Mesazhi i violinistes së njohur, Ina Kosturit pas trofeut të Vjenës
Po ndaj me ju një lajm të bukur! Fituese e çmimit të tretë me kompozimin e interpretimin e “Koncertit për violinë në la minor” në Amadeus Composition Competition Wien. Mund të bëja komente për nivelin e konkursit, po tingujt magjepës të cellistes Attilia Certinoli, Ratko Delorko e shumë personalitete pjesëmarrëse me vepra të interpretuara në mbarë botën më bëjnë ta gëzoj fitoren pa fjalë. E lumtur mes mjeshtrave të kompozicionit… Pas Sllovenisë edhe në Vjenë vlerësohet koncerti për violinë. Faleminderit të gjithëve që më mbështetën në këtë koncert ardhur pas 30 viteve në muzikën shqiptare! Në ditën e saj të lindjes, nga lart duket se më bekon Irena…
1 shtator 2023.
Një vlerësim tjetër për violinisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ina Kosturi.
https://alb-spirit.com/2023/10/03/pianistja-ina-kosturi-nderohet-ne-dy-veprimtari-nderkombetare/
Kush është Ina Kosturi
Kosturi është diplomuar për violinë në Akademinë e Lartë të Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Itali. Ka dhënë 25 recitale, është autore e katër librave dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh kritikë në shtypin e përditshëm. Ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.
Mbaron me rezultate të shkëlqyera në violinë dhe gjithë lëndët në Liceun Artistik “J. Misja” për të vazhduar studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura nën drejtimin e pedagogëve Pandush e Pirro Gjezi. Ndjek më pas shkollën e gjuhës dhe kulturës italiane “Lorenzo de Medici” në Firence e nëpërmjet saj realizon një audicion në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini”. Vlerësuar nga docenti i violinës pranë këtij konservatori dhe titullar i Katedrës së Muzikës së Dhomës prof. Giovani Tanzini, për kualitetet e një violinisteje sensibël në interpretim, fillon përgatitjet për mbrojtjen e diplomës pranë këtij institucioni. Kthehet në Tiranë për t’u diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve te Bukura e më pas vazhdon studimet në Firenze me prof. Yvette Gregorian.
Diplomohet në Konservatorin “Umberto Giordano” të Foggias. “Giovane albanese si e diplomata al Conservatorio…”, është ky një nga titujt e së përditshmes “Gazzetta del Mezzogiomo”.
Kthehet në Tiranë për të realizuar një sërë recitalesh pranë skenave më të rëndësishme muzikore duke ekzekutuar me orkestrën e TKOB-së koncertin Nr. 2 të Prokofievit nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, sonatat e Grigut, Brahmsit, Frankut, Shumanit, Shubertit, Bahut, nga Koreli tek Stravinskij, e deri tek kompozitorët kontemporanë si Feliciani. Fituese e konkursit të 7 Nacional të Muzikës “Citta di Monopoli”( 1995), venduet e katërta në konkursin “A. Astarita” në Napoli (1996). Në formacionin e duos, violinë e pianoforte, krahas pianistëve shqiptarë ka bashkëpunuar në Tiranë e Itali me pianisten Giovanna Fratta. Mes të tjerash kanë realizuar koncertin inagural të sezonit të 17 koncertor “Amici della musica” të Lucerës. Nga 1994- 2002 ka ekzekutuar në violinat e para të Orkestrës së TKOB. Ne qershor 2003 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Institutit Italian të Kulturës krijon orkestrën e harqeve “Paganini” duke qenë soliste, spalë e orkestrës dhe organizatore e projektit. Në tetor 2003 realizon në Orkestrën Simfonike të RTSH-së koncertin për violine dhe orkestër të M. Bruhut nën baketën e dirigjentes Giovanna Fratta.
Nga viti 1994 është pedagoge e jashtme e violinës ne Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ka marrë pjesë si violiniste në shumë transmetime të RTSH-së dhe ka shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh kritikë (rreth 90) për probleme profesionale të artit e muzikës, komente e analiza në të përditshmet e shtypit. Në vitin 2003 realizon pranë Radio Tiranës një cikël emisionesh me komente të interpretimit të muzikës klasike e asaj violinistike. Në sallën e Akademisë së Arteve, me ndihmën e MTKRS ne datat 25 mars 2006, 3 prill 2006 dhe 9 prill 2006 realizon projektin “Maratona e Muzikës Violinistike”, me tre koncerte recitale, me pianistet Rudina Ciko e Marin Gjollma, përtej traditës shqiptare te interpretimit te një recitali te vetëm. “Përtej Personales”, është libri me përmbledhje artikujsh e studimesh kritike, tetor 2006. Në maj 2007 publikon studimin “Talente të heshtur”. Në 11 korrik 2007 në sallën TKOB realizon Maratonën e Muzikës Violinistike, Edicioni i Dytë, me muzikë nga Bah, Ravel, Escobar etj., me pianisten Rudina Ciko. Në 9 maj 2008 realizon recitalin në nderim të Ministrit të Parë të Postë – Telegrafave, Lef Nosi, me interpretimin për herë të parë Sonatës së Fan Nolit (1937), e vepra të tjera. Në 30 maj 2008, së bashku me pianisten Rudina Ciko realizon Edicionin e Tretë të Maratonës së Muzikës Violinistike, me vepra që interpretohen për herë të parë si Thoma Nasi, Ç. Zadeja, Copland etj. Në dhjetor 2008, realizon në Televizionin Calvin një cikel emisionesh të titulluara “Metronom”, emision i përjavshëm i muzikës klasike, duke interpretuar në violinë e piano veprat e Bahut, Grieg, Shuman, Brahms, Shubert etj., si dhe komentuar live kompozitorët dhe dukuritë e botës muzikore. Në 22 qershor 2009 realizon “Martonën e 4-të të Muzikës Violinistike”, në formacion duo violinë – piano me pianisten Rudina Ciko. Interpreton vepra të panjohura shqiptare si: Papajorgji, Paparisto, Noli, Nasi si dhe vepra premierë Svendsen, Stravinski, Gershëin. Dy DVD të këtij koncerti përfshihen në fondin e Bibliotekës Noliane në Boston për studiuesit shqiptaro – amerikan. Një letër falenderimi nga Katedralja Saint George mbërrin për këtë koncert si ruajtje e trashëgimisë kulturore dhe stafin e Shoqatës “Bota Artit”. Në Panairin e 12-të të librit nëntor 2009 boton Esenë “Pak mall për socializmin”, me shtëpinë botuese Ombra GVG. Më 30 qershor 2010 realizon edicionin e pestë “Maratona e muzikës violonistike” në sallën “Tefta Tashko” pranë MTKRS. Ky recital i duos Kosturi – Ciko në formacionin violinë piano përveç repertorit të larnishëm solli dhe interpretimin e pjesës “improvizim për violinë” të kompozuar nga violinistja.
Në korrik 2011 me votim unanim të Këshillit të Profesorëve në Universitetn e Arteve merr titullin Profesor i Associuar.
Në shkurt 2012 kandidon për postin e dekanit të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Në maj 2012 boton prozën, “Rrëfim në tre kohë” me Shtëpinë Botuese OMBRA GVG.
Në dhjetor 2012 merr çmimin e vitit për barazinë gjinore nga Unioni i Gazetarëve për artikullin më të mirë si publiciste.