Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Aleatë të Trojës

Ushtria trojane e udhëhequr nga mbreti i tyre Priam, kishte ndihmë nga një listë e gjatë aleatesh. Mes tyre ishin Licianët, në brigjet e Anadollit jugperëndimor. Në Iliadën e Homerit, kontigjenti Lician drejtohej nga dy luftëtarë të nderuar, Sarpedon dhe Glauk.
Sarpedoni luftoi në anën e trojanëve, me kushëririn e tij Glauku, dhe ishte një nga aleatët dhe heronjtë më të mëdhenj të Trojës. Në Iliadë, Sarpedoni qortoi Hektorin, se ai ua la të gjitha luftimet e vështira aleatëve dhe jo vetë trojanëve, dhe theksoi se licianët nuk kishin asnjë arsye për të luftuar grekët, por për shkak se ishte një aleat besnik i Trojës, do të luftonte gjithsesi. Kur trojanët sulmuan murin prej druri të ndërtuar nga grekët, Sarpedoni dhe Gauku udhëhoqën njerëzit e tyre në ballë të betejës dhe bënë që Ajaksi dhe Teucer të zhvendosnin vëmendjen nga sulmi i Hektorit. Ky sulm i lejoi Hektorit të depërtonte në mbrojtjen greke.
Pikërisht para këtij aksioni Sarpedoni mbajti një fjalim për “obligimin fisnik” ndaj Glaukut, duke deklaruar se ata kishin qenë mbretërit më të nderuar, prandaj tani duhet të luftonin më së shumti për të provuar se e meritonin këtë nder. Ndërsa po përgatitej të hynte në betejë, ai i tha Glaukut se së bashku do të shkonin drejt lavdisë. Nëse do të kishin sukses, lavdia do të ishte e tyre. Nëse jo, lavdia e atij që i ndaloi do të ishte më e madhe.
Kur Patrokli hyri në betejë me armaturën e Akilit, Sarpedoni e takoi atë në luftim. Zeusi debatoi me veten nëse duhej t’i kursente jetën djalit të tij edhe pse ishte i destinuar të vdiste nga dora e Patrokliut. Hera i kujtoi se bijtë e perëndive të tjera po luftonin dhe ishin të destinuar të vdisnin gjithashtu. Nëse Zeusi do ta kursente djalin e tij Sarpedon, një perëndi tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë. Prandaj e la të vdiste ndërsa luftonte me Patroklin, por jo përpara se Sarpedoni të vriste kalin e Akilit. Gjatë luftës, Zeusi dërgoi një shi me pika të përgjakshme mbi kokat e Trojanëve duke shprehur pikëllimin për vdekjen e afërt të djalit të tij. Kur Sarpedoni ra, i plagosur për vdekje, ai i bëri thirrje Glaukut që t’i shpëtonte trupin. Patrokli e tërhoqi shtizën që i kishte ngulur Sarpedonit dhe shpirti i tij shkoi me të.
Një luftë e dhunshme pasoi mbi trupin e mbretit të rënë. Grekët ia dolën të merrnin armaturën e Sarpedonit (që më vonë u dha si çmim në lojërat e funeralit për Patroklin), por Zeusi i kërkoi Phoebus Apollonit të shpëtonte kufomën. Apolloni e mori kufomën dhe e pastroi, më pas e dërgoi në Gjumë (Hypnos) dhe Vdekje (Thanatos), i cili e mori përsëri në Lycia për nderime funerali.
Sipas Homerit, mbreti trojan Priam kishte luftuar me Amazonat në rininë e tij në Frigji. Shkrimtarët e mëvonshëm të antikitetit i gjetën Amazonat gjeografikisht në Anadoll dhe filluan një traditë epike ku heronjtë, si Herakliu dhe Tezeu, luftuan me luftëtaret e Amazonës.
Të guximshme dhe jashtëzakonisht të pavarura, Amazonat, të komanduara nga mbretëresha e tyre, ndërmorën rregullisht ekspedita të gjera ushtarake në skajet e largëta të botës, nga Skithia në Traki, Ballkan të sotëm, Azi të Vogël dhe Ishujt Egje, duke arritur deri në Egjipt.
Përveç bastisjeve ushtarake, Amazonat shoqërohen gjithashtu me themelimin e tempujve dhe krijimin e qyteteve të shumta antike, si Efes, Cyme, Smyrna, Sinope, Myrina, Magnesia dhe Pygela.
Zbulimet arkeologjike të vendeve të varrimit të luftëtareve femra, në stepat euroaziatike sugjerojnë se kulturat e kuajve të Scythëve dhe Hititëve nxitën krijimin e mitit të grave Amazone.
Në vitin 2019, pranë Voronezhit të Rusisë u gjet një varr me breza të shumtë të luftëtareve femra skithe, të armatosura dhe me mburoja ari.
Please follow and like us: