Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kalleshi: ARITMIA KARDIAKE

Aritmia është një çrregullim i ritmit të rrahjeve të zemrës. Gjatë aritmisë, zemra mund të rrahë shumë shpejtë, shumë ngadalë ose me një ritëm të çrregullt.
Rrahja e shpejtë e zemrës quhet takikardi, ndërsa rrahja e ngadaltë quhet bradikardi. Shumica e aritmive janë të padëmshme, por disa mund të jenë mjaft serioze dhe të rrezikojnë jetën. Gjatë aritmisë zemra mund të mos jetë në gjendje të pompojë gjak të mjaftueshëm drejt organizmit. Mungesa e qarkullimit të gjakut mund ta dëmtojë trurin, vetë zemrën dhe organet e tjera.
Një aritmi mund të shkaktohet kur sinjalet elektrike që kontrollojnë rrahjet e zemrës vonohen ose bllokohen. Kjo ndodh kur qelizat e specializuara nervore që prodhojnë sinjalet elektrike nuk punojnë si duhet. Po ashtu, mund të ndodhë nëse sinjalet elektrike nuk udhëtojnë normalisht nëpër zemër.
Duhanpirja, përdorimi i tepruar i alkoolit, përdorimi drogave, përdorimi i pakontrolluar i disa barnave, kafeina dhe nikotina e tepërt mund të shkaktojnë aritmi te disa njerëz. Stresi i madh emocional ose nevrikosja e nxisin zemrën të punojë më shumë, rritin shtypjen e gjakut dhe lëshohen hormonet e stresit – reaksione të cilat mund të çojnë te aritmia.
Infarkti në zemër ose ndonjë gjendje tjetër (shtypja e lartë e gjakut, pamjaftueshmëria e zemrës, çrregullimet e gjëndrës tiroide, sëmundja reumatike e zemrës) që dëmtojnë sistemin përçues të zemrës, po ashtu mund të jetë shkaktar i aritmisë.
Çrregullimet e ritmit të zemrës janë shumë të shpeshta te më të moshuarit, sidomos pas moshës 60 vjeçare. Kjo për faktin se të moshuarit kanë më shumë probleme me sëmundjet tjera të zemrës që çojnë te shfaqja e aritmisë. Ka edhe tipa të aritmive që janë më të shpeshta te fëmijët dhe të rinjtë (takikardia paroksizmale supraventirkulare)
FAKTORËT E RISKUT:
– Infarkti në zemër
– Insuficienca e zemrës dhe kardiomiopatia
– Indi i zemrës i paformuar normalisht
– Çrregullimet e valvulave të zemrës
– Defektet e lindura të zemrës
– Shtypja e lartë e gjakut
– Infeksionet që dëmtojnë muskulin e zemrës
– Diabeti
– Apnea në gjumë
– Gjëndra tiroide hiperaktive ose hipoaktive
– Ndërhyrja kirurgjike
– Disbalanci i disa substancave (si kaliumi)
– Disa lloje të drogave (kokaina, amfetamina)
Please follow and like us: