Albspirit

Media/News/Publishing

Thirrje për miqtë e mi fotografë të botës së egër

 

Edmond Kaceli

Thirrje për miqtë e mi fotografë të botës së egër

-Në mos paça të drejtë ju kërkoj falje!

 

Prej kohësh, fotografët shqiptarë të natyrës së egër, pjesa më e madhe e tyre jashtëzakonisht të talentuar e me plot ëndrra, vullnet e pasion të përbashkët për natyrën e trojeve shqiptare, dhe për natyrën e egër në përgjithësi, po kalojnë sëmundjen e ndarjes, që rëndom prek shqiptarët!

Gjithësecili kërkon të lavdërojë veten dhe miqtë e afërt, duke harruar qëllimin e përbashkët të fotografëve të botës së egër që është e mbetet evidentimi i specieve të egra, mbrojtja e tyre dhe habitatit të tyre, shkëmbimi i përvojave, ekspot e përbashkëta promovuese të realizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjërë!

Por kjo dashuri dhe vrull i fillimit është lënë në plan të dytë, apo të tretë!

Po të ndjekësh grupet, nëngrupe, e stërgrupet e krijuara pas suksesit të madh që pati grupi i Albanian Wildlife Photographer, dhe organizata me të njëjtin emër, kupton se përçamja, ka mbërthyer fotografët që mendojnë se gjithësecili është në të drejtën e vet! Por pa qenë të aftë me u ulë me njëri -tjetrin e me shoshitë mosmarrëveshjet!

Secilit në grupin e vet i duket vetja më i miri!

Sa i takon më të mirit kisha me dashtë me thanë se “Unë jam fotografi më i mirë i natyrës së egër këtu ku jetoj”! Komuna, një si punë fshati, sipërfaqja 4 km katror, Albaretto della Torre, Itali, numëron 214 banorë! Mos t’iu duket pak se këta 213 banorët e tjerë, i përdorin iphone-t e smartphone-t në mënyrë të përsosun kur bajnë foto! Pra ka konkurrencë të madhe!

Kisha me thanë se jam edhe poeti ma i mirë i këtij fshati të bukur, por ka dalë një djalë i ri, vendali, që shkruan vargje fort ma bukur se unë!

Dhe jam shumë i lumtun, se me më çua rreziku me ra në qytetin më të afërt, Alba, që numëron mbi 31 mijë banorë, nuk e di a më pjerdh kush!

Nuk po diskutoj për vendlindjen time, një tjetër fshat, disi më i madh, (Shënkoll, Lezhë, Shqipëri,) zor se më lënë edhe në vendin e fundit!

Si fotograf, se poet apo gazetar, i kam edhe të paktën nja dhjetë -njëzet të tjerë që rreshtohen para mejet! Gjithmonë në rrethin katror: Pllanë -Zejmen -Shënkoll- Rrilë!

Jena ba ma keq se partitë politike! 30 fotografë, (afërsisht) shqipfolsa, te pasionuar mbas botës së egër ndahna në 50 grupe!

Kujtojme se bota sillet përreth nesh! Bota ka fotografë të mëdhenj të natyrës, sa me mbushë trenat, e na, të gjithë bashkë, as një autobus njëkatësh, nuk e bajmë!

E nuk jena aq të mëdhenj sa na ka hy vetja në hesap!

Respekt për të gjithë ata që respektojnë pasionin tonë, e respekt për kush ka vullnetin e mirë me kenë të gjithë bashkë edhe kur kemi mendime të kundërta!

Lërini egoizmat se kush ka të drejtë e kush jo; se kush është i pari e kush është i fundit; se kush ka më shumë ndjekës e kush më pak! Kjo na len vetëm në vendnumëro e nuk shkojmë askund!

Jetoni bre, (Për hatër të Zotit dhe Natyrës!) në paqe me natyrën, me vetin, me miqtë, dhe me njerëzit që ju rrethojnë! Se edhe shpendët e një llojit kur fluturojnë në grup ndihen më të mbrojtur, më të bukur, më të fortë!

Ju paça!

Please follow and like us: