Albspirit

Media/News/Publishing

Rregullorja e parë e biçikletave në Shqipëri e përpiluar nga prefekti i Korçës, shkodrani Hil Mosi në vitin 1926

Hasan Bello
Një nga personalitetet e njohura të administratës shqiptare është Hil Mosi (1883-1933). Mësimet e para ai i mori në shkollën teknike italiane dhe në kolegjin e jezuitëve në Shkodër, për t`i vijuar më pas në Klagenfurt të Austrisë. Që në këtë periudhë ai do të angazhohet në Lëvizjen Kombëtare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm si publicist dhe organizator i klubeve studentore.
Në vitin 1908, Hila u kthye në Shkodër ku themeloi klubin “Gegnija” si përfaqësues i të cilit mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
Bashkëpunimi i tij me personalitete të njohur si Dervish Hima bëri që gjatë viteve 1910-1911 ai të vendosej në Stamboll për të botuar gazetën “Shqiptari”.
Në vitet e pavarësisë ai do të jetë pjesëmarrës në disa ngjarje të rëndësishme, siç ishte Kongresi i Triestes i vitit 1913, i nxitur nga Austro-Hungaria.
Në vitin 1914, Hil Mosi do të kthehet në Shkodër ku do të zgjidhet kryetar i shoqërisë “Klubi Lidhja Kombëtare”. Në vitet 1914-1916 ai do të emërohet drejtor i policisë në Durrës e Shkodër. Në vitet 20-30 H.Mosi do të zgjidhet disa herë deputet, ministër i Arsimit, i Punëve Botore dhe prefekt.
Në detyrën e prefektit ai shërbeu disa herë në Korçë dhe një herë në Gjirokastër ku u shqua si drejtues i zoti duke vendosur norma të ngjashme me ato të qyteteve austriake. Kjo vihet re dhe nga rregullorja e parë e biçikletave në Shqipëri, të cilën ai e hartoi kur ishte prefekt i Korçës.
Sipas një shkrese që i dërgonte Ministrisë së Brendshme më 15 janar 1926, ai e vinte në dijeni këtë dikaster se për shkak të disa incidenteve të vogla që kishin ndodhur në qytetin e Korçës nga biçiklistë të pastërvitur mirë, e kishte parë të arsyeshme të miratonte një rregullore.
Sipas saj, çdo biçikletë duhej protokolluar në Bashki me një numër i cili do të vendosej prapa saj; ajo duhej të ishte e pajisur me bori, për të sinjalizuar këmbësorët; të kishte një llambë për tu ndezur në mbrëmje ose kur kishte mjegull. Biçikletat nuk duheshin përdorur kur kishte fëmijë, në raste tubimesh ose festash; ata që nuk kishin fituar aftësitë e nevojshme, nuk duhej ta përdornin biçikletën në qytet; ndërsa për fillestarët kërkohej që ta mësonin në periferi. Shkelja e kësaj rregulloreje parashikonte gjoba dhe masa të tjera administrative.
Rregullore dhe procedura të tjera të ngjashme për mbarëvajtjen e përdoruesve të biçikletave në kryeqytet do të përpilohen edhe në vitet në vazhdim. Por e para mbetet ajo e Hil Mosit në vitin 1926.
Please follow and like us: