Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: GONXHE BOJAXHIU – KUNDËR GJITHË BOTËS

Nënë Tereza u lind në një tokë ku gratë nuk priteshin të kishin asnjë rol publik. Në një botë burrash, në një cep tragjik të rruzullit.
Ajo zgjodhi një profesion, që jo vetëm që nuk të bën të njohur, po ku shumica e murgeshave mbeten thjesht uniforma, pa emër, pa fytyrë, shërbyese të përjetshme të pavlerësuara, relike të një të një bote që po ikën në mos ka ikur.
Ajo i shërbeu një Kishe e cila nuk ka vend për figura publike femërore, një institucion burrash, kur gratë që shërbejnë në manastire e urdhëra fetarë kanë role gjithashtu të kufizuara. Ajo themeloi një urdhër të ri, jashtë skemave të pritshme nga Kisha, në një institucion që i dekurajon nisma të tilla, që le pak vend për dalje nga shabllonet e përcaktuara shumë kohë më parë.
Ajo ia filloi me nismën e saj humanitare e shpirtërore, në një kohë që materializmi shpërtheu si kurrë më parë në historinë e njeriut e cinizmi ishte në rend të ditës. Ajo shkoi aty ky edhe humanitarët më vetësakrifikues refuzonin të shkonin.
Një figurë fetare, në një botë gjithnjë e më shumë laike e shekullare. Që shkoi drejt Lindjes kur gjithshka shkonte drejt Perëndimit, që u kopsit më shumë kur të gjithë filluan të zhvishen, një copëz kontraverse mesjete në një botë postmoderne.
Kur e shoh në faqen e parë të një gazete si “The New York Times”, si kryelajm botëror të ditës, njoftimin e vdekjes së saj, mrekullohem jo për gjestet humanitare, për kombësinë shqiptare, për shenjtërinë e premtuar nga Kisha Katolike, për Nobelin e Paqes që i dhanë etj, por që ia doli mbanë kundër të gjitha gjasave.
Mrekullohem që kjo grua me shtat të vogël e destinuar të humbiste pa emër e pa histori ia doli ta bënte të gjithë botën që të kthente kokën.
Sot, kur e nderojmë si humanitare të madhe, si shenjtore katolike, si nobeliste, si bijë të kombit shqiptar, si qytetare indiane në një vend ku gjithashtu katolikët nuk priten të fitojnë emër, harrojmë që jeta e saj ishte si një rendje në një korridor pafund dyersh të mbyllura. Disa prej tyre ia mbyllën në fytyrë ata që sot krenohen me të më shumë.
Sigurisht, shyqyr që mund të justifikohemi me diktaturën e Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë dhe e kemi hequr nga vetja përgjegjësinë që nuk e lamë të shihte për herë të fundit nënën dhe motrën e saj para se të vdiste. Që delegacioni shqiptar doli në mënyrë demonstrative nga salla e Asamblesë Kombëtare kur do të fliste Nënë Tereza etj.
Do ta gjejmë një justifikim edhe për disa idiotë të rinj shqiptarë që nuk kanë mjaftueshëm neurone në tru për të respektuar njëkohësisht edhe fenë e tyre edhe këtë grua, që u ndihmoi miliona myslimanëve në pikë të hallit, të cilëve bashkëfetarët nuk u kishin gjetur derman, e nuk ftoi asnjë mysliman të vetëm ta kthente në katolik. Asnjë ditëzi të varfër në fund të jetës, apo në fund të mjeteve të mbijetesës, pa strehë e pa ushqim, nuk e shtyu që të konvertohej.
Konfliktet e saj në konviktet e murgeshave janë vështirë për t’u zbuluar, megjithëse Gëzim Alpion, në librin e tij të fundit hedh dritë më në fund mbi këtë kapitull.
Nënë Tereza ishte sigurisht një rebele, një kryengritëse në Kishën Katolike, një bezdi që do të kishin dashur të ikte tutje, po që luftonte nga një llogore ku nuk mund ta mposhtje dot. Nga lebrozët e të sëmurët e çasteve të fundit të jetës. Ishte e pathyeshme mes atyre që dergjeshin në fund të jetës e për të cilët kishte krijuar sistemin që i mblidhte nëpër qytet për t’u dhënë mundësinë që të vdisnin si njerëz. Kishin jetuar në mizerie, të paktën të vdisnin me dinjitet. Çfarë koncepti që shkon përtej fesë e banalizimit të jetës në tokë.
Çfarë përmbysje me mediat që për dekada kishin preferuar dalldinë tabloide të figurave vezulluese të spektaklit perëndimor. Ajo ishte gjithshka që kishin përbuzur e mënjanuar për dekada. E vjetra, e pabukura, e pabujshmja, e palakmueshmja. Me histori të mërzitshme vuajtjesh që nuk kanë zgjidhje, pa funde të lumtura e kthesa misterioze. Në fund, kontrasti me botën e re u bë tepër i padurueshëm për t’u shpërfillur.
Është e vërtetë se kishte diçka prej spektatorit të cirkut në vëmendjen e tyre për gruan e çuditshme nga Kalkuta. Iu vërsulën me kamera si i vërsulen një kafshe të rrallë, një krijese absurde apo anormale. Por mania pas saj vetëm u rrit. Historia e Nënë Terezës, në dritën e publikut është një lloj triumfi më vete. Pas përqafimit nga Papa Gjon Pali (një tjetër “i jashtëm” që ishte ngritur në krye të Kishës Katolike – i pari Papë joitalian pas 400 vitesh) pas Nobelit për Paqe, fama e saj ishte çimentuar.
Ajo e shfrytëzoi vëmendjen botërore në mënyrë të jashtëzakonshme duke bërë një tjetër çudi më vete. Nënë Tereza dëshmoi se ishte gati dhe për këtë fazë, kur të them të drejtën humbasin e mbyten shumë nga heronjtë realë. Ky administrim i jashtëzakonshëm i suksesit dhe famës i krijoi edhe armiq të rinj e të përjetshëm. Nënë Tereza krijoi një Urdhër mbarëbotëror me misionet e saj. Krijoi një rrjet fondmbledhës miliardash, u takua dhe ndikoi në jetën e shumë figurave të mëdha politike të botës, përfshi edhe disa presidentë amerikanë. Ishte e pamundur që ajo të ruante admirimin e kujtdo, në këtë balet të paparë diplomatik që duhet të bënte në pleqëri, duke mbetur njëkohësisht nëna e dhembshur e gjirizeve të Kalkutës dhe figura ndikuese e kryepolitikanëve të botës.
Si i realizoi të gjitha është një temë debati që mund të mos mbarojë kurrë. Po sikur asgjë të mos dish për këtë grua të paharrueshme, mjafton të kujtosh se ku u lind e në çfarë kohe dhe ku përfundoi rruga e saj për marrë me mend se e sfidoi fatin në çdo hap, duke refuzuar rregullat e lojës e fatin e përcaktuar, duke sfiduar realitetet ku e vendosi jeta, e në fund duke triumfuar e adhuruar nga ata që e ndalën, bllokuan, refuzuan, shanë, kritikuan, injoruan e tallën.
Ajo është shpallur shenjtore nga Kisha Katolike për mrekullitë që thuhet se ka bërë sipas protokollit të Vatikanit, po nga një pikëvështrim tjetër, mrekullia më e madhe është suksesi i saj personal, suksesi i një gruaje shtatvogël po me vullnet gjigand që nuk mbeti gruaja e ndonjë dinjitari lokal të Ballkanit, as ndonjë murgeshë e harruar e Motrave të Loretos, as një humaniste e harruar skutave të Kalkutës, ndonjë prej dhjetëra laureatëve të harruar të Nobelit e çmimeve të tjera. Ajo theu të gjitha parashikimet. Të gjitha fundet e pritshme të jetës së një gruaje të lindur në Ballkanin e fillimit të shekullit 20. Besoi te ylli i saj polar, te një përfytyrim e imagjinim jashtëzakonisht personal i figurës së Jezu Krishtit, te misioni i saj në jetë, duke mos u ndalur as nga urrejtja e as nga dashuria e atyre që e rrethuan, as nga rregullat e kufizimet, as nga familja, shoqëria, komuniteti, kisha e mbarë njerëzimi. E rrotulloi botën andej nga deshi dhe e bëri që të mos e harrojë kurrë.

Please follow and like us: