SHERAFEDIN KADRIU: SIKUR TË BISEDOJA ME NANËN
(Nanës Terezë)
Do t’i thosha
Për do mote
Të vështira
Duke i pritur do kohë të mira
Kam ngrënë nga buka jote e shenjtë
Nanë
Në njëmijë copa e patëm ndarë heshtjen
Kur ushqenim shpresën e Ditës sonë
Ti
Sintaksën e shqipes e begatoje gjithnjë
Me gjuhët e botës që flisnin për Ty
E ne
Me emrin tënd e ngjitnim Gurin e Sizifit
Për çdo ditë të lume
E s’jepeshim
Se të kishim ty
Kohë që erëmonte
Si Lulja Gonxhe
Në shtëpi
Në rrugë
Kudo
Buzëqeshja ndriste si drita e Hyjit
Në fytyrat e heroizmit modern
Me shembullin tënd
E me bukurinë e Lutjes përballë ankthit të kohës
Ia hapëm portën Lirisë
Tani
Përmes dritës së përjetësisë
Nga qiejt që s’preken
Emri Yt
Mbi harresën tonë orë e çast dritëson.
Please follow and like us: