POETI PIERFRANKO BRUNI – FITUES I ÇMIMIT TË MADH LETRAR “NAIM FRASHËRI”
Konferencë shtypi e Jurisë së Edicionit të XXVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”
D. Hadri
Poeti italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. Dr. Ymer Çiraku (kryetar), Prof. Dr. Vebi Bexheti dhe Mr. Ndue Ukaj (anëtarë). Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko Bruni e ka pasë shpall Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e Tetovës dhe në Kosovë.
Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 23 shtator, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu dhe nga anëtari i Jurisë, Prof. Dr. Vebi Bexheti. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA), Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer Leandoer (Suedi) etj.
Anëtari i Jurisë së Festivalit, Prof. Dr. Vebi Bexheti, paraqiti arsyetimin për dhënien e çmimit letrar “Naim Frashëri”. Ai, në mes tjerash, tha se, “Pierfranco Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe eseist.
Ka botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.
Veçmas poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë, duhet gjetur një yll i vogël, që do të ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra, misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëçka – në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa kushte.
Pra, tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve një dimension mjaft sintetizues e universal.
Më tej, në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta, prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.
Në vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.
Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, në mbyllje të konferencës së shtypit njoftoi se, këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër, Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Turqi, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe diaspora. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj.
Tetovë, 22 shtator 2023
Please follow and like us: