Albspirit

Media/News/Publishing

Hovenier: SHBA ka besim të plotë në ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve Kosovë – Serbi

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin evropian, Miroslav Lajçak, si ndërmjetësues në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Komentet e tij pasuan kritikat e kryeministri të Kosovës Albin Kurti, i cili fajësoi të dërguarin evropian Lajçak për dështimin e bisedimeve të javës së kaluar, duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.

“Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian dhe rolin e tij në ndërmjetësimin e dialogut dhe kanë besim të plotë në përfaqësuesin e lartë (Josep) Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm evropian (Miroslav) Lajçak, si zbatues objektiv të kësaj politike”, tha ai.

Ambasadori Hovenier tha se nuk është fshehtësi që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e shohin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si mënyrën më të mirë dhe të vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon.

“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë, të luajnë poker me letrat që u kanë rënë dhe të kenë në mendje këtë pikëpamje, të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”, tha ambasadori Hovenier.

“Qëllimi i Shteteve të Bashkuara mbetet i qartë, kjo marrëveshje aktuale dhe këto përpjekje për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve paraqesin një hap të ndërmjetëm drejt qëllimit përfundimtar për njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe kjo duhet të ndodhë sepse nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se dështimi për të arritur normalizimin e marrëdhënieve mbetet një pengesë e madhe për përparimin e rajonit në rrugën evropiane dhe euroatlantike.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente në hapje të Samitit të Paqes dhe Demokracisë, i organizuar nga organizatat e shoqërisë civile shqiptare dhe serbe me temën “Të ëndërrojmë (të pamundurën): Ballkani Perëndimor i lirë nga situata krize dhe në një rrugë drejt integrimit bashkëpunues”.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin shkurt në Bruksel dhe në muajin mars në Ohër për një marrëveshje të mbështetur në një plan evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe parasheh përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të përshpejtojnë procesin e normalizimit mes shqetësimeve se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konfliktet etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë.

Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar me mungesën e zbatimit të zotimeve të Kosovës e Serbisë në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke bërë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në bisedime përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Please follow and like us: