Albspirit

Media/News/Publishing

71-vjetori i lindjes së poetit martir, ALUSH CANAJ

Sot është 71-vjetori i lindjes  së poetit martir ALUSH CANAJ. Në shenj të kësaj dite sjellim për ju disa lirika të tij që janë margitarë të çmuar në letërsinë tonë dhe e bëjnë të pavdekshëm.

ALUSH CANAJ
ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS
Fusha mbylli sytë
edhe qielli
me këngë t`kaltra.
Vrik erdhi gjumi
më çoi te lumi
era në breg
më mori mbi flatra.
Fluturoja fushës,
fluturoja malit
sikur me raketë!
Pyllit me lulëkuqe
vizatova një mollëkuqe
n`pallat të zambakut
në katin e tretë.
Peshqit në det
më mësuan not
te i Dashurisë Kep.
As vetë nuk e di
si rashë në thellësi.
Ku më puthi nëna,
unë sa një plep!
(1969).
DIMËN
Dimën. Jashtë resh borë,
pranë votrës gjysh Dili.
Lisi ku thurri çerdhen bibili
ngadalë bëhet me kurorë.
Dimën. Jashtë fëmij`t gëzojnë,
gazi i tyre si zogu mbi re,
ti pse rri n`dritare e s`shkon atje?
Ah, çizmet, gjysh, ujin më lëshojnë.
Bora s`di të ndalet, s`ndalet as loja!
Një fëmijë vrapon nëpër erë,
shokun e vet e thërret tek ajo derë,
n`dorë ka një palë k`pucë me toja.
(1968).
KALI I VIZATUAR
E vizatova kalin
me jelën e gjatë,
dhe e lashë në tavolinë.
Kur dola t`i ujis lulet
kali ia kishte dhënë vrapit
 dëgjova një hingëllimë.
Motra më tha:
Vrapoi pas ëndrrave tona,
do të na i sjellë në gjumë.
Atë natë unë e motra
si fluturat ëndërruam shumë.
(1970).
ÇKA I DUHET LULES
Lules i duhet uji,
pa ujë s`mund të rritet.
I duhet dhe dielli
n`luhare të kolovitet.
Ndonjë flutur e kopshtit
krahët me pranverë,
t`ia puth faqet pikaloshe
kur t`i shkoj në derë.
Nuk bën pa puhizën
që shetit nëpër fushë,
e freskon me shami t`vet,
e gicilit në gushë.
Një dorë e vogël piktori
i duhet lules laureshë,
ta pikturojë nga dritarja
sa herë të buzëqesh.
(1971).
HARABELI
Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregoj kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s`shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në tokën e lavdisë,
në zemër të Ilirisë.
(1970).
TE TIRANA
Te Tirana
Nana,
edhe motër Zana.
Atë dimër na ndanë
e lisat i vranë.
Më s`mund të duroj,
Andej do të fluturoj,
aty, ku e kam Nanën,
edhe motrën time, Zanën,
Mëmëdheun,
Skëndërbun.
Nëse ujku më vjen pas
do ta vras.
(1970).
FLAMURI MBI KULLË
Më ndjekin ujqit
për flamurin mbi kullë.
Copa-copa do t`më bajnë
si drenushën e pafajshme,
nëse më kapin në maje të lisit.
Ulurojnë,
lisin duan ta rrëxojnë
po rrënjët e tij thellë në Iliri.
Si lumi kur del nga shtrati
zemërimi rritet e rritet
plasin nga inati
Flamuri mbi kullë valvitet.

Kallnor 1972.

Please follow and like us: