Petro Koçi: Dorëheqja ime si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Edukimit
Deputeti Petro Koçi ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Edukimit, pas një përplasje të gjatë në lidhje me ligjin e Akademisë. Në një intervistë, Koçi shprehet i zhgënjyer nga qëndrimi i disa deputetëve të mazhorancës gjatë kalimit të ligjit në komision.
Zoti Koçi, në ambientin parlamentar përflitet se ju kini dhënë dorëheqjen para disa kohësh nga pozicioni i nëkryetarit të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. I mbeteni akoma të njëjtit qëndrim pasi projektligji juaj tashmë kaloi në seancën parlamentare?
Sigurisht që po. Në datën 11 Korrik 2023 në mbledhjen e Komisionit u shqyrtua projektligji i iniciuar prej meje dhe zotit Beqiraj. Një projekt që gëzonte mbështetjen e shumicës së komunitetit akademik. Në përfundim të mbledhjes unë deklarova dorëheqjen për dy arsye. E para sepse projektligji nuk u hodh në votim me manovrën e largimit të deputetëve të opozitës dhe reduktimt të prezencës deri në mungesë kuorumi. E dyta sepse disa kolegë të maxhorancës mbajtën qëndrime me ekuivok duke e mundësuar taktikën e opozitës për të rrëzuar kuorumin. E konsiderova fyerje si sjelljen e opozitës ashtu edhe atë të kolegëve të mi. Unë nuk pres vota pro nga opozita, sepse as nuk dua të ndihen të kompromentuar. Por moslejimin e votimit nuk e pranoj. Kjo është kundër rregullores dhe normalitetit. Marrja e pushkëve politike kundër Gjinushit nuk mund të cenojë procedurën parlamentare. Prandaj deklarova dorëheqjen. Mendoj se ndodhi të tilla nuk mund të kalojnë pa pasoja. Dhe tërheqja ime nuk ka lidhje me fatin e një projektligji, por me fatin e procedurës dhe rregullit parlamentar.
Në pozicionin e anëtarit të thjeshtë në komision do kem sërish të njëjtin angazhim parimor.
Edhe nëse për këtë dorëheqje nuk e vret njeri derrin në atë komision, për mua ka rëndësi qetësia e ndërgjegjies eime politike.