Publikohet libri i ri i Shaban Muratit “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”
Doli nga shtypi libri i ri i ambasadorit dhe studjuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Shaban Murati “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” me sponsorizimin e Fondacionit të mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”.
Është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëria për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot.
Libri përmban analizat profesionale diplomatike të ambasadorit Shaban Murati në harkun kohor të 20 viteve, dedikuar ekskluzivisht politikës ballkanike të Kroacisë dhe efekteve të kësaj politike në planin e marrëdhënieve të atij shteti me shtetet e tjera të rajonit dhe me krejt Ballkanin.
Një bosht kryesor e përbëjnë analizat e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kroacinë, të cilat autori i vlerëson në një plan të gjërë diplomatik, historik, gjeopolitik dhe strategjik për rolin e ri dhe peshën e re, që duhet të marrin marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Kroacin.
Autori rrëfen se qysh në postet e rëndësishme, që ka patur në sistemin e shërbimit të jashtëm të Shqipërisë ka këshilluar dhe ka këmbëngulur në një impostim më realist dhe më efikas të politikës ballkanike të Shqipërisë në një aleancë strategjike me shtetin kroat, me të cilin na lidh anëtarësia e përbashkët në NATO, deti i përbashkët Adriatik dhe një miqësi historike, për të cilën ka shkruar aq shumë albanologu i madh kroat Milan Shuflaj.
Interesi diplomatik dhe gjeopolitik i autorit për vendosjen në plan të parë nga diplomacia jonë në Ballkan të aleancës së duhur strategjike Shqipëri-Kroaci bëhet dukshëm më i qartë në krahasimin me zgjedhjen e gabuar të qeverive dhe të diplomacisë së Shqipërisë, të cilat për motive të paqarta e vendosën aksin e politikës së tyre ballkanike te aleancat e ngushta me Serbinë.
Kjo zgjedhje e gabuar historike u provua një fiasko e plotë për diplomacinë shqiptare, një rrugë humbëse gjeopolitike me dëme të pallogaritëshme për interesat e Kosovës dhe të çeshtjes shqiptare në Ballkan. Libri e shtrin optikën e tij në marrëdhëniet e Kroacisë me shtetet e tjera ballkanike dhe në rradhe të parë me Serbinë si shteti më problematik historik për të gjithë shtetet e rajonit.
Duke zbërthyer aspekte dhe dinamikën e raporteve të tensionuara dhe të konflikteve midis Kroacisë dhe Serbisë në periudhën e pasluftrave të përgjakëshme të Serbisë në ish-Jugosllavi, autori zgjeron kuadrin e analizës së tij gjeopolitike për të kuptuar më mirë lexuesi nevojën e një kthese të madhe në orientimin ballkanik të diplomacisë së Shqipërisë dhe përforcon bindjen pse Shqipëria duhet të ndërtojë marrëdhënie strategjike me Kroacinë dhe jo me Serbinë.
Në analizat e tij për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan autori është përqendruar në ato probleme të mprehta, përplasje dhe ngjarje, të cilat kanë një domethënie diplomatike dhe gjeopolitike jo vetëm për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë, apo të Kroacisë me Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën, Hungarinë, etj, të cilat kanë një efekt direkt ose indirekt në interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Por ato shërbejnë si një udhërrëfyes për zgjidhjet dhe zgjedhjet e Shqipërisë dhe të Kosovës në politikën e tyre rajonale. Sidomos Kosova shpjegon edhe arsyet përse autori mbështet qendrimet dhe politikën e jashtëme kroate kundrejt Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Autori i përmbahet qendrimit se kriza jugosllave ende nuk ka mbaruar, sepse ka lënë pa zgjidhur plot konflikte dhe tensione të trashëguara prej saj, të cilat rrjedhin nga politika recidiviste shoviniste e Serbisë ndaj të gjithë popujve dhe shteteve të Ballkanit, ashtu dhe nga politikat e gabuara dhe indulgjente të diplomacisë europiane ndaj Serbisë.
Në këtë linjë analitike autori shpreh mbështetjen për luftën e drejtë të popullit kroat për çlirimin e territorit të vendit nga agresioni dhe pushtimi serb në gushtin e vitit 1995, të drejtën e Kroacisë për reparacione lufte nga Serbia agresore, për qendrimin e Kroacisë ndaj dënimit të kriminelëve serbë të luftës, etj. tema këto për të cilata analogjia të çon te interesat e Kosovës për të njejtat probleme të trashëguara nga agresioni i Serbisë kundër saj.
Me interes është edhe trajtimi i çeshtjeve të kufijve midis shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia, dhe qendrimit të Kroacise në mosmarrëveshjet kufitare me Serbinë apo me Slloveninë del mësimi për Kosovën për rivendikimet kufitare të Serbisë për marrjen e territorit verior të Kosovës në emër të intrigës së “shkëmbimit të territoreve”.
Libri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” sjell tematikë dhe problematikë të re diplomatike dhe gjeopolitike, si kontribut i ri në korpusin e veprave të autorit për mendimin e ri diplomatik shqiptar.
Në këtë kuadër libri ngjall dhe duhet të ngjallë në rrethet e interesuara diplomatike, zyrtare dhe akademike, një debat për një rivlerësim të orientimeve strategjike në Ballkanin Perndimor, që duhet të ndërmarrin qeveritë dhe diplomacia e Shqipërisë.