Albspirit

Media/News/Publishing

Naum Prifti: Festimet verore në Rehovë

Kënaqësia e çdo tavoline është shoqëria ku biseda rrjedh fjollë dhe kënga nis nga qejfi. Për sa i takon mishrave, për mendimin tim, vështirë të gjesh më të shijshëm se ai i qengjit i pjekur në hell, nën hijen e dendur të një peme, pranë një burimi me ujë të ftohtë.

Qysh nga koha e studimeve në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, 1948-1952, kthimi në fshat ishte rituali i verës. Pasi mbarova shkollën dhe punova një vit si ndihmës-mjek në Sanatoriumin e Korçës, unë u shpërngula përgjithmonë në Tiranë. Ndonëse aty punova e banova për rreth 40 vjet, vajtjen për disa javë pushimi në Revohë e bëra rregull që nuk e shkela kurrë. Kur lindën vajzat dhe familja u shtua, shkoja në fshat bashkë me Rinën dhe pasardhëset e mia. Dëshiroja me gjithë zemër që edhe ato ta shihnin me sytë e mi Rehovën si vend me bukuri të rrallë, me njerëz punëtorë e të afrueshëm. Ndryshe nga jeta në kryeqytet, në fshatin rrëzë Gramozit ato mund të vaditnin kopshtin prapa shtëpisë, të prashitnin domatet e reja, të vilnin qershitë, të loznin me qenin e pulat e të milnin lopën apo delet në patos së bashku me kushërirat e tyre të shtëpisë. Fshati ka punë të lodhshme por edhe gëzimprurëse. Kisha dëshirë të kënaqeshin por edhe ta donin e ta çmonin vendlindjen time aq sa edhe unë madje të luteshin vetë të shkonin aty për pushimet verore. Unë u rrita në fshat dhe e doja natyrën me përkushtim. E pohoj se kjo nuk do të thotë se kushdo që rritet aty e adhuron bukurinë e madhështinë e saj por për mua ishte e vërtetë.

Sot mendoj se pjesë e pandarë e lidhjes së fortë me natyrën ishte shoqëria e fshatit – shokët e mi që më prisnin me gëzim të sinqertë e donin të më kënaqnim sa më shumë. Edhe unë doja t’i kënaqja e të çmallesha me ta. Në mendje kisha një listë rrëfenjash interesante nga ngjarjet në kryeqytet apo nga vende të tjera ku kisha shkuar me shërbim. Ua tregoja me humor edhe kur ishin tragjiko-komike si vetë jeta jonë e ata qeshnin.

Vajtja ime në Rehovë ishte ‘sebepi’ për një piknik ku piqnim mish qengji në hell me shokët e mi të vjetër dhe kolonjarë, diçka që nuk mund të bëhej në Tiranë. Pikniku me mish qengji të pjekur në hell u kthye në një traditë të shumëpritur dhe fort të pëlqyer. Ata dhe unë e prisnim me padurim verën për t’u takuar e çmallur e për të shijuar ngrënien e veçantë. Mesa duket kjo ishte “traditë e re” e krijuar nga grupi ynë sepse më përpara nuk ishte praktikuar në fshatin tonë. Shokët e kushërinjtë e mi, të gjithë pak a shumë moshatarë, mblidhnin paratë e blinin qengjin më të mirë. Nuk pranonin në asnjë mënyrë që unë të kontribuoja për këtë shpenzim. Dreka bëhej me harxhet e tyre. E dija se e këtë e bënin sepse më donin e më nderonin por mua do të më pëlqente të ishim të barabartë në pjesëtimet e parave. Megjithatë ata e gjykonin ndryshe dhe unë nuk doja t’i “fyeja” apo tu prishja gëzimin që ndjenin për të gjitha përgatitjet e piknikut. Mua më thoshin të vija me duar në xhepa e me oreks të hapur që të haja sa më shumë. Ashtu bëja por me vete merrja një shishe raki apo verë që më të shumtën e rasteve e sillja nga Tirana.

Në Rehovë kishte plot vende të mira për piknik në natyrë por më i preferuari nga të gjithë qe manastiri i Shën Pjetrit – një kishë thuajse e braktisur në lindje të fshatit, rrëzë maleve të Gramozit, rreth dy kilometra larg Rehovës. Aty kishte pemë hijedendura, ku mund ta piqje mishin duke rrotulluar hellin pa u shqetësuar nga vapa. Pranë tij ndodhej, për fat të mirë, edhe një burim me ujë të ftohtë, element i domosdoshëm dhe praktik për festa me gatime të tilla. Ujët të freskonte dhe të ripërtërinte kënaqësinë të këputje copa të tjera nga qengji i pjekur në hell.

Shoqëria jonë ishte formuar qëkurse shkonin në shkollën fillore të fshatit, nga koha e lojërave nëpër fusha a buzë lumit, nga vajtjet për dru në pyll etj. Ishte një shoqëri e vjetër dhe e mbyllur në rrethin tonë. Në atë shoqëri nuk hyje dot kollaj. Aty bënin pjesë Llambi i Andresë, të cilit i pëlqente të jepte urdhra e të komandonte pa e ngarkuar kush me atë detyrë. Rokoja i Minait, kushëriri i tij më i vogël në moshë, Nikoja i Stefanit, Petraq Teloja ose Petraqi i Gaqit sikurse i thoshim ne, Stavro Birboja dhe natyrisht Xhoxhi Note dhe Jorgji i Dafos që shërbente edhe si kasap e zgjidhte qengjin dhe si i tillë kishte pozitë zotëruese. Gjini i Cacit, Piro Prifti e rrallë e tek edhe ndonjë moshatar nga mëhalla e mesit si Vasili ose Stefan Qirjaqi, si edhe Piro Qirici ose Piroja i Pandilit, sikurse e thërrisnim ne.

Mbaj mend se në darkë, kur ktheheshim në klubin e fshatit të pinin kafenë e festës, flisnim e qeshnim me zë të lartë nga të ngrënët e të pirët. I ndjeja vështrimet ziliqare dhe inatçore të moshatarëve, të cilët ne nuk i bënin ‘kabull’ t’i pranonim në shoqërinë tonë të zgjedhur e të mbyllur hermetikisht. Jo sepse e quanim veten më të lartë se ta, po sepse nuk i njihnim në një ambient të tillë. Vitet e pas luftës e periudha socialiste na kishin mësuar të ishim të kujdesshëm në mbajtjen e shoqërisë sidomos pas hedhjes së disa kupave ku gjuha lirohej dhe e vërteta dilte në dritë jo ashtu si donte apo priste pushteti.

Ndonjëherë ndodhte edhe ndonjë përjashtim. Një vit erdhi me ne edhe Zyrja Malo. Ai ishte vëllai i Javerit, ambasadorit tonë në Paris. Por në rrethin tonë nuk kishte vlerë pozita. Rëndësi kishte besimi midis shokëve dhe siguria se çfarë llapnim para apo pas rakisë e ngrënies së qengjit nuk e linin rrethin tonë. Edhe këngët nuk zgjidheshin nga përmbajtja e tyre patriotike por nga shija jonë. Kurrë nuk këndonim e nuk ngrinim dolli për partine apo Enverin. Syrja Malo erdhi me grupin tonë sepse po kalonte pushimet në shtëpinë e baxhanakut të tij Xhoxhi Note. Xhoxhi nuk mund ta linte në shtëpi e vetë të shkonte me shoqërinë në festë. Prania e Syrjait nuk u vu re sepse ai ishte një burrë i qetë e fjalëpakë. Më shumë nga të gjitha binte në sy gjatësia e tij. Hëngrëm e pimë, kënduam e treguam shakara e u kënaqëm nën hijen e pemës në Shën Pjetër, me flladin që vinte nga mali i Gramozit, mes zogjve e gjinkallave që në verë kanë orkestrën e tyre. Ndjehesha se rinohesha nga ky ritual i vogël me shokët e fëminisë në fshatin tim të lindjes.

Fotografitë bardhezi të asaj kohe më kthejnë në ato vite dhe në atë vend, te aroma e mishit të qengjit dhe meloditë e këngëve kolonjare. Edhe pse unë si fotografi i disave prej tyre nuk jam në to, secila më mbush me përmallim për miqtë dhe Rehovën time.

Please follow and like us: