BE dënon sulmin në veri, bën thirrje për vërtetim të fakteve
Bashkimi Evropian e ka dënuar ashpër sulmin nga një “bandë e armatosur” kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
Në këto sulme është vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur.
“Të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Në reagimin e BE-së është thënë se më shumë jetë të personave të pafajshëm janë duke u rrezikuar nga armiqësitë rreth Manastirit në Banjskë.
“Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”.
Edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri dhe ka thënë se dhuna “e çfarëdo forme është e papranueshme”.
“Kryesit duhet të përballen me drejtësinë. Të gjithë duhet të kthehen në dialog, menjëherë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.
Kurti ka thënë në konferencë për media se në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.
Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.