Qerim Vrioni: Luan Mulliqi—një foto dhe disa rreshta
Këto ditët e fundit u nda nga jeta në Amerikë skulptori i njohur nga Prishtina, Luan Mulliqi (Gjakovë, 1953). Ai kishte kryer studime për skulpturë, fillimisht në vitin 1977 në Akademinë e Arteve në Prishtinë, mandej thelluar ato më 1978 në Akademinë e Arteve të Beogradit. Luan Mulliqi ka lënë shumë vepra të goditura skulpturore, nëpër galeri, muze arti, sheshe e mjedise publike në të dy anët e Drinit, por edhe më gjerë. Përmendim ndër to vetëm “Shtatoren e Nënë Terezës” në Qafën e Thanës, që dikur ishte në aeroportin e Tiranës. Po ashtu, vepra skulpturore të Luanit u janë dhuruar figurave të tilla botërore si Papa Gjon Pali II, Bill Clinton, Mbretëresha Elisabeth II, Sekretares Albright, Princesha Diana, presidenti turk Sulejman Demirel etj. Me rëndësi në krijimtarinë e Luan Mulliqit, mbetet edhe fryma moderniste që futi në skulpturën shqiptare. Për disa vite, ai ka kryer me sukses detyrën e drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës.
Sëmundjen e tij e dija prej 2-3 javësh, kur kërkesës sime për t’u lidhur me të iu përgjigj nga Prishtina i biri, Drini, duke më shkruar se i ati është i sëmurë rëndë. U hidhërova nga lajmi i trishtuar, vetëm se nuk besoja që do ikte kaq shpejt, kjo më habiti dhe pikëlloi mjaft.
Në arkivin tim fotografik, këtu ku ndodhem, gjeta vetëm një foto me Luanin, që po e bashkëngjis. Kjo foto daton shtator 2008, gjatë shpalljes së fituesittë “Çmimit Gjon Mili” të konkursit ndërkombëtar vjetor të fotografisë me të njëjtin emër të Galerisë së Arteve të Kosovës. Më poshtë një historic i shkurtër për këtë foto, me shumë gjasë e shkrepur nga fotografi i Galerisë, Enver Bylykbashi, të cilit i jam mirënjohës.
Nga fundi gushtit 2008 më erdhi në Tiranë, një email nga drejtorii GAK Prishtinë, skulptori i dëgjuar Luan Mulliqi, të cilin e kasha takuar njëherë me disa miq në Tiranë. Në email njoftohesha se isha zgjedhur si studiuesiI fotografisë nga drejtoria e Galerisë, antar në jurinë e konkursit “çmimi Gjon Mili”, si dhe mënyra si duhet të udhëtoja për në Prishtinë me avion, pritja në aeroport, akomodimi në “Hotel Grand” etj. Iu përgjigja pozitivisht ftesës, duke e falenderuar për zgjedhjen time dhe në datën e caktuar mbërrita në aeroport, ku më priste një shofer taksie me një tabelë me emrin tim, me makinën e të cilit arrita në hotel, ku ishte rezervuar dhoma ime. Në hollin e hotelit më priti Luani.
Mandej, shkuam në GAK, ku takuam poetin dhe piktorin e dëgjuar Rexhep Ferri dhe sekretaren Liri Bulqi e pas bisedave të rastit, shkuam të tre për kafe si miq të vjetër. Aty, ndër të tjera, Luani më njoftoi edhe emrat e antarëve të tjerë të juries së konkursit; kineasti dhe fotografi i njohur Afrim Spahiu dhe një studiuese hungareze e fotografisë.
Gjatë 2-3 ditëve të qëndrimit tim në Prishtinë, u takuam edhe disa herë me Rexhep Ferrin e bashkë të tre konsumuam disa orë në locale të ndryshme, natyrisht shoqëruar me biseda të gjalla për artet, skulpturën, pikturën, fotografinë dhe poezinë, fushat kryesore që lëvronim ne. Në datën e caktuar më herët, u hap ekspozita-konkurs “Çmimi Gjon Mili”, me mjaft foto të arrira, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Ajo u vizitua me mjaft kërshëri nga dashamirë të shumtë të fotografisë dhe pati jehonë në mediat e Prishtinës dhe të Tiranës.
Një mbrëmje para hapjes së ekspozitës, u takuam me drejtorLuanin, i cili pasi na përgëzoi për detyrën e caktuar dhe seriozitetin në trajtimin e fotove, e mbylli kur foli shkurt: “Tani është rradha juaj- na tha Luani të treve të jurisë- vendosni e ta shpallim fituesin”.
Ndërkohë i kishim shikuar e rishikuar disa here fotot konkuruese në ekspozitë e kishim mbajtur shënime. Njoftimi i fituesit po pritej me hamendje dhe diskutime të ndryshme nga dashamirët e fotografisë dhe vet fotografët pjesëmarrës në konkurs. Pas pak diskutimesh midis tre antarëve të jurisë, e kishim vendosur unanimisht që “Çmimi Gjon Mili 2008” t’i jepej fotos “Fëmijët e Krushës” të fotografes shqiptare nga Maqedonia, Mimoza Veliu.
Njoftimi i emrit të fitueses prej meje, si antari më e vjetër i jurisë, u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërkohë që Luani na përgëzoi të treve për kryerjen e detyrës së ngarkuar. Përzgjedhja si fituese të fotos “Fëmijët e Krushës” nga ana e juries atëherë, rezultoi e goditur, sepse fotoja prej atij viti përdoret shpesh në shtyp dhe media si symbol pamor i krimeve serben daj popullsisë civile shqiptare.
Bash, një cast nga shpallja e emrit të fituesit, ka përjetësuar fotoja, ku Luani duket pak i lodhur, por dhe i çliruar nga ankthi i përfundimit me sukses të veprimtarisë së njohur për fotografinë. Gjithsesi, edhe kjo foto do të më kujtoj përherë me mirënjohje figurën e ndriturtë Luan Mulliqit.
I paharruar kujtimi i tij!