverin? Sa herë që ai shpallte ndonjërin armik, pavarësisht nëse ishte  apo nuk ishte e vërtetë, të gjithë e pranonin kokëulur “fajin”. Përse na sillet kështu me Xhaxhi Edin armiku i popullit Arben Ahmetaj? Kjo duhet demaskuar me forcë si shfaqje e huaj! Le të shpresojmë që “Patokët” e tjerë që janë caktuar për këtë zjafet të mos ndjekin shëmbullin negativ të Arben Ahmetajt.

Vuçiçi në fakt nuk ka të drejtë që të zemërohet me Ramën; edhe ai me urdhër nga lart u detyrua ta prishë “Ballkanin e hapur”, ashtu siç u detyrua ta prishte Enver Hoxha marrëveshjen me urdhërin e Stalinit, dhe nuk qëndroi Republika e Shtatë e Jugosllavisë. Po a nuk po punon pa u lodhur Edvin-Edi që jeta e shqiptarëve në Shqipëri të jetë sipas zemrës së Vuçiçit e të  Sërbisë? A nuk po punon ai pa u lodhur që shqiptarëve tu nxhihet jeta, të ikin dhe të mos kthehen më prapa, kurse ata që të mbeten të katandisen në një popull të përulur, të varur nga mallrat nga Sërbia, të gjithë të jenë kamarierë e guzhinjerë në shërbim të turistëve sërbë?

Pyetja shtrohet: Deri kur do të vazhdojë kështu?

Sa kohë shqiptarët do ta lejojnë ti trajtojnë si “patat”?

Këtu duhet thënë se është më mirë të jesh një “patë e egër” sesa një “patë e butë”. Patat e egra edhe mund të mbijetojnë. “Patat e buta” nuk i shpëtojnë dot hanxharit kur vjen dita e zjafetit dhe banketit.

Please follow and like us: