Parlamenti Evropian debaton për situatën në Kosovë – thirrje për ndëshkimin e Serbisë
Komisionari evropian për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç tha të martën se ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës janë kambanë alarmi dhe se situata është skajshmërisht serioze.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati në Parlamentin Evropian, pas ngjarjeve 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku një grup serbësh të armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.
“Bashkimi Evropian po ndjek nga afër hetimet në vijim dhe pret që autorët të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve përmes vijës kufitare administrative. Krahas hetimeve është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë edhe më tutje situatën”, tha komisionari Lenarçiç.
Përleshjet shtuan tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarja që u cilësua nga më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në rajon.
“Në këtë kontekst retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur (për sulmuesit që u vranë në përleshje me policinë). Ajo që është e qartë në këtë periudhë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që është në kundërshtim me thirrjet e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri të Kosovës”, tha komisionari Lenarçiç duke nënvizuar se shtensionimi i shpejtë i situatës është më urgjent se kurrë më parë.
Raportuesja për Kosovën në parlamentin evropian, Viola Von Cramon tha se sulmi brutal ndaj policisë së Kosovës në Banjskë është përkujtim se paqja në Ballkan nuk mund të merret si e mirëqenë.
“Ne duhet qartësisht të dënojmë këtë akt të dhunës dhe të bëjmë thirrje që sulmuesit të thirren para drejtësisë. Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte në hetimet dhe të mbajë përgjegjës të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë Milan Radoiçiçin”, tha ajo.
Ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç mori përsipër këtë sulm në fshatin Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë që të martën autoritetet në Beograd thanë se ai u ndalua në lidhje me sulmin.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, tha se për ngjarjet e 24 shtatorit ka nevojë për hetime të duhura dhe vënien e drejtësisë.
“Po, na duhet të zbulojmë atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me 24 shtator dhe topi këtu është te Beogradi, na duhen fakte, fakte të plota dhe jo deklarata emocionuese nga mediat dhe udhëheqësit politik”, tha ai ndërsa kritikoi qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti kundrejt dialogut.
“Nëse e shohim në një pamje më të gjerë, dua ta them qartë se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet dialogu ka ngecur dhe nuk po lëviz në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për çështje praktike siç është themelimi i Asociacionit të komunave serbe apo zgjedhjeve të reja të besueshme në veri të Kosovës. Dhe po e thotë këtë, një njeri si unë që është kritik i hapur dhe i shpeshtë i Serbisë në shumë çështje, duke përfshirë tensionimet e fundit”, tha ai.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç”.
“Nëse njëherë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër ai shkon një shkallë më larg. Krejt çfarë BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.
Deputeti kroat në Parlamentin Evropian, Tonino Picula u shpreh kritik për mungesën e qasjes së pabarabartë të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Ne kemi parë masa kufizuese për Kosovën. Të paktën masa të njëjta ose më të zgjeruara duhet të zbatohen për Serbinë pas ngjarjeve të fundit… Nuk mund të kemi politika të tilla divergjente ndaj Serbisë dhe Kosovës në mesin e shteteve tona anëtare, më në fund mund të ndalojmë financimin e projekteve infrastrukturore nëse nuk ka përmirësime në bazat dhe dispozitat e dialogut”, tha ai.
Deputeti bullgar Ilhan Kyuchyuk, tha se mesazhi duhet të jetë i qartë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe administratës së tij “se shfaqja ushtarake dhe përshkallëzimi i tensioneve nuk janë rrugë përpara, kështu që është koha të bashkojmë forcat tona kundër regjimeve totalitare në rajon”, tha ai.
Deputetët e parlamentit evropian ngritën shqetësimet për grumbullimin e forcave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën ndërsa kërkuan nga autoritetet në Beograd që të largojnë forcat.
Ata u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të shmangin çdo përshkallëzim të situatës.
Parlamenti Evropian pritet që gjatë këtij muaji ta miratojë dhe një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.