Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Manastiret e Serbisë, tradita dhe shenjtëria e rreme

Bibla na dëshmon se konflikti më i madh i Jezu Krishtit ish me traditat religjoze të krijuara nga njerëzit, nga institucionet të cilat zyrtarisht pretendonin të përfaqësonin Zotin, por faktikisht fjalën e Zotit e kishin zëvendësuar me traditat e tyre institucionale dhe keqpërdornin emrin e Zotit, për të realizuar interesat e tyre politike.

Shenjtëria është një atribut, një cilësi që e ka vetëm Zoti. Vetëm Zoti vetë, vetëm prania e Tij shenjtëron, një vend një person ose grup personash. Vetëm Zoti ka të drejtë të caktojë kriteret dhe të shpallë shenjtërinë mbi diçka ose dikë. Kur një person, një grup personash, etj marrin përsipër të kenë të drejtën t’i venë vulën e shenjtërisë traditës së tyre, aq më tepër duke iu kundërvënë parimeve e fjalës së Zotit, këta persona, sipas Biblës, kanë kryer mëkatin më  të rëndë. Bibla këta persona i quan persona që veprojnë në shpirtin e Antikrishtit. Për këtë temë Apostulli Gjon shkruan: 1Gjoni 2:

18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.

19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.

21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.

22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti?…

Vargjet 21 dhe 22 na japin çelësat që na bëjnë të dallojmë se cilët janë personat që veprojnë në shpirtin e antikrishtit: Së pari kur një person përdor mashtrimin. Një person, një institucin që mashtron kurrë nuk mund të jetë përfaqësues i Jezu Krishtit. Vetëm ai që nuk devijon nga e vërteta, vetëm ai që mbështetet mbi të drejtën dhe gjykon me paanësi përfaqëson Jezu Krishtin;  përkundrazi ai që mbështetet mbi gënjeshtrat e mashtrimet, pavarësisht se mund të vetëdeklarohet si i krishterë, përfaqëson antikrishtin. Vargu 22 është edhe më i qatë: 22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti?… Fjala Krishti në fakt është përkëthimi në greqisht e fjalës Mesiah që do të thotë personi i vajosur nga Zoti, Shpëtimtari që sjell faljen, shërimin, Ai që shkatërron pushtetin e vdekjes dhe sjell jetën e gjithshka të mirë. Kishat Ortodokse Sërbe e Ruse, për të paktën prej dy shekujsh, bëjnë të kundërtën. Këtë e dëshmojnë qartë faktet historike, e dëshmon qartë edhe veprimtaria e tyre e sotme.

Kjo duket qartë në deklaratat e Kirillit i cili nuk ka drojë që publikisht, sot para gjithë botës së qytetëruar të deklarojë se vrasja e grave dhe fëmijëve në Ukrainë nuk na përbëka asnjë mëkat, përkundrazi, është një veprim i drejtë shenjtërie.

Jezu Krishti vdiq për të paguar për mëkatet e njerëzve të padenjë, edhe për mëkatet e armiqve të tij. Kirilli sot deklaron hapur se na qënka rruga e Zotit, rruga e Jezu Krishtit, të vrasësh vëllezërit, madje dhe gratë e fëmijët e pafajshëm.Është shumë e çuditshme që nuk reagohet drejt nga institucionet ndërkombëtare ndaj këtyre fakteve kriminale. Jezu Krishti vetë  ndaj farisenjve, që nuk kishin shkuar kaq larg sa Kishat Ortodokse Serbe e Ruse, shprehej: Mateu 23:

13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.

14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.

15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!

27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.

28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.

33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?…

Në qoftë se një person ose një institucion çfarëdo, le të themi fabrikë, Universitet, Akademi Shkencore, Laborator Kërkimor apo çfarëdo qoftë, prapa maskës e fasadës së tij institucionale pregatit e organizon krimin, në qoftë se ka fakte të dyshohet për këtë gjë, askush nuk do të hezitonte të kontrollonte brenda territoreve të këtyre institucioneve nëse gjenden armë të fshehura, etj.

Nga ana tjetër prej shekujsh dihet se si institucion, Kisha Ortodokse Serbe, kishat dhe manastiret e saja kanë qënë gjithmonë qëndrat kryesore ku organizoheshin gjenocidet ndaj shqiptarëve. Ishin priftërinjtë serbë ata që jo vetëm frymëzonin, por në shumë raste edhe merrnin pjesë vetë aktivisht në këto krime. Përse sot hezitohet të bëhen kontrolle brenda territorrit të kishave dhe manastireve sërbe në territorin e Republikës së Kosovës?! Në fakt, po të kishin qënë të ndershëm, përfaqësuesit e këtyre kishave do ta kërkoni vetë këtë gjë që të largonin dyshimet ndaj tyre.

Faktikisht kishat dhe manastiret sebe në Kosovë sipas parimeve biblike të Krishterimit nuk mund të quhen vende të shenjta, përkundrazi…

Por, le ta pranojmë për një çast logjikën e teologjive të Kishave Ortodokse Ruso- Sërbe, le të shkojmë sipas logjikës së tyre, le të pretendojmë se këto kisha e manastire na qënkan vërtet të shenjta. Çfarë thotë Bibla në rastin kur dyshohet se në një vënd të shenjtë fshihet një kriminel ose ka dyshime se ka objekte që mund të organizojnë krimin? Eksodi 21:

14 “Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.”

Pra, sipas Biblës është jo vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë e ngarkuar nga Zoti vetë, që personat që zbatojnë drejtësinë të futen brenda territorit të Tempullit, po qe nevoja deri te altari, e të nxjerrin me forcë që aty personin apo gjithshka që është futur ilegalisht, në kundërshtim me fjalën e urdhëresat e Zotit: Gjithshka e cilindo që është futur aty me synime vrasëse. Kundrejt këtyre personave Zoti kërkon që personat përgjegjës të zbatojnë me rigorozitet drejtësinë. Sipas kësaj fjale të Zotit dhe citimeve të tjera, mund të deklarojmë me siguri se sipas parimeve të Biblës është jo vetëm e drejtë, po edhe detyre e policisë së Kosovës të futet në kishat dhe manastiret serbe, deri tek altaret, të kontrollojë dhe po qe se ka armë , mjete vrasëse ti largojë ato që atje dhe sipas ligjit të veprojë me personat përgjegjës. Në qoftë se nuk ka armë, të deklarojë botërisht pafajësinë e tyre.

Nuk duhet patur frikë nga hijet, nuk duhet patur frikë nga shenjtëria e rreme.

Historikisht dihet se gjithmonë qëndra e së keqes, koka e gjarpërit është fshehur gjithmonë pikërisht prapa altareve të këtyre kishave të rreme të cilat po ti analizonim sipas parimeve të Biblës, do të na duhej ti quanim kisha të Antikrishtit. Nuk duhet të druhemi ta themi hapur  një të vërtetë të hidhur  cilën  e dimë shumë mirë ne të gjithë, e dimë nga përvoja e hidhur që kemi patur për shumë vite. Këtë të vërtetë edhe Bibla, edhe vetë fjalët e Jezu Krishtit na e pasqyrojnë shumë qartë.

Nuk duhet të paralizohemi nga frika e droje të rrreme. Në qoftë se duam jetën, paqen e lirinë e kombit duhet të kemi dhe guximin të shtypim kokën e gjarpërit, atje ku ndodhet; pikërisht në strofullën e tij. Atje ku ai mendon se është i paprekshëm…

Please follow and like us: