Albspirit

Media/News/Publishing

ZOICA HAXHO, IKONË E BALETIT SHQIPTAR

Zoica Haxho është një ndër të parat pioniere të këtij arti, që për vite me radhë ishte prima balerinë e TOB. Një artiste që me punën dhe artin e saj konsolidoi baletin shqiptar.
Pasi kreu studimet për balet së bashku me një grup shokësh në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956, emërohet balerinë në TOB. Si balerinë përveç disa numrave koreografikë në Shkollën Koreografike të Moskës, kontaktin e parë me skenën shqiptare Zoica e ka në vitin 1957, në baletin “Kujdesi i kotë”, ku interpreton plot finesë rolin e Lizës. Ajo ka një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, që nga dalja e parë e deri në daljen në pension.
Ka realizuar një galeri të pasur rolesh kryesorë si në baletet e huaja, ashtu edhe ato kombëtare. Krijoi në mendjen e spektatorit personazhe të paharruar me plastikën e lojën e saj në interpretim.
Kështu përmendim role me peshë si Lola në baletin “Lola”; Fadeta e baletit me të njëjtin emër; Franceska, në “Françeska da Rimini”; Hajria, në baletin “Halili dhe Hajria”; Delina nga baleti “Delina”, Zogu, në baletin “Petja dhe ujku”; Muza, në “Paganini”; Cuca, në baletin “Cuca e maleve”, Rina, në baleti “Historia e një kënge”; Nica, nga baleti “Tokë e pamposhtur”; etj. Zoica ka marrë pjesë në rreth 20 premiera baleti dhe kjo tregon për klasin e saj të lartë të interpretimit. Zoica i është përkushtuar gjithashtu edhe punës pedagogjike në shkollën e baletit.
Please follow and like us: