Albspirit

Media/News/Publishing

GJAKU I ANTIFASHISTËVE SHQIPTARË NË VENAT E SPANJËS

(Në përkujtim të heroit dhe dëshmorit Asim Vokshit (1909-4.10.1937) dhe 14 dëshmorëve të tjerë, si dhe 70 luftëtarëve vullnetarë nga trojet shqiptare pjesëmarrës në përballjen me diktaturën e egër europiane në Spanjë të Francisko Frankos. Asim Ali Vokshi është shpallur me titullin e lartë  “Hero i Popullit”, më 10.07.1949 nga Kuvendi Popullor, ndërsa me Vendim nr. 02 datë 18. 01. 1983 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” i akorduar titullin sublim për të rënët e kombit “Dëshmor”)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Kushtrimi luftarak i elitës intektuale për rrezikun fashist

Lufta në Spanjë më 1936 përbashkoi 53 kombe nga e gjithë bota me rreth armatën e madhe të antifashistëve të globit me rreth 60.000 vullnetarë ndërkombëtarë. Edhe shqiptarët nuk kishte si të mungonin në luftën atifashiste në tokën spanjolle. Përbashkimi i më se 70 luftëtarëve shqiptarë në luftën e përgjakshme kundër diktaturës së Frankos ku u vranë më se dy miljonë njerëz nga në shumë se 50 vende të botës është një ngjarje kulmore e shekullit të XX-të. Janë me dhjetra e qindra publikime në mbarë botën që i kushtohen kësaj lufte që edhe pse u zhvillua në Spanjë mori përmasa të përbotshme sepse luftohej kundër ideologjive totalitare, të nazizmit dhe fashizmit. Fashizmi që ishte si “trend europian” i mendjelehtësisë fillimisht, u shndrua në tmerr i njerëzimit. Prandaj antifashizmi dhe antifashistët ishin vizionarët e vërtetë që dinin ta lexonin të ardhmen dhe rrezikun që i kanosej njerëzimit. Kushtrimi luftarak i elitës intelektuale dhe jo vetëm lexohej në sytë e rinisë dhe intelektualizmit të kohës që nga të katër anët e globit i erdhën në ndihmë popullit spanjoll, për të përballuar të keqen e madhe, të reve të zeza që silleshin si fantazmë përmbi Europë dhe jo vetëm. Vullnetarët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë pjesë e Brigadave Ndërkombëtare në Spanjë kishin një devizë sublime të solidaritetit ndërkombëtar të popujve, që do të thotë se, ”Të mbrosh lirinë e tjetrit, do të thotë; të mos pranosh pushtimin tënd”, pushtim që për shqiptarët po përgatitej në “kuzhinën” e Romës sikurse ndodhi në fakt më 7 prillin e 1939-ës.

 

Marrëdhënie historike të shqiptarëve e spanjollëve dhe sfida ndaj fashizmit

Konteksti historik i marrëdhënieve të popullit spanjoll e atij shqiptar vlerësohet që nëbashkëpunimin e hershëm të mbretit spanjoll Alfonsi V (1396-1458) me Princin e Epirit Gjergj Arianitin e më pas me Gjergj Kastrioti-Skënderbeun (1405-1468) në luftën kundër pushtuesit osman gjatë mesit të shekullin XV. Studjuesit e historisëshqiptarë e të huaj kanë vlerësuar kontributin e Alfonsit V me drithëra buke, municion dhe fuqi ushtarake njerëzore, shumë prej të cilëve ranë heroikisht krah shqiptarëve në Krujë, në betejën e Beratit etj. Fan S. Noli shkruante: “Alfonsi V-tëishte miku më i ngushtë dhe mbrojtësi më besnik i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilin e kishte ndihmuar me dorë të hapur në disa raste kritike…” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ndihmoi të birin e Alfonsit XV, Ferdinandin, në momentet më tëvështira, që të ruante kurorën atërore të Mbretërisë së Napolit dhe “ai i qëndroi mirënjohës tërë jetën Skënderbeut”, duke e quajtur si ‘‘baba”. Vlera e miqësisë së Gjergj Kastriotit ishte veçanërisht në mbrojtje të lirisë dhe të qytetërimit europian. Aspeti tjetër ku shqiptarët e treguan fuqishëm vlerat e tyre kombëtare të solidaritetit ishte vëllazërimi i popujve në Spanjë, që u kthye në një sfidë ndaj fashizmit. Periudha e dytë e kontakteve historike midis dy popujve i takon pragut të Luftës së Dytë Botërore kur koalicioni nazi-fashist, pasi kreu puçin ushtarak në Marokun spanjoll, më 18 korrik 1936, nisi agresionin ushtarak kundër qeverisë legjitime spanjolle duke shkaktuar tragjedinë më të madhe kombëtare, luftën e përgjakshme civile. Kështu që thirrjes së spanjollëve të ndershëm: ‘‘Popuj të botës, ndihmomëni! Fashizmi po na mbyt!’’ iu përgjegjën të gjitha shtresat përparimtare të popujve anembanë botës, tëvullnetarëve nga 53 vende, dhe mbi 70 luftëtarë vullnetarë nga trojet shqiptare. Ishin antifashistë shqiptarë që shtrënguan duart e zemrat në “ombrellën e vëllazërimit të popujvedhe kombeve të botës”. Betimi i antifashistëve: ‘Vdekje fashizmit! – Liri Popullit”, lindi pikërisht në zjarrin e luftës për lirinë e popullit spanjoll por dhe e popujve të tjerë të botës që u kërcënuan seriozisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Për herë të parë në historinë e njerëzimit popujt nga e tërë bota, u solidarizuan në luftën kundër rrezikut të përbashkët fashist, që po kërcënonte planetin tonë.

 

Brigadat luftarake Ndërkombëtare – bashkë në frontin e madh antifashist

Tre muaj pas fillimit të rebelionit fashist, një delegacion vullnetarësh të huaj i përfaqësuar nga italiani Luigji Longo/Gallo, polaku Stefan Ëisnieëski e francezi Pierre Rebier, i ofruan qeverisë spanjolle ndihmë pa kushte. Ata deklaruan, se “Ne dëshërojmë vetëm që Brigadat Internacionale të konsiderohen si njësi të varura nga qeveria dhe autoritetet ushtarake spanjolle”, ndërkohë që më22 tetor 1936, qeveria e Republikës Spanjolle vendosi të miratonte krijimin e brigadave ndërkombëtare. Në deklaratë pjesëtarët e tyre shpreheshin: “…gjendem këtu se jam një vullnetar për të dhënë dhe pikën e fundit të gjakut tim, për mbrojtjen e Spanjës, Lirisë dhe Botës mbarë!”. Pesë dotë pas thirrjes, më datën 27 tetor 1936 batalioni i parë ndërkombëtar “Edgar Andre” niset nga Albacete në frontin për mbrojtjen e Madridit dhe më tej pas disa ditësh atij iu gjend në krah batalioni francez “Komuna e Parisit” dhe batalioni polak “Dombrovski”; që përbënin edhe të parën brigadë vullnetare ndërkombëtare, të emërtuar “Brigada XI”. Komandant i saj ishte gjeneral Kleber dhe komisar Hans Beimler që u pasua shpejt nga të tjera batalione e brigada si “Telman”, “Marsejeze”, “Garibaldi”, “Linkoln”, etj. Kur Gjenerali Lukash, i paraqiti popullit të Madridit, Brigadën e Dytë deklaroi: ‘‘Kjo Brigadë do ta mbrojë qytetin tuaj sikur të ishte qyteti i lindjes së cilitdo luftëtari vullnetar të saj. Nderi juaj është nderi ynë! Lufta juaj është lufta jonë! Salud Camaradas!”. Kështu në këtë luftë për jetë a vdekje me fashizmin kombi shqiptar u përfaqësua që në muajt e parë në këtë përgjakje të përbashkët të “vëllazërimit të popujve” me ushtarakë, infermierë, gazetarë, intelektualë, me burra e gra sikurse ishte edhe gruaja shqiptare infermierja Justina Shkupi, shoqe e ngushtë Gonxhe Bojaxhiut, (Nënë Terezës), e cila u shqua si asistente në krah të mjekëve të famshëm antifashitë, por dhe poeti i ri Petro Marko qënxitonte drejt Madridit të Lirisë, e thurrte vargjet “Salud Madrid”. Edhe shtypi shqiptar i kohës u shndrua në armë mbështetëse të djemve që luftonin krah popullit spanjoll. Kështu gazeta “Përpara” e Korçës, në tetor 1938, shkruante: “..djem të popullit shqiptar lanë vëllezër e motra, prindër e fëmijë, i lanë nën terrorin e regjimit të urisë dhe ikën plot vullnet, plot zjarr, duke kaluar kufij shtetesh fashiste dhe erdhën këtu në truallin e përpjekjeve për lirinë e Spanjës dhe të botës nga rreziku i fashizmit ndërkombëtar”, një solidaritet mbarëkombëtar në të gjithë shtrirjen adminbistrative shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë.Fakt është që edhe pjesë e emigrantëve shqiptarë nëpër botë ju bashkuan thirrjes së spanjollëve për mbrojtje.Lufta e Spanjës ishte luftë e përgjakshme, pasi Spanja luftoi e bllokuar dhe e rrethuar, e tradhtuar dhe e çarmatosur, luftoi gjer në fund. Lufta i kushtoi popullit spanjoll rreth dy milionë të vrarë (edhe pse shifra është e ndryshueshme si në arkiva ashtu edhe në publikimet e shumta). Vullnetarët që shkuan në Spanjë për të luftuar kundër fashizmit u quajtën nga populli spanjoll: “Vullnetarë të Lirisë”, një titull nderues kuptimplotë. Ata ishin vullnetarë për të mbrojtur lirinë e popullit spanjoll dhe lirinë e popujve të vetë të Europës dhe të botës. Fakt është se ata nuk kërkuan asnjë konditë për të luftuar në radhët e Ushtrisë popullore të Spanjës, luftuan jashtëinteresave personalë, luftuan vullnetarisht dhe me bindje të plotë se fashizmi duhet të luftohet që në embrion. Të gjitha kombet e botës kishin njëideal të përbashkët që i shtyti ata të shkonin vullnetarë në zjarrin e luftës, ishte ndjenja e dashurisë dhe e lirisë për popujt, ndjenja e mbrojtjes së interesave të popujve nga agresioni dhe bisha fashiste, sepse ishin të bindur se pas Spanjës Hitleri e Musolini do t’u vërsuleshin edhe vendeve të tyre, pasi kjo u vërtetua plotësisht. Në këtë aspekt lufta e Spanjës ishte parathënia e Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë qëShqipëria, Dardania dhe Çamëria shkoi me koshiencë të plotëdrejt Spanjës që po mbytej në gjak, për lirinë e popullit spanjoll.

*

Nëpër faqet e shtypit dhe enciklopedive të kohës

Shtypi jo vetëm shqiptar por mbarëkombëtar dhe ai europian kishte një vëmëndje të shtuar nëkohën kur retë e zeza të fashizmin kishin shinjestruar jo vetëm Spanjën por fashizmi ishte një ideologji në rritje dhe po bëhej gati të shpërthente një luftë të re botërore sikurse ndodhi në të vërtetë. NëFjalorin enciklopedik shqiptar i ASH-së i vitit 1985, jepet informacion konçiz rreth një ngjarje luftarake që tronditi botën në vitin 1936: “Vullnetarë shqiptarë që shkuan në ndihmë të popullit spanjoll dhe të forcave republikane që luftonin kundër fashizmit. Mundën të kapërcejnë me vështirësi të madhe pengesat e qeverisë zogiste dhe të përballojnë rreziqet e udhëtimit ilegal. Në Spanjë u rreshtuan në radhët e brigadave ndërkombëtare e kryesisht në radhët e Brigadës XI) ndërkombëtare “Garibaldi”, që përbëhej në pjesën më të madhe nga vullnetarë italianë. Disa prej tyre si Asim Vokshi, Ramiz Varvarica u ngarkuan me përgjegjësi ushtarake dhe politike. Vullnetarët shqiptarë u përleshën me fashistët në beteja të ashpra e me rëndësi në frontin e Madridit, të Barcelonës, të Aragonës e gjetkë; shumë prej tyre, midis të cilëve Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Zef Hoti, Thimio Gogozoto, Teni Konomi dhanë jetën për të mbrojtur lirinë e pavarësinë e popullit spanjoll. Në zjarrin e luftës në Madrid ata botuan organin e tyre Vullnetari i lirisë, i cili u shpërnda ilegalisht në Shqipëri. Lufta e vullnetarëve shqiptarë është shfaqje e solidaritetit revolucionar me lëvizjen antifashiste ndërkombëtare dhe një ndihmesë për çështjen e lirisë së popujve dhe të mbrojtjes së tyre nga agresioni fashist”. Nga ana tjetër botimi i “Vullnetarit të Lirisë”, organ i shqiptarëve të Brigadave Internacionale, erdhi si një nevojë për të informuar në gjuhen shqipe, për atë që ndodhte në Spanjë. Imazhi më i njohur i vullnetarëve shqiptarë në luftën e Spanjës që u rreshtuan si ushtarakë në radhët e Brigadave Internacionale në më shumë se tetë dekada është shpalosur edhe nga fotot e njohura për luftëtarë internacionalistë si Petro Marko, Skënder Luarasi, Emrush Myftari, Mehmet Shehu, Iljaz Pashaj, Asim Vokshi, Justina Shkupie shumë të tjerë. Fakt është se më1936 alenca “Fronti Popullor”, i përbërë nga socialistë, republikanë dhe komunistët, fituan zgjedhjet në Spanjë, por këtyre iu vu përballë grupi i djathtë i quajtur “Fallanga Spanjolle” me në krye gjeneralin Franko. Franko u nis nga Afrika Veriore me një numër të madh ushtarësh për të përmbysur qeverinë majtiste të Spanjës dhe kështu filloi një konflikt civil spanjoll, por edhe qëu përfshinë 53 vende të botës, të cilët u nisën në Spanjë, duke përfshirë edhe luftëtarët vullnetarë shqiptarë. Lufta u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939, por qëpërfundoi me humbjen e çështjes republikane, e ndjekur më pas nga diktatura e Frankos.Pjesëmarrësit e renditur sipas alfabetit nuk janë plotësisht të identifikuar: Asim Vokshi, komandant i batalionit “Garibaldi”, Daut Muço(Podgorani), Dhimitër Kosta, Emrush Myftari, Faik Dardha, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, Iljaz Pashaj, Justina Shkupi, Kostë Kolombo, Mane Nishova, Mehmet Shehuluftëtari24 vjeçar-komandant batalioni në brigadën “Garibaldi”, Musa Kame (Fratari), Petro Marko, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Sabri Lumani kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë, 1937, Skënder Luarasi, Stefan Duni, Stivens Thanasi, Teni Konomi, Thimio Gogozoto, Urfi Agolli, Veli Deda, Xhafer Miraka, Xhelal Abaz Bajrami (Çami), Xhemal Kada, Zef Hoti, Zef Prela, Zihni Muço, etj. Luftëtari i Spanjës Skënder Luarasi shkruante: “Asnjë popull tjetër nuk e ka kokën e tij më afër hanxharit të fashizmit se sa e ka populli shqiptar”. Duke luftuar në frontin e Madridit, luftohet edhe në të gjithë frontin e Shqipërisë sonë. Aty po i përgatitet varri fashizmit italian, i cili është edhe kuçedra e popullit të Shqipërisë”. Këto pikëpamje ai i shpreh më qartë, si përgjegjësi i vullnetarëve shqiptarë, në artikullin programatik ‘‘25-vjet indipendencë’’ në revistën ‘‘Vullnetari i Lirisë’’, në nëntor 1937: ‘‘Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së Kombit tonë; përsëri po ngrysemi në natën e robërisë e në ankthin e kohëve të errëta që ia ka përgaitur botës fashizmi barbar. Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste”. Ky nuk ishte një shkrim i thjeshtëpër një testament, një kambanë alarmi për shqiptarët, pasi parashikimi vërtetonte atë që Konti Ciano shkruante në ditarin e tij dy vjet më vonë: 14.2.1939: “Duçja thotë se për pushtimin e Shqipërisë duhet të priten dy ngjarje: “mbyllja e çështjes spanjolle dhe nënshkrimi i aleancës me Gjermaninë”. Ndërsa më “28.3.1939, Manifestime në Piazza “Venezia” për rënien e Madridit: Duçja shkëlqen, duke treguar atlasin gjeografik të hapur në faqen e Spanjës, thotë: “Ka mbetur hapur për afro tre vjet, tani mjaft! Tani duhet hapur në një faqe tjetër. Ai ka në zemër Shqipërinë”. Por përvoja që luftëtarët e lirisë fituan në Spanjë, bënë të krijonin frontin antifashist shqiptar “pa dallim feje, krahine, ideje” dhe të shkruanin edhe në Shqipëri faqen më të ndritur për lirinë e Shqipërisë, lirinë që erdhi vetëm me grykën e pushkës kundër bishës nazifashiste italiane dhe gjermane.

 

Gjaku shqiptar për lirinë e kombit spanjoll

Tashmë janë të dokumentuara dhe të shkruara që besojmë se do të trashëgohen në breza bëmat shqiptare në interes së lirisë, vëllazërisë dhe përbashkimit të kombeve. Kështu në një dokument që historia nuk ka si ta harrojëështë pikërisht letra që i dërgojnë vëllait të Asim Vokshit, shokët e tij nga fronti i llogoreve të luftës, këto llogore ku Asim Vokshi nuk kurseu as gjënë më sublime gjakun e tij për lirinë e popullit spanjoll. Letër vëllait të Asim Vokshit!Albacete, 2 dhjetor 1937; I dashur Myftar! “Nga shqiptarët që kanë ardhur vullnetarë në Spanjë, marrim për shembull dy karaktere të kundërta: njëri syresh, i trembur nga rreziqet e luftës, u kthye prapa, u shpall dezertor, dhe sot rron, as që duam ta dimë se ku, i përbuzur nga të gjithë ata që e kanë njohur. Tjetri, përherë edhe më i fortë, sa më e rreptë që të ishte lufta, qëndroi i patundur në krye të batalionit të vet, luftoi si hero i vërtetë, dhe, i pari ndër të parët, ra dëshmor. I dashur Myftar, prej këtyre të dyve, duke zgjedhur midis të gjallit dezertor dhe të vdekurit dëshmor, cilin do të dëshiroje të kishe pasur për vëlla? Të çmojmë për mbi të gjitha të tjerat se je vëllai i Asimit. I paharruari, si shqiptar që ishte, qe bashkëluftëtari ynë, por në zjarrin e përpjekjeve u bëmë ca më tepër, u bëmë miq e shokë. Dhe tani ai që ishte më i riu, ka qenë më i miri ndër të gjithë. Mbase humbi jetën që në fillim të luftës më i riu, më i miri, më i dashuri ndër ne të gjithë, që ta kuptojnë të tjerë të rinj shqiptarë, që ç’therori e madhe u dashka që të shpëtojë nga mënxyrat e jetës faqezezë, që po durojnë kafshërisht. Në kët kuptim, Asimi nuk ka vdekur. Në kujtimin e shokëve italianë garibaldinas, që dëshmojnë për vdekjen heroike të tij, në kujtimin e shokëve shqiptarë, që e dinë se djaloshi kosovar ka ditur jo vetëm të vdesë, por edhe të rrojë heroikisht, fytyra e tij fisnike do të mbetet e paharruar. Janë të dyja, bukuria e jetës dhe bukuria e vdekjes së tij, që na bëjnë t’i jemi më pranë kësaj figure, që ta mbajmë të skalitur në mendje në të gjithë madhështinë e saj. Kjo vetëdije na mbushi me mburrje që heroi, vëllai yt Asimi, ishte edhe bashkatdhetari ynë, miku dhe shoku ynë, vëllai ynë. Të shkruaj ty, nxënësit tim të njëhershëm, se ty të kam njohur, përndryshe këtë letër ngushëllimi ua kam detyrë të gjithë anëtarëve të familjes së Asimit, e, në radhë të parë, me të vërtetë, asaj që i dhuroi jetën heroit tonë të ri. Ajo vetë është e dashur dhe trime, por, natyrisht, zemra e nënës, sado e madhe, preket gjithnjë e më tepër prej humbjes së dajlit të saj. E ke detyrë t’i japësh ngushëllimin e duhur. Në kët mes, të shoqërojmë me simpatinë më të thellë, ne shokët e tu e t’Asimit”. Asim Vokshi ra për të ngelur i përjetshëm në altarin e kombit tonë dhe kombit spanjoll, por edhe të mbarë kombeve europiane, pasi ra për lirinë. Historia ndodh një herë dhe tregohet me qindra mijëra herë, por të vërtetat e shqiptarëve në Spanjë për lirinë e popullit spanjoll janë ngjarje madhore edhe për kombin tonë që kërkon të jetojë i lirë në hisenë e diellit që i takon i lirë dhe i barabartë në vatrën e përbashkët euroatlantike. Për gjakun e derdhur dhe për dëshmorët që i ka dhënë Europën meriton nderimin më të madh dhe respektin e popujve të Bashkimit Europian.

 

Një jetë dinjitoze e birit të Kosovës kreshnike

Asim Vokshi është rasti tipik që duhet nderuar sepse ai ra për nderin dhe lavdinë e popullit shqiptar, dhe ngeli dëshmor i Shqipërisë dhe i Spanjës, dëshmor, për drejtësi e vëllazëri midis popujve, ngeli dëshmor në përjetësi të të gjithë qytetarëve europianë. Asim Vokshi ishte lindur në qytetin e Gjakovës, në vitin 1909 dhe ishte i biri i Sabrije Vokshit, një grua trimëreshë e Kosovës që rrënjët i kishte nga oxhaku i Sylejman Vokshit, komandantit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mësimet fillore i nisi në në Gjakovë, më 1916-1919 dhe i mbaroi në Kolgecaj. Fakt është se gjatëpushtimit austro-hungarez, u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Në shtëpinë e Asim Vokshit, në shkollën e hapur, u mblodhën 925 fëmijë. Mësuesi i parë ishte Ibrahim Fehmiu. Shqiptari kishte luftuar fort për dritën e arsimit, të mësonte gjuhën e tij, të bëhej më i ditur. Në Gjakovën e Asimit u hapën dy shkolla fillore me 6-të klasa. Njërës iu vu emri i Heroit Kombëtar, “Gjergj Kastrioti Skënderbej”. Ishte viti 1916. Kjo ngjarje e madhe pati ndikim të fortë, si në çdo vatër kosovare, edhe në oxhakun Vokshi të Gjakovës. Më 17 tetor 1922 u hap shkolla e parë shqipe 6-vjeçare dhe me konvikt, nën kujdesin e Bajram Currit e patriotë të tjerë. Konvikti i shkollës ishte në Kolgecaj dhe më pas në Krumë. Asimi në vitin shkollor 1926-1927 shkoi në një shkollë më të lartë, në gjimnazin shtetëror të qytetit të Shkodrës dhe u sistemuan në konvikti “Malet tona”. Në vitin 1929, Asimi fitoi një bursë shtetërore për të studiuar në auditorët e Akademisë Ushtarake të Këmbësorisë, Kavalerisë dhe Shkollës së Aplikacionit të Këmbësorisë në Modena të Italisë. Studimet zgjatën për dy vjet, në harkun kohor 1929-1930 dhe 1930-1931. Së bashku me Asim Vokshin, në kursin e tij, studionin dhe 37 djelmosha të tjerë nga zona të ndryshme tëShqipërisë. Mes studentëve dhe oficerëve të Akademisë, ekzistonin dy rryma, njëra monarkiste dhe tjetra fashiste. Asim Vokshi arriti t’i njohë dhe i shfrytëzoi këto për të kuptuar drejt dhe thellë të vërtetën e shkollës që përgatiste ushtarakë të molepsur nga ideologjia fashiste, shtypës për popullin italian dhe mish për top për pushtimin e Shqipërisë e të popujve të tjerë.Ai ndoqi Akademinë Ushtarake në Itali prej nga u kthye më 1931 me gradën ushtarake “Nëntoger”. Bashkëpunoi me Ali Kelmendin dhe me  pjesëtarë të rinisë përparimtare të kohës. Më 1.9.1931 Asimi, me gradën nëntoger, u emërua në Pogradec zëvendëskomandant i xhandarmërisë së rrethit. Brenda vitit Asimi u transferua përkohësisht adjutant i qarkut të xhandarmërisë në Gjirokastër dhe më tej shërbeu nëDelvinë. Në korrik të vitit 1934, Asimi mori njoftimin për një transferim në Tiranë, por midis Shqipërisë dhe Italisë fashiste, gjatë vitit 1934, marrëdhëniet u acaruan shumë.Italia më 22 qershor dërgoi pa asnjë paralajmërim dhe leje 22 luftanije në portin e Durrësit, si vizitë “miqësore”. Në rrethet përparimtare, që në pranverë të vitit 1934, u shtrua si detyrë e ditës organizimi i një kryengritjeje të armatosur kundër regjimit.Në vitin 1935 vendoset ne Tiranë edhe nëna e Asimit, Sabrije Vokshi e njohur edhe si Bije Vokshi, e cila mbante lidhje me lëvizjen komuniste shqiptare të kohës. Duke qenë e edukuar në frymën e pastër atdhetare e revolucionare, Bije Vokshi shtëpinë e saj në Tiranë e kishte vënë në shërbim të Lëvizjes përparimtare, antizogiste. Në vitet 30-të të shek XX-tëAsim Vokshi  zhvilloi veprimtari të gjerë aktive, revolucionare dhe mori pjesë në përgatitjen e kryengritjes antizogiste të Fierit më 1935. Në Tiranë ai krijoi dhe kryesonte një organizatë të njohur në historinë e Shqipërisë me emrin “Grupi Komunist i Oficerëve”. Në këtë grup bënin pjesë shumë ushtarakë shqiptarë, mes tyre disa shumë të njohur si Bedri Spahiu, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Dali Ndreu, Prenk Uli, Veli Dedi etj. Asim Vokshi ishte ndër organizatorët e Kryengritjes së Fierit të vitit 1935, në prag të së cilës u arrestua dhe u dënua me burgim. Në bashkëpunim me Vasil Shanton e të tjerë më 1936 nxori njërevistën me përmbajtje  demokratike. Asim Vokshi, i takonte plejadës së të rinjve revolucionar, rini kjo e cila shquhej për trimëri mençuri  dhe vigjilenca kombëtare. Asim Vokshi ishte një i ri me ideale përparimtare. Veprimtaria e tij u ndoq nga spiunët dhe rrjetet e agjentëve të mbretërisë, qëe burgosi Asimin, mandej e mbajti syrgjyn ne disa vende të Shqipërisë, duke e transferuar kohe pas kohe. Edhe pse në kushte të vështira, Asimi mban kontakte me Ali Kelmendin, Vasil Shanton, Zylyftar Veleshnjën, etj.Një njeri i afërt i Musa Jukës, Hilmi Juka, protokollist i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërhyri që Asim Vokshi të pajisej me pashaportë, për të shkuar vullnetar në Luftën e Spanjës, ku u nis nga Marseja me Teni Konomin, por rrugës anija u bombardua, dhe shoku i tij Teni u vra ndërsa Asimi doli gjallë në bregdetin spanjoll majin e vitit 1937. Asimi, sapo shleu në tokën e Spanjës, u inkuadrua ne divizionin e internacionalistëve italianë që mbante emrin e heroit kombëtar të Italisë, Xhuzepe Garibaldit dhe ku në sajtë zgjuarësisë se tij arrin të behet komandant i një kompanie garibaldiane më 120 luftëtarë internacionalë. Asim Vokshi ishte shquar në cilësitë e komunikimit me njerëzit, me shokët, për t’ua fituar atyre besimin e dashurinë, në fushën e betejës, me shokët e luftës. Ai i deshi luftëtarët e kombësive të ndryshme, të cilët po aq e deshën, si vëlla, si luftëtar, si komandant. Te komandanti shqiptar ata kishin besim të pakufi, sepse ai ishte i sakrificës, jepte gjithçka për shokun e luftës. Ku ishte rreziku më i madh, aty gjendej me parë komandanti. Asim Vokshi, si ushtarak i talentuar, kishte bërë emër në brigadën “Garibaldi”. Duke njohur aftësitë e tij organizuese dhe përgatitjen e lartë si ushtarak, u thirr në shtatmadhori, e cila e caktoi në shtabin e Brigadës “Garibaldi” oficer të shtabit, për të dhënë edhe ai mendime e për të marrë pjesë në diskutimin e çështjeve të ndryshme të organizimit të trupave e të luftimit. Në mendimin e komandës së Brigadës, Asim Vokshi ishte tashmë një ushtarak i pjekur, luftëtar i vendosur e besnik dhe kishte perspektivë për një detyrë më të rëndësishme, komandant kompanie në batalionin e tretë të BrXII-të “Garibaldi”. Zotësia që tregonte Asimi në fushën e betejës, përfundimet që nxirrte nga veprimi edhe i ushtarit të thjeshtë, këshillat dhe ndihma për shokët, shumë shpejt i bindën luftëtarët e batalionit të tretë, të Brigadës “Garibaldi” se kishin të bënin me një njeri që njihte luftën dhe armët e saj, njeri që kishte të bashkuara mirë shpirtin e papërkulur me mjeshtërinë e përdorimit të armëve. Ata kishin vënë re se Asimi hidhej në zjarrin e betejave i papërmbajtur, dhe kjo ua rriste moralin shokëve, që të mos i lëshonin llogoret e luftës. Asimi fliste rrallë dhe ashtu i heshtur, më tepër dëgjonte. Shembulli i tij personal në sulm u bë mjet edukues për të tjerët dhe lavdi për popullin shqiptar, që e përfaqësonte denjësisht në arenën luftarake ndërkombëtare. Ai u tregua i pjekur, luftëtar i papërkulur kundër fashizmit dhe mjeshtër i armës. Kur nisnin betejat, komandanti i ngarkonte Asim Vokshit detyrat më të vështira. Ata dhe shokët e tij kishin besim te ai, se ishte ushtar me disiplinë të hekurt i asaj ushtrie ku merrnin pjesë luftëtarë nga pesëdhjetë e tre kombe, zbatonte urdhrat dhe e plotësonte detyrën deri në fund. Asim Vokshi i kryente detyrat, mbasi njihte artin e luftës, dinte të përdorte me mjeshtëri armët, kishte guxim dhe ishte gjakftohtë.Asimi, i cili kishte kryer edhe akademinë ushtarake, ishte në mesin e komandove më të njohur sidomos në vendin e quajtur Fuente del Ebro ku ishin zhvilluar beteja të përgjakshme në mes të internacionalistëve dhe fashistëve të Frankos, të përkrahur nga Gjermania e Hitlerit dhe Italie e Musolinit.Asimi ngeli përjetësisht në Fuente del Ebro, pasi ai bie heroikisht në Fuente del Ebro më 4 tetor të vitit 1937, kur ishte vetëm 28 vjeçar,duke luftuar ballë për ballë forcave mercenare frankiste nëFrontin e Ebros. Eshtrat e tij u treten në ujërat e rrëmbyeshme të Ebros, në ato ditë të përgjakshme lufte. Ra heroikisht duke luftuar në Frontin e Ebros, në krye të repartit garibaldin që komandonte. Por fashistët nuk ndalen. Në korrik 1943, vëllai i dytë i Asimit, Derguti, u pushkatua nga fashistët italianë, në Landrovicë të Gjakovës. Bije Vokshi i tregon të vërtetën të vëllait, Aliut, babait të Asimit duke i thënë “Të rrosh vetë vëlla, Dergutin e vranë sot fashistët italianë, ndërsa Asimin e kanë vra para gjashtë vjetësh në Spanjë!”, duke ngelur në memorie shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe të popullit spanjoll. Asim Vokshi është nderuar me titullin e lartë Heroi i Popullit, por nuk ka varr. Ai ka një emër të madh, memorial monument bronzi, këngë, shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij, libra, monografi, përjetësi. Asim Ali Vokshi është shpallur me titullin e lartë  “Hero i Popullit”, më10.07.1949 nga Kuvendi Popullor, ndërsa me Vendim nr. 02 datë 18.01.1983 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” i akorduar titullin sublim për të rënët e kombit “Dëshmor”. Është vlerësuar me “Urdhrin e Skënderbeut të Klasit II”, si dhe është dekoruar nga shteti spanjoll në nderim të veprës së tij si dëshmor. Monumente janë ngritur në brigjet e Ebros së përgjakur në tokën spanjolle, sepse ai ishte dhe ka ngelur simboli i antifashizmit që e shkroi lirinë europiane në betejat e Madridit, Haramës, Aragonit, Ebros, Katalonjës etj., bashkë me luftëtarët e tjerë vullnetarënga gjithë trualli arbëror. Prandaj dhe populli spanjoll nuk i harron luftëtarët ndërkombëtarë që u vranë për lirinë e tij. 70-tëe ca luftëtarët nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, Arbëreshët e Greqisë e Kalabrisë në Itali, por dhe shqiptarë të tjerë nga fabrikat, uzinat e minierat e Francës, Gjermanisëe Amerikës, u bënëyjet e lirisë të gjithë kombit shqiptar që e përfaqësuan denjësisht gjithë shtresat e kombit tonë në përballjen e parë të përgjakshme me fashizmin.

 

Për shqiptarët që i lartësuan nderin dhe krenarinë mbarë shqiptarizmës

Ata janë pesëmbëdhjetëshqiptarëqëdhanë jetën në Spanjë për lirinë si pjesë e antifashizmit botëror. Vullnetarët shqiptarë i tregonin armikut gjoksin, sepse ishin bij të trimërisë shqiptare dhe me gjakun e tyre shkruan pavdekësinë. Ata anë për lavdinë e popullit shqiptarpasi të frymëzuar nga ndjenjat e internacionalizmit proletar, shkuan vullnetarë në Spanjë dhe ranë dëshmorë në sheshin e luftës si: 1).Asim Ali Vokshi, hero & dëshmor që ra nëheroikisht në Fuente del Ebro më 4 tetor të vitit 1937, kur ishte vetëm 28 vjeçar; oficer i karrierës. Pasi mori pjesë aktive në Lëvizjen e Fierit kundra regjimit të Zogut u dënua dhe u përjashtua nga çdo nëpunësi. Shkoi në Spanjën Republikane në muajin maj 1937. Asimi ka bërë pjesë në radhët e Brigadës “Garibaldi”, ka qenë oficer, si përgjegjës kompanie. Ra në Fuente del Ebro më 4 tetor 1937. Është shpallur Hero i Popullit dhe Dëshmor i Atdheut; 2). Zef Preng Hoti, 30 vjeç, nga Malësia e Shkodrës, ish-emigrant në Francë në vitin 1930, më1936, shkoi vullnetar në repartet intemacionale të garibaldinëve, dhe ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në janar 1937; 3).Urfi Ali Agolli, 23 vjeç, nga Dibra e Madhe, ish-nxënës në shkollën ushtarake, që shkoi në Spanjë nga fundi i 1936, nërepartet intemacionale të garibaldinëve, ra në frontin për mbrojtjen e Madridit në muajin janar 1937; 4).Teni Diamant Konomi, nga Korça, 26vjeç, u nis për në Spanjë bashkë me Asim Vokshin por pa arritur në tokën spanjolle, vaporri me të cilin udhëtonte u godit nga fashistët dhe ai u vra nënë ujrat e Barcelonës, më 1.5.1937; 5).Ramiz Maliq Varvarica, nga Peshkopia, 38vjeç, ish-nënoficer në ushtrinë shqiptare, pjesëmarrës në revolucionin e 1924-ës, emigrant në Francë si punëtor, në Spanjë ka shkuar në fund të vitit 1936, nërepartet internacionale e në fund në Brigadën “Garibaldi”, me gradën kapiten dhe ka rënënë frontin e Kaspes në muajin prill 1938. Është shpallur “Hero i Popullit”; 6).Musa Ali Kami (Fratari), nga Përmeti, 27vjeç, ka qenëoficer i karrierës, i pushuar si armik i regjimit, shkoi në Spanjë nëmaj 1938, nëradhët e Brigades Internacionale – “Garibaldi”, si përgjegjës i skuadrës së mitralierëve dhe ra në frontin e Ebros në muajin shtator 1938, një nga betejat më tëashpra të Luftës së Spanjës,është shpallur Hero i Popullit; 7).Thimjo Nasho Gogozoto, nga Çamëria,fshatrat e Pargës, 24vjeç, ish-nxënës i shkollës Normale të Elbasanit, shkoi në Spanjë në qershor 1938 në repartet e Brigadave internacionale dhe ka rënënë frontin e Ebros më 28.9.1938, në një nga betejat më të ashpra të Luftës së Spanjës; 8). Xhemal Osman Kada, nga Peja, 26 vjeç, oficer i kaerierës, ka shkuar në Spanjë nga fundi i 1936 dhe ka bërë pjesënë radhët e reparteve të Brigadave Internacionale “Garibaldi” si oficer, ka rënë nëfrontin e Ebros në shtator 1938, një nga betejat më të ashpra të Luftës së Spanjës, është shpallur Hero i Popullit; 9). Kosta Dhimitër Lito, nga Leskoviku, 41vjeç, punëtor i emigruar në Francë, nga ku ka shkuar në Spanjë nga fundi i 1936-ës dhe ka bërë pjesë në radhët e reparteve të Brigadave Internacionale me gradën nënoficer, ka qenë i plagosur rëndë në frontin e Madridit si dhe ështëmarrë nga kampet e përqëndrimit të Francës nga Gestapoja, nga ku është zhdukur në kampet e shfarosjes së Gjermanisë naziste; 10). Daut Muço Podgorani, nga Përmeti, 25vjeç, punëtor dhe emigrant në Paris, ishte nga vullnetarët e parë që shkoi në Spanjë dhe formuan batalionin “Komunën e Parisit”, u radhit në kolonën italiane “Roseli” dhe pastaj u shkrinë në Brigadën Internacionale “Garibaldi”. Ai ka rënëdëshmorë në nëntor 1938 për të mbrojtur Madritin; 11). Hamdi Koja Zagari, nga Kolonja, 30vjeç, kishte mabruar akademinë në Francë, shërbente në ushtrinë e Republikës Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bulgarë, u pushkatua më 27 korrik të vitit 1936; 12). Zihni Murat Çami, nga Çamëria, 29vjeç, oficër, komandant kompanie, vritet nga një bombardim pa lënë asnjë gjurmë më 4 tetor 1938; 13). Ymer Puka, nga qyteti i Pukës, 50vjeç, mbaruar Akademinë në Stamboll, komandant me përvojë, major në ushtrinë turke, që mori pjesënë Luftën e Spanjës, si komandant batalioni; ai kaloi kufirin në Francë me të plagosur dhe të sëmurë me përfundimin e luftës, por u kap nga nazistët dhe u zhduk në dhomat me gaz të tyre në vitin 1944; 14). Xhelal Abaz Çami, nga fshati Kurtec, Çamëri, 40vjeç, punonte si emigrant në Paris, merr pjesë në Luftën e Spanjës, në kompaninë mitraliere, plagoset rëndë, u mjekua, shpëton dhe në vitin 1952 kthehet në Shqipëri, shtrohet në sanatoriumin e Tiranës dhe vdes më 14.4.1953, si pasojë e plagëve të luftës; 15). Novruz Feim Veli Zagari, nga Kolonja, 35vjeç, kishte mabruar akademinë në Francë, shërbente në ushtrinë e Republikës Sapanjolle, nga rrebelimi së bashku me vullnetarë punëtorë bulgarë, u pushkatua më 27.7.1936. Ndërkohë që të dokumentuar janë se krahas të rënëve në krye të detyrës në luftime u plagosën edhe shumë shqiptarë të tjerë si, Qamil Sherifi, Stivens Thanasi, Qamil Sherifi nga ShBA të ardhur vullnetarisht për në Spanjë, por mendohet se ka edhe të tjerë ende të pa indetifikuar dhe të pa evidentuar, megjithëse sakrificat, përpjekjet, gjakushqiptar atje në tokën spanjolle, është gjak i nderit, lavdisë dhe krenarisë shqiptare.

Burime studimi:Petro Marko, Lufta Spanjolle (1936-1939): shënime historike dhe kujtime nga vullnetarët shqiptarë. Tiranë: Instituti i Historisë së Partisë. fq. 91–93; Tiranë 1959. Parathënien e librit “Lufta e Spanjës (1936-1939)” botim i 1959, e ka shkruar Mehmet Shehu, i cili kishte 5 vjet që ishte Kryeministër i Shqipërisë.; Petro Marko, kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë (Spanjë,1937), organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës dhe brigadier internacional. “Vullnetarit të Lirisë”, organ i shqiptarëve të Brigadave Internacionale.; Xhevdet Shehu, Lufta e Spanjës… Publikuar në gazetën Drita me rastin e 85 vjetorit të Luftës kundër diktaturës së Frankos.; Petro Marko, poema “Adelante kamaradas!” (përpara shokë) me 300 strofa me vargje 16-rrokësh; Skënder Luarasi: ‘”Edhe unë qeshë në Brigadat Internacionale!”;Letër e shokëve tëAsim Vokshit dërguar të vëllait Myftar Vokshi në vitin 1937.; Petro Marko, “Hasta la vista”, publikuar në përvjetorin e 20-të të Luftës së Spanjës, në Tiranë, 1959.; Petro Marko, Nata e Ustikës, Tiranë, 2009.Duke qenë se literatura mbi Luftën e Spanjës është e pafundme, lexuesi në mënyrën e vet mund të lexojë Ernest Heminguejt “Për kë bien këmbanat”, George Orëell-it “Nderim për Kataloninë”, Javier Cercas “Ushtarë të Salaminës” e dhjetra të tjerë, ku për pjesëmarrësit në Luftën Civile të Spanjës, lexuesi mund të formatojë një përfytyrim në kohë, për realitetin e asaj lufte. Burime të tjera janë; Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, Luftëtari ndërkombëtar, Asim Vokshi, publikuar në organet e përditshme shqiptare; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Gjaku i antifashistëve shqiptarë në venat e Spanjës publikuar në organet e përditshme shqiptare; Gazeta ‘‘Përpara’’ e Korçës, tetor 1938, Veiz Mehdi Bajo “Dëshmorët shqiptarë në Luftën e Spanjës (1936-1939)”, Tiranë. etj.;Radiokosova e lire, Asim Vokshi, komandant i brigadave vullnetare në luftë kundër fashizmit, në Spanjë, 2022; Prenk Uli, Qemal Sakajeva, Asim Vokshi”, Tiranë, 1979.

Please follow and like us: