Albspirit

Media/News/Publishing

Një këshillë miqësore, as nga zyra shtetërore dhe as nga ato opozitare

Shekspiri

 

Poezia është gjithherë më e vështirë se proza, tregimi, novela, romani dhe jo çdo vjershërim me rimë a pa rimë, me varg të thyer a të pathyer, është krijim poetik me vlera estetike. Në çdo kohë edhe në këtë të sotmen, kushdo është i lirë të thur vargje, por duhet të krahasohet me dikë, që shkruan diç tjetër, të pangjashme, të pakopjueshme, të identifikueshme, të ballafaqueshme dhe kështu me radhë. Pandemia e vjershërimit nuk është vetëm në shqip, nuk ka lidhje me sistemet totalitare, demokratike, monarkike; s’ka lidhje me mirëqënien apo varfërinë, me burgun apo me luksin e të jetuarit, s’ka lidhje me territorin e gjerë apo popullsinë e madhe, s’ka lidhje me jargavitjen apo me kriticizmin, ajo është diçka e brendshme. Zhurmuesit e poezisë janë të ngjashëm në Shqipëri, në vende të tjera të ish lindjes komuniste, në shtete të zhvilluara perëndimore; poetët më mediokër dhe të papërfillshëm janë natyrisht ata që dalin me certifikata ballkanike, europiane, botërore, jashtëplanetare etj. Por kjo pandemi torturuese nuk është vetëm për poezinë, po aq është e ndjeshme dhe e prekshme edhe për pikturën, muzikën, teatrin, filmin, etj. Megjithatë shkruani natë e ditë, ditë e natë, por përballuni me të tjerë në vendet fqinje, në rajon, në Europë, në kontinente të tjerë dhe shpëtoni shpirtin tuaj.

Për mendimin tim fakti që hapërsira shqiptare ka disa poetë të spikatur është një vlerë e çmueshme dhe e mjaftueshme. Një latinist i njohur nga lagja e nënës sime, Dunavati i Gjirokastrës thoshte shpesh: Lexo më shumë e shkruaj më pak që të zësh një farë vendi. Zoti ju ruajtë dhe mos u ndalni duke shkruar dhe duke lumturuar botuesit e shumtë!

Please follow and like us: