Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: E shkreta Shqipëri!

 

 

U hap në vitin 1990 me dëshirën për liri dhe demokraci, si Europa. Bijtë iu vërsulën shkollave të Turqisë dhe Iranit, shkollave fetare, fondacioneve. Dhe sot ta bëjnë kokën dhallë për kuranin, hixhabin etj. Madje të rekrutojnë me zell për të luftuar në Siri. U hapëm për të qënë të lirë dhe për ekonomi, pasi nuk kishim shtëpi komode, nuk kishim mjaftueshëm para e argëtim etj., iu vërsulëm Greqisë, Italisë, Gjermanisë, aq sa nuk ngeli këmbë Shkëlqimi pa u pagëzuar në kokë Fotaqi, kokë Simone a kokë Hansi. Sot kemi totalisht familje lesh e li, ku baba i shëmbi kishat kurse bijtë, njëri u kthye në orthodoks e tjetri katolik. Nuk ngeli komshi pa ndërtuar vilë për inat të komshiut…, njëri si greku, tjetri si italiani dhe ai tjetri si gjermani. Tani ka fshatra bosh me vila bosh me inat bosh me luks bosh dhe me tokë arë djerr e për ibret. U hapëm në 1990 për të drejta dhe liri, mirëpo na përpiu marria e të fortit dhe e pushtetit të përjetshëm, i gjen sot të koklavitur, viktima dhe xhelatë. Në skuadra i gjen, njëri sulmues e tjetri kapiten. Iu vërsulëm blerjes së titujve e diplomave sa sot kemi qytete me grada, por nuk kemi më shkolla as fakultete. E shkreta Shqipëri, flasin për fe dhe fe nuk kanë, ama ia lërojnë nënën për falje publike, ia lërojnë ku ta ketë kopeja, kush e kush të bëj sa më shumë gjak. Kush e kush të ndezë sa më shumë e shumë qirinj. Kush e kush të hiqet më fanatik se papa dhe më fanatik se dhespoti, më fanatik se Muhameti. E shkreta Shqipëri, flasin për patriotizëm, për tradhtarë, për beteja, por kultivojnë në masë kanabis sativa. Flasin për Skënderbeun, Gjergj Aranitin, Isa Boletinin, Ismail Qemalin, Suliotin e Boçarin, a Xhavellën, por nuk kanë ushtri, dhe as që duan t’i dëgjojnë emrin, as duan të shkojnë,  i kërkojnë NATO-s t’i mbroj. Madje së fundi edhe KFOR-it. Shqipëria e shkretë, adhuroj pluralizmin miëpo është kthyer në minidiktaturë porconionesh institucionale. Me poltikanë që në salla konferencash të flasin për De Golin, Çurçillin, por që të heqin qafe në realitet, performojnë si Putini a Bashar al Asadi, Erdogani etj. Ngulen e nuk shkulen, ngrijnë dhe nuk shkrijnë, flen dhe zgjohen kur i teket. I flasin popullit për votë e referendum, por të gjitha i bëjnë vet. E shkreta Shqipëri është sot e gjitha kashtë dhe koqe, nuk e merr vesh i pari të dytin, me patriotë e havardarë…, pleq e plaka, seksionarë dhe anëtarë partish, organizatash, gjoja besimtarë a fetarë. Si Anadolli por pa ekonominë e Anadollit, si Europa por pa ushtrinë dhe habitatin europian, si Amerika por pa vrullin e saj, pa ifrastrukturën e saj ku njerëzit kanë edhe kërre, por kanë edhe trena, aeroporte, ushtri, lëvizje të lirë, kanë votë në dorë etj. Për rrjedhoj lindshmëria është ulur me ”sukses” çdo vit 20%. Është rritur vdekshmëria. Punonim 4 dhe hante 1, sot punon 1 dhe ha 1, veçse nuk është pension, por mëshirë. E shkreta Shqipëri, u nis për në Europë dhe përfundoi në gropë.

Please follow and like us: