Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Ndiq pasionin tënd!

“Një nga ligjet universale thotë: ‘ndiqe pasionin tënd, cilido qoftë ai’, sepse ky pasion është gjuha e shpirtit që na flet ne, se si t’i realizojmë të gjitha dëshirat, thjesht, pa mund, madje duke përjetuar momente shumë të bukura gjatë rrugëtimit, deri në realizimin e dëshirave dhe qëllimeve tona në jetë”, Dr. Vlora Obertinca.
Dimrin e atij viti Betina më luti të mos shkoj me pushime në Kosovë, ngaqë kishte dëshirë të shkonim bashkë për ski në St. Moriz në Zvicër. Ashtu edhe bëmë. Vendosëm të bëjmë edhe pushimin e dimrit bashkë dhe shkuam për ski në St. Moriz. Udhëtuam me aeroplanin privat të Betinës. Këtë herë Betina pilotonte, në shoqëri të një piloti të dytë, ndërsa unë isha ulur në pjesën e ulëseve të pasagjerëve. Kur arritëm në St. Moriz shkuam direkt në hotel, sepse ishim shumë të lodhura nga mësimet dhe intensiteti i ritmit ditor të jetës dinamike në Vjenë.
Me të arritur në hotel, bëra një dush dhe u shtriva në dhomë për të pushuar pak. Unë po dëgjoja lajmet në televizor, kurse Betina kishte dalë për të pirë një kafe në hollin e hotelit. Me të hyrë në holl, kishte ndaluar në banakun e kafenesë dhe kishte porositur një kafe të ftohtë. Një gjë që nuk e kishte vërejtur fare Betina, ishte se në anën e djathtë të hollit, ishte një person i ulur dhe, me të vërejtur Betinën, e kishte shoqëruar me sy. Sapo ajo ishte ulur në banak, personi në fjalë, i ishte afruar nga prapa, ia kishte mbyllur sytë, në mënyrë që t’ia bënte surprizë praninë e tij. Zëri i ëmbël i një mashkulli i tha: “Gjeje se kush jam”.
Betinës filloi t’i rrëqethej trupi nga emocioni i fortë, sepse po dëgjonte zërin më të ëmbël dhe më të dashur që kishte dëgjuar ndonjëherë në jetën e saj.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit” të autores Vlora Obertinca.
Please follow and like us: