Valbona Kolaveri: Parandjenjë…
Mozaikë ngjarjesh në jetën tonë na japin reflekse të pashpjegueshme parandjenjash, të cilat më pas me konfigurimet e tyre na çojnë në perceptime të veçanta ndijimesh shpirtërore që lidhen me familjarë apo të afërm rreth nesh. Nuk e di nëse perceptorët e mi shkojnë drejt këtyre ndijimeve, apo këto episodikë ngjarjesh të mbledhura shuk më bënë të mendoj gjatë pas kësaj, por parandjenjën para se im atë të ndërronte jetë e përjetova në shumë momente gjatë asaj jave, para se vakia të ndodhte. Marr shkas të hedh të tillla kujtime me ngasje pasi shpesh herë i kujtoj si nën habi me veten, me pyetjen pa përgjigje të shpirtit që reflekset e vunë në vakume ditësh e netësh, me zbraztësinë e trupit që ecejaket i bënte të pakuptimta. Ishte pothuajse jo shumë para ngjarjes momenti kur kisha të tilla këputje shpirtërore të cilat më ndiqnin këmba-këmbës si për të më shkundur e për të më dhënë sinjalin. Më dukej sikur më këputeshin gjunjët dhe hera herë qaja pa shkas edhe kur nuk isha nën shoqërinë e askujt, madje edhe sikur dita tē mos kish pas ngjarje rastësore që të më bënin të ndihesha keq. Pas kësaj kujtoj netët që mblidheshin nën jorgan rrokopujë me mori ëndrrash me grumbuj njerëzish të veshur me të zeza ku unë isha e pranishme me patjetër në to. Por çudia më e madhe do ish në momentin para ndarjes përfundimtare, ku unë kisha shkuar në spitalin ku ai qe shtruar për shërbimet mjekësore, pasi kish pësuar një parainfarkt, ku sëmundja e diabetit prej 7 vitesh e kish dërrmuar plotësisht dhe një grip i sezonit e kish goditur dhe me sëmundjen e zemrës prej së cilës në fakt ai vuante herët. Qëndrova gjithë natën zgjuar aty me mamin, pasi familjarë të tjerë kishin qëndruar gjatë ditës, e ne na u desh t’i ndërronim në mënyrë që secili prej nesh të mund t’i shërbente sa më mirë. Pak kohë flinte, madje aspak të them pasi reagimet e trupit i kishte të atilla që e shqetësonin vazhdimisht. Në ato pak momente që ndihej mirë, nuk e harroj por për çudinë time ai rikujtoi si të kish përpirë jetën në trurin e tij në pak çaste nën rrëfim ku prekte çdo episod shkurtimisht të ngjarjeve më të rëndësishme, sidomos fëmijërinë në vendlindje. Nuk mu dha asnjëherë t’i thoja po pse pikërisht sot i po kujton këto. As në momentin kur bëri kërkesë t’i blinin një palë këpucë të reja, se sipas tij medoemos i duheshin, kur këpucët ai kish 7 vite që nuk i përdorte pasi lëngonte nga sëmundja e cila nuk e lejontë të dilte jashtë. Si duket ishin këpucët e ikjes…
Dhe për të mos e harruar ndarjen me të në mëngjes. Pasi i dhamë mëngjesin ai pushoi për pak, e pashë që ishte pak më mirë. Duke hezituar i them: Nuk të vjen keq të largohem për pak se më duhet të shikoj fēmijët që i kam lënë vetëm. Ai më pa në sy ngutshëm si për të më thënë po ti pak ndenje. Mu përgjigj ngeshëm si ai e kish zakon, mirë me babin por besoj do vish shpejt. Kjo fjala shpejt më cungoi shpirtin, aq sa kur e përqafova dhe dola te dera doja të rikthehesha prap për ta përqafuar prap sikur ta ruaja kujtim atë përqafim për të fundit herë, ku i them shumë shpejt do të jem prapë këtu.
Dolëm me bashkëshortin shkallëve, unë e përlotur tek i them atij,më vjen të shkoj ta përqafoj sërish se më duket sikur kur të vij nuk do e gjej më, atë ndjesi boshllëku kam. Ai nuk mu përgjigj si për të më pohuar një gjest ngushëllues. Nga ajo ditë nuk vonoi shumë dhe mora përgjigjjen e gjithë parandjenjave të mia. Ne orën 6 të mëngjesit datën e 14 Shkurtit mu dha lajmi për humbjen e tij. Nga ai çast një copë shpirt humbi jo vetēm parandjenjash, por dhe kujtimesh që më përlotin sa e sa herë, sepse shpirti flet mē mirë se çdo gjuhë e shkruar apo e folur duke u dhënë tërësisht në shpirt.