Shaban Murati: Ndërhyrje brutale e Vuçiçit në formatimin e qeverisë së re në Mal të Zi
Ishte e pazakontë ndërhyrja e hapur brutale e presidentit të Serbisë Vuçiç në procesin e tanishëm të formimit të qeverisë së re të Malit të Zi, e cila duhet të krijohet pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2023.
Në një deklarate të tij në 14 korrik presidenti i Serbisë shpalli papritur se formimi i qeverisë së re në Mal të Zi kishte përfunduar, dhe se të gjithë: boshnjakët, kroatët, shqiptarët, morën pjesën e tyre, dhe vetëm serbët nuk po a arrijnë ta marrin, sepse shihen si “faktor destruktiv”.
Presidenti i Serbisë njoftoi formimin e qeverisë së re malazeze, sikur ai është governator i Malit të Zi, dhe kur procesi është në fillimet e tij dhe përfundimin e tij nuk e kishte njoftuar as kryetari i partisë së re, që doli e para në zgjedhjet, Milojko Spajiç, i cili po zhvillon bisedimet për këtë çeshtje me partitë e tjera parlamentare.
Nuk e kishte njoftuar as presidenti i Republikës së Malit të Zi, Milatoviç. Me djallëzi Vuçiç zgjodhi ta bëjë ndërhyrjen e tij dy ditë pasi presidenti Milatoviç ishte për vizitë zytare në Beograd, dhe kjo krijoi dyshimin sikur presidenti malazez kishte diskutuar përbërjen e qeverisë malazeze me presidentin e një shteti tjetër, me Serbinë.
Vuçiç nuk përfilli as faktin zytar që parlamenti i ri malazez, i dalë nga zgjedhjet e fundit, nuk e është konstituar ende, dhe zyrtarisht mandatari i formimit të qeverisë nuk e ka marrë ende mandatin për këtë nga presidenti i Malit të Zi, dhe sesioni i parë i parlamentit të ri do të mbahet në 27 korrik.
Ahere përse kjo ndërhyrje brutale e presidentit të Serbisë në procesin e formimit të qeverisë së një shteti tjetër të pavarur?
Media malezeze “Vijesti” në 24 korrik i cilësonte deklaratat e presidentit Vuçiç “ndërhyrje direkte në punët e brendëshme të Malit të Zi”. Kurse media tjeter malazeze “Cdm.me” në 22 korrik shtronte pyetjen: “Nga e ka presidenti i një vendi të drejtën që të bëjë llogaritë e qytetarëve, të votuesve dhe të ministrave të qeverisë së një shteti tjetër?”.
Ngutja dhe ethja e presidentit serb vjen nga objektivi i tij për të diktuar formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, që të jetë qeveri e orientimit dhe e aleancës me Serbinë dhe me Rusinë.
Aktualisht Mali i Zi ndodhet në nje periudhë tepër të vështirë të gjendjes politike dhe gjeopolitike. Po ndodh një përplasje e hapur strategjike dhe gjeopotike midis rrymave rivale, njera properëndimore që është për konsolidimin e anëtarësisë së vendit në NATO, dhe tjetra rryma antiperëndimore e përfaqësuar nga koalicioni politiko-fetar i partive serbe, kisha ortodokse serbe dhe shërbimet sekrete serbe dhe ruse për të neutralizuar pjesëmarrjen e Malit të Zi në NATO dhe për të rivendosur lidhjet e ngushta strategjike dhe ushtarake me Serbinë dhe me Rusinë.
Duhet pranuar se filozofia dhe orientimi atlantik dhe properëndimor kanë humbur terren në Malin e Zi, që nga gushti i vitit 2020 i zgjedhjeve parlamentare, kur inxhinjeringu elektoral i shërbimeve sekrete serbe dhe ruse solli në pushtetin ekzekutv forcat antiatlanike, proserbe dhe proruse, e deri në zgjedhjet presidenciale të marsit të këtij viti, ku humbën terren akoma më shumë forcat indipendentiste me orientim atlantik dhe properëndimor.
Tani është beteja e madhe për të fituar pushtetin ekzekutiv me formimin e qeverisë së re, që ka përpara alternativën për ta drejtuar Malin e Zi drejt Serbisë dhe Rusisë apo drejt NATO-s dhe BE.
Sheshi i betejës kryesore politike dhe gjepolitike, jo vetëm malazeze, është bërë procesi i formimit të qeverisë së re në Podgoricë, ku asnjë parti nuk fitoi në zgjedhje shumicë parlamentare sa të krijonte e vetme qeverinë, por ka nevojën e një koalicioni partish. Serbia dhe presidenti serb, kisha fondamentaliste ortodokse serbe dhe shërbimi sekret serb e rus, kanë mobilizuar të gjitha instrumetat dhe rrjetet e tyre dhe mjetet e presionit, që të imponojnë një qeveri antiatlantike dhe antiperëndimore, me dominimin e mashës së tyre të koalicionit të partive serbe në Malin e Zi.
Presidenti serb sipas burimeve dipomatike u ka vënë mandatarëve të qeverisë kushtin që qeveria e re të ketë dominim të koalicionit të partive serbe me postet më të rëndësishme në atë qeveri.
Mandatari i tanishëm i procesit të krijimit të qeverisë, kryetari i partisë së parë fituese në zgjedhje, Milojko Spajiç, e bëri lëshimin e parë strategjik ndaj Serbisë, kur në mënyrë aprioristike përjashtoi nga pjesëmarrja në qeverinë e re forcat indipendentiste malazeze, të cilat dolën të dytat në zgjedhjet e fundit, dhe po e bazon projektin e qeverisë me koalicionin antiatlantik proserb, që doli i treti në zgjedhje.
Përjashtimi i forcave indipendentiste apriori nga pjesëmarrja në qeverinë e re përputhet me strategjinë antiatlantike të Serbisë dhe të Rusisë. Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet për taktikat dinake të kryetarit të partisë “Europa now”, për të cilin edhe pa këtë ka dyshime të mëdha për lidhjet serbe të tij, sepse është me shtetësi serbe.
Pikërisht pse kishte shtetësi serbe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e përjashtoi Spajiçin nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të 19 marsit të këtij. Do të ishte edhe më absurde që kryeministri i ri i një shteti anëtar të NATO-s të ketë shtetësinë e Serbisë.
Në 21 korrik think-tanku slloven “Ifimes. org”, në një analizë të tij për situatën pas zgjedhjeve parlamentare në Malin Zi, tërhiqte vëmendjen: “NATO ka shprehur shqetësime për informacionin që kryetari i partisë “Europa now”, Milojko Spajiç, përveç shtetësisë malazeze, ka edhe shtetësinë e Serbisë dhe ka rezidencë në Beograd”.
Koalicioni i partive serbe, që Spajiç po e projekton si aleatin kryesor të koalicionit qeveritar, drejtohet nga dy politikanë ekstremistë antiatlantikë serbë, Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, të cilët ishin protagonistë në përpjekjen për grusht shteti të 16 tetor 2016 në Mal të Zi, organizuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse për të rrëzuar qeverinë e ligjëshme dhe për të ndaluar hyrjen e Malit të Zi në Nato.
Për këtë veprimtari terroriste antishtetërore të dy ata u dënuan me burg nga Gjykatat e Malit të Zi. Me ndihmën e Serbisë dhe të kthesës regresive proserbe të 30 gushtit 2020, të dy jo vetëm u falën, por janë sot udhëheqësit kryesorë të koalicionit serb në Mal të Zi.
Presidienti serb Vuçiç i ka vënë mandatarëve të qeverisë së re kushtin që koalicioni serb i Mandiçit dhe i Knezheviçit të ketë postet më të rëndësishme të ministrit të mbrojtjes dhe të ministrit të brendëshëm, si dhe postin e kryetarit të parlamentit.
Në bisedimet e fundit për qeverinë e re në 21 korrik midis Spajiçit dhe Mandiçit mandatari i ka ofruar koalicionit serb postet e ministrit të e arsimit, të bujqësisë, të transportit dhe të diasporës, gjë që e ka tërbuar Beogradin. Ndaj dhe presidenti serb iu vërsul formuesve të qeverisë së re me akuzat se kanë përjashtuar serbët nga qeverisja.
Sipas vëzhguesve malazezë, këto përplasje mund të jenë taktika të të dy palëve për të fshehur procesin e fshehtë të krijimit të një qeverie të re proserbe. Media malazeze “cdm.me” shkruante në 22 korrik: ”Mali i Zi nuk është në rrugën e integrimit në BE, por është në rrugën e integrimit të plotë në botën serbe. Kemi një aksion të koordinuar të udhëheqësve shtetërorë të Serbisë për të forcuar aleancën politike ultra të djathtë dhe utranacionaliste në qeveri, e cila është nën kontrollin e plotë të Beogradit dhe të Moskës”.
Serbia dhe koalicioni i partive serbe në Mal të Zi kanë shpallur si kusht dhe bazë të procesit të formimit të qeverisë së re formulën e koalicionit qeveritar të dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, që në sajë të Beogradit solli në pushtet një qeveri proserbe. Nuk kërkohet as formula e dalë nga zgjedhjet e tanishme parlamentare, por këmbëngulet formula serbe e 30 gushti 2020.
Në një deklaratë për televizionin e Serbisë në 23 korrik kryetari i partisë “Demokracia e re serbe” Mandiç afishoi nga Beogradi kushtin që “qeverinë duhet ta formojnë ata, që fituan në 30 gusht 2020”. E ashtuquajtura formulë e 30 gushtit 2020 është thjeshtë kopertura për të krijuar një ekzekutiv me një qeveri serbe dhe ruse, siç ishin dy qeveritë e Krivokapiçit dhe e Abazoviçit pas gushtit 2020. Propaganda serbe, ruse dhe ajo filoserbe e disa qarqeve diplomatike në BE, e pompoi 30 gushtin 2020 si një fitore e madhe e demokracisë në Malin e Zi.
Në këtë mashtrim vulgar diplomatik dhe propagandistik ranë dhe qarqet levantine zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat nuk dihet se nga çfarë interesash u shtynë që të krijojnë tymnaja pseudoeuropianizmi për qeveritë proserbe në Podgoricë. Natyrisht nuk ishin as interesa shqiptare dhe as interesa atlantike.
Se çfarë është 30 gushti 2020 në Maline Zi, e përcakton bukur dhe në mënyrë sintetike shkrimtari i njohur malazez dhe një nga analistët më të mirë të Malit të Zi, Andrej Nikolaidis, i cili në 22 korrik 2023 shkruan në një analizë të botuar ne mediat malazeze:
“30 gushti 2020 nuk ishte as “triumf i demokracisë” dhe as i “rrugës europiane”, por ishte një kompletim i kundërrevolucionit klerikal dhe një grusht shteti nga Serbia e Madhe”.
Në këtë situatë tepër komlekse dhe shqetësuese, me rreziqe të mëdha për kursin e pavarësisë dhe të orientimit atlantik dhe europian të Malit të Zi, merr një rëndësi të veçantë roli dhe veprimi profilaktik i NATO-s, në një shtet anëtar të saj, dhe i BE në një shtet kandidat të saj. Realisht Mali i Zi ndodhet në një udhëkryeq tepër të rrezikshëm. Serbia dhe Rusia nuk janë pajtuar me humbjen e madhe, që pësuan në vitin 2017 me anëtarsimin e Malit të Zi në NATO.
Tani Serbia dhe Rusia po bëjnë betejën e madhe, që defakto Mali i Zi paralizojë atlantizmin dhe oksidentalizmin e tij dhe vendi të serbizohet me shpejtësi nëpërmjet kishës ortodokse serbe dhe forcave politike proserbe në atë vend. Duhet pohuar se NATO dhe BE u treguan të mefshtë dhe neglizhentë në vitin 2020, duke besuar se Serbia dhe Rusia ishin tërhequr nga strategjia dhe lufta antiatlatike në Malin e Zi. Serbia dhe Rusia ndërruan metodat, dhe taktikat e luftës hibride u dolën të suksesëshme.
Tre vjet përvojë e hidhur nga kursi i qeverive proserbe në Malin e Zi të pas gushtit 2020, duhet t’u kenë mësuar diplomatëve dhe strategjistëve të NATO-s dhe të BE se Mali i Zi mund t’u rrëshqasë nga duart. Sepse del një pyetje e thjeshtë strategjike: Si do të ndërtohet një qeveri e re e besueshme e Malit të Zi, kur boshti i koalicionit qeveritar pritet të jetë koalicioni i partive serbe, që janë kundër NATO-s, kundër SHBA, kundër BE, dhe për aleancë të ngoshtë me Rusinë?
Si mandatar i procesit të formimit të shumicës parlamentare dhe qeveritare, Spajiç në 19 korrik shpalli 10 pikat, ku bazohet platforma e tij për krijimin e qeverisë, dhe ku pika gjashtë ofron kushtin që orientimi i politikës së jashtëme të qeverisë së 44-t do të bazohet në anëtarësinë aktive dhe të besueshme në NATO dhe angazhimi i plotë i integrimit në BE.
Në 24 korrik kreu i koalicionit të partive serbe Mandiç tha me gjysmë zëri se koalicioni e pranonte platformën 10 pikëshe, por menjëherë e shoqëroi me kërcënimin se “do të dështojë çdo eksperiment me ata që bëjnë marrëveshje me disa ambasada dhe me dëshirat e faktorëve jashtë Malit të Zi”.
Pra ai akuzoi ambasadat e Perëndimit, të cilat kanë shtuar përpjekjet për t’iu kundërvënë strategjisë së Serbisë dhe të Rusisë për neutralizimin e pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO. Media e njohur malaze “cdm.me” shkruante në 22 korrik se “SHBA kanë qenë perfektësisht të qartë dhe BE ka qene mjaft e qartë: Fronti i mëparshëm proserb nuk është pjesë e dëshirueshme e qeverisë së re malazeze”.
Kjo barrikadë atlantike dhe perëndimore më e pranishme ai se sa më parë, e ka trembur Serbinë dhe Rusinë, ndaj presidenti serb Vuçiç dhe kisha ortodokse serbe kanë shtuar mënyrat dhe format e presionit dhe të ndërhyrjes në politikën malazeze.
Kemi një luftë të ashpër gjeopolitike dhe strategjike në zhvillim e sipër, që mund të marrë forma të reja të dëmshme për interesat atlantike, sidomos me ashpërsimin e konfliktit të shkrirë gjeopolitik midis Rusisë dhe NATO-s për luftën në Ukrainë.
Me këtë sy strategjik duhen parë edhe nga Shqipëria zhvillimet e reja në Malin e Zi. Shqipëria ka interes jetik, strategjik, gjeopolitik dhe kombëtar që Mali i Zi të jetë i pavarur, atlantik dhe properëndimor, dhe sa më i shkëputur nga Serbia dhe nga Rusia. Çdo shikim tjetër i zhvillimeve në Malin e Zi do të favorizonte forcat armiqësore antiatlantike dhe antishqiptare nga Beogradi e deri në Moskë./gazeta dita