Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: PËRRALLAT E LASHTA TË KAZAKISTANIT

 

Plaku Kanbak

 

Përktheu: Agim Xh. Dëshnica  

 

Te një fshat, te një kasolle pranë liqenit, jetonte një plak i çuditshëm dhe i zgjuar. E quanin Abai, por njerëzit ia kishin ngjitur Kanbak, që do të thotë fluturak.

Plaku merrej vetëm me gjah e me peshkim. Mezi mbahej mbi tokë, se qenkej aq i lehtë, sa çdo erë e ngrinte lart, e merrte me vete dhe e shtynte tej.

Armiku më i prapë i tij ishte dhelpra dinake. Ajo ia nxinte jetën. Ia rrëmbente patjetër një peshk, edhe kur ai zinte vetëm dy. Ndaj, njëherë Kanbaku mendoi të ikte larg fshatit, larg dinakes vjedharake.

Mblodhi plaçkat, një shakull me gjizë, ca peshq të tharë në një torbë, i hodhi mbi shpinë dhe u nis për udhë.

Ecën një ditë, dy. Lodhja e mposhti. Atëhere i vuri plaçkat, bashkë me shakullin me gjizë e peshqit e tharë në një gropë. Por, kur u lirua nga ngarkesa e u bë i lehtë si gjithnjë, era e ngriti sipër tokës. Dhe, si u mërzit me plakun, e vërviti në një grykë mali, pranë këmbëve të një vigani, që mbante ndër duar dy kodra dhe i përplaste njërën me tjetrën.

-Nga vjen e ku shkon, o plakush? – e pyeti ai Kanbakun me një zë të trashë, që dukej sikur dilte nga ndonjë shpellë.

– Po ja, si të të them! Bota është e madhe dhe rrugë ka shumë. Kreshnikun e maleve më s’e pres. Do të bëhem vetë kreshnik! – ia priti me dinakëri Fluturaku.

-Oho! Ti, me sa po kuptoj, na qenke çudibërës! – tha vigani dhe qeshi me të madhe, sa malet nisën të shembeshin. – A ke dëshirë të matemi e të shohim se kush është më i fuqishëm, unë apo ti?

Ndërkaq, ai shkuli një shkëmb, e hodhi gjer në gjysmë të qiellit dhe e priti si top të lehtë.

– Hë, plako, si t’u duk? Tashti radhën e ke ti. Pa na trego se ç’mund të bësh!

Kanbaku u frikësua, por veten nuk e dha. U kap pas një cope guri dy herë sa vetja. Pastaj vështroi i shqetësuar herë qiellin, herë tokën.

-Hë, de, pse vonohesh? Ç’pret! Hidhe! – thirri me padurim vigani.

Plaku vështroi sërish qiellin e tokën dhe tha:

-Kam frikë!

Viganit i shpërtheu përsëri një e qeshur e fortë sa u tundën malet. Por Kanbaku s’i vuri vesh. ia ktheu:

-Dëgjo këtu, dëgjo! Nëse këtë gur e hedh lart, qielli do të përmbyset dhe do të rrëzohet në tokë. Dhe nëse qiellin nuk e pres e nuk e mbaj dot mbi shpatullat e mia, do të bëhet hataja. Toka bashkë me detet do të përmbysen.

Vigani u tmerrua si as ndonjëherë. ia kapi dorën Fluturakut dhe iu lut:

-Aman, madhëri, lëre, mos! E pranoj fuqinë tënde. Mos e hidh gurin, se përndryshe mbaruam!

Kanbaku kuptoi se vigani qenkësh i trashë nga trutë! I tha:

-Mirë, mirë! Ec të nxjerrim tani të brendshmet e barkut të tokës, tek do të të tregoj unë!

Vigani kërceu dhe e goditi tokën me aq fuqi sa që u zhyt deri në gjunjë, po s’doli gjë. Kurse plaku vrapoi dhe e goditi tokën bash te vendi, ku kishte groposur gjizën dhe peshqit e tharë.

Vështroi me habi vigani se si dolën peshq në sipërfaqe.

“Ou! Me këtë plakush s’paska shaka! Ky bëka mrekullira! Iu dashka sjellë me përulje e nderim këtij”! – mendoi dhe iu nënshtrua urdhërave të Kanbakut.

Plaku në atë kohë tha:

-Për sot mjaft u mora me ty! Nesër, nëse ke shokë, eja tok me ta tek unë! Ta bëjmë ndonjë lojë tjetër!

Vigani u takua të nesërmen me dhelprën, i tregoi çudirat e plakut dhe i qau hallin për tmerrin e madh, që e kishte pushtuar prej tij.

-Po tashti, nga kështu? Pse vrapon, sa s’po thyhen qafën!?- e pyeti dhelpra.

-Për tek ai, de. Se i kam thënë që do të vete ta takoj. S’ma mban ta gënjej!

-Aha! E paske gjetur njeriun, nga duhet të kesh frikë! A nuk shkojmë të dy, se dua t’ia ndreq samarin?

-Po mirë, hajde! Dhe të shohim ç’do të bësh!

Kanbaku i pa për së largu dhe thirri:

-Ej, dhelpër! Ku je ti!? Gjyshi yt më ka shumë borxhe. Dhe yt atë po ashtu! Dua të m’i shlyesh ti, por të vish tek unë jo veç me një vigan, por me më shumë, se vetëm njëri s’më mjafton!

Dëgjoi vigani fjalët e plakut Kanbak, e kapi prej fyti dhelprën dhe iu hakërrua:

-Deshe të ma hidhje, hë!? Të më dorëzoje tek ai si dëmshpërblim për borxhet e gjyshit dhe të babait tënd, hë!?

Ai e kapi atë për bishti, e rrotulloi disa herë mbi kokë dhe e përplasi me fuqi tej lumit, në faqen thikë të një mali shkëmbor. Dhe ajo i lahu hesapet.

Ja, kështu shpëtoi plaku i zgjuar Kanbak nga armiqtë e vet, vigani mendjetrashë dhe dhelpra dinake.

Po e besuat, dijeni se është përrallë! Por, me që kuptohet lehtë se përrallë është, atëhere mos e besoni!

Please follow and like us: