Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Xhevat Lloshi, i dashuruar përgjithnjë me gjuhën shqipe

I lindur në Fier në vitin 1938, ai studio për gjuhë dhe letërsi ruse në universitetin e Tiranës, punoi mësues i thjeshtë i gjuhës dhe i letërsisë për tri vjet rresht, kreu studimet pasuniversitare me temën “Analiza stilistike e leksikut të shqipes”, u bë drejtues kërkimesh, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë (pranë Akademisë së Shkencave), kryeredaktor i së përjavshmes letrare “Drita”, përgjegjës dhe drejtor i Qendrës së Enciklopedisë etj.
Është zotërues i disa gjuhëve. Me firmën e tij figurojnë një sërë librash, mes të cilave “Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht e latinisht-shqip”, “Si të shkruajmë shqip”, “Rreth alfabetit të shqipes” “K. Kristoforidhi, Bibla në gegërisht”, “Letërsi dhe gjuhë shqipe”, W. Martin-Leake për shqiptarët dhe gjuhën shqipe”, “Kristoforidhi përmes dokumentimit”, “Stilistika dhe pragmatika”, “Fjalor frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë”, “Kosova në vështrim enciklopedik”, “Mbështetje për gjuhën letrare”, “Antologjia e fjalës së mençur”, “Njohuri nga teoria e letërsisë dhe stilistikës”, “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp” etj.
Në veprimtarinë e gjatë studimore dhe shkencore të profesor Lloshit zënë vend edhe një sërë redaktimesh të librave të rëndësishëm si fjalori pamor tri-gjuhësh, Enciklopedia e Elbasanit, fjalori shqip-gjermanisht, fjalori shqip-anglisht, fjalori i bujqësisë në katër gjuhë, fjalori shqip-frëngjisht, fjalori mjekësor latinisht-shqip, ndërsa është redaktor i përgjithshëm i botimit të veprës së plotë të mendimtarit rilindës, Sami Frashëri (botoi Logos a, Shkup).
Nuk janë pak, por më shumë se 20 libra dhe broshura të profesor Lloshit të botuara në gjuhë të huaja, ndërsa ai është ende aktiv në simpoziume dhe evenimente të ndryshme ndërkombëtare. Pasioni i kahershëm i njohjes së gjuhëve të huaja dhe si një nga kalorësit më të dashuruar me gjuhën shqipe, ai ka përkthyer më shumë se tridhjetë vepra.
Please follow and like us: