Albspirit

Media/News/Publishing

22 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA

Amerikanët po kujtojnë 11 shtatorin, sulmin terrorist më vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë bashkë këtë të hënë në memorialet në nderim të viktimave, duke ndezur qirinj, përmes punëve vullnetare dhe homazheve të tjera.

2,977 persoa humbën jetën nga sulmet me 4 avionët e rrëmbyer në 11 shtator të vitit 2001.

Numri më i lartë i viktimave u shënua në Nju Jork.

Veç 2753 personave që vdiqën atë ditë në Manhattan, qindra mijëra njerëz që jetojnë atje janë ekspozuar ndaj ajrit të ndotur dhe mbetjeve si pasojë e sulmeve. Qindra vetë kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me 11 shtatorin.

Ceremonitë përkujtimore nisën në të ashtuquajturën pikën zero në Nju Jork, ku kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën nga goditja e avionëve të rrëmbyer.

Sulmi i parë u krye në orën 8:46.

Pas rreth 15 minutash, në orën 09:03, u godit kulla e dytë.

Në ceremoninë e zhvilluar në Muzeun Kombëtar “11 shtatori” në Nju Jork mori pjesë nën presidentja Kamala Harris. Sipas traditës, në përkujtimore nuk fjalime, por lexohen me zë të lartë emrat e viktimave.

Në Pentagon përkujtohen 184 personat që humbën jetën kur një avion i American Airlines goditi selinë qendrore të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Në Shanksville të Pensilvanisë, në nderim të 40 viktimave mbahen homazhe pranë Memorialit Kombëtar Fluturimi 93.

Avioni i rrëmbyer nga terroristët u rrëzua pas rezistencës së pasagjerëve. Sipas hetimeve të mëpasshme, objektivi i tij mund të kishte qenë Shtëpia e Bardhë ose Kapitoli.

Sulmet u planifikuan nga Afganistani nga grupi terrorist Al Qaeda.

Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën duke nisur luftën në Afganistan ndërsa në 2011 trupat amerikane vranë udhëheqësin e Al Qaedas, Osama Bin Laden në Pakistan.

Sulmet terroriste mbeten një nga ngjarjet më traumatike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por mbarë botën.

Ato nxitën “luftë kundër terrorizmit” nga Shtetet e Bashkuara, transformuan politikën e sigurisë kombëtare, ngjallën ndenjën e bashkimit tek amerikanët, por gjithashtu ndryshuan jetën e familjarëve të viktimave dhe ekipeve të shpëtimit të cilët u shërbyen bashkëkombësve të tyre 11 shtatorin e 22 viteve më parë./zeri i amerikes

Please follow and like us: