Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Deshnica: SEKRET, TEPËR SEKRET!

 

Atëherë u ndërtuan rreth e qark vendit, aq shumë bunkerë sa s’numëroheshin dot. Sheshet e ndërtimit u mbushën fytas me ta. Dhe, ç’ishte më e çuditshmja, bunkerët ishin sekret ushtarak! E ky qenkësh i shenjtë!

Mjaft djem besnikë e ruanin sekretin me fanatizëm.

Kur ndonjë prej tyre kthehej me leje në shtëpi me uniformën e marinarit, e rrethonin shokët dhe e pyesnin për jetën në marinë.

– Sa shokë ke në fjetore ti, Sofo?

– Është sekret ushtarak, mos më pyesni, s’jua them dot!

– Mirë, po kepele si kjo, që ke sot, a ke tjetër?

– Edhe ky është sekret!

Sa herë dilni në det me motovedetat ruse atje? Sa të shpejta janë ato?

-Aaaa,ç’ju qenka shkrepur kështu? Ç’më jeni qepur me këto pyetje, për të zbuluar  sekretet ushtarake?!

Kështu ndodhte edhe me bunkerët. Sekret – numri i tyre, sekret – kostoja e tyre, sekret – vlera!… Projektet e bunkerëve ruheshin nëpër  kasaforta të fuqishme, siç qenë edhe ata vetë. Megjithatë, udhëheqja  e partisë përhapte fjalë nëpër popull se çdo bunker u takonte jo më shumë se tre vetëve. Kaq i madh ishte kujdesi i shtetit për njeriun, si kapitali më i çmuar! Pra, ata, bunkerët siguronin strehimin dhe fjetjen e tërë shqiptarëve, në raste sulmesh të papritura me topa, tanke e bomba nga ana e armikut, i cili, sikurse dihej, edhe kur uji flinte, ai rrinte zgjuar. Dhe ishin aq të fortë bumkerët tanë, saqë nuk pyesnin as për bombën atomike. Dhe kjo s’ishte fjalë e kotë, se qenë bërë prova. Paskëshin futur brenda në bunker një kec të gjorë  dhe e kishin qëlluar me topa të kalibrit të rëndë!  Populli nisi të sajonte për bunkerët emrat: “Këpurdhë betoni”, “thelë portokalli”, “hotel pa para”… Kur ndonjë udhëtar e zinte nata rrugës,  ia merrte me gjumë në bunker si s’ka më mirë. Por, bunkerët e bregdetit shërbenin gjatë verës për bukuri edhe si vila të posaçme. Veç, nuk mungonin edhe rrugaçë, që i përdornin për të kryer nevojat, duke i ndotur e përdhosur.

Lamçe Guri, nga fshati Darzezë ngjitur me Banjën, u shkoi pranë katër ushtarëve, që po ndërtonin një bunker në bahçenë e tij.

– Puna e mbarë, or djem! – u tha.  – Ju lumshin krahët!

– Mbarë paç, xhaxha! – ia kthyen uishtarët.

Lamçja iu drejtua ushtarit më të gjatë:

– T’i je i pari i këtyre, or bir?

– E, unë jam!

– Po nga të kemi?

– Nga Shëmbërdhenji.

–  Si të thonë?

– Kamber!

– Ta gëzosh! Po yt atë ç’emër ka?

– Isuf Holta.

– Ua, ua! Po pse çuni i Isufit qenke ti!? Po unë jam mik me babanë tënd, ore, mik e shkuar mikut!

Tha kështu Lamçe Guri dhe doli tek donte:

– Sa kohë, xhanëm, do të qendrojë në mes të bahçesë time ky bunkeri?

– Ç’të të them! Më sa di ti, dimë edhe ne, që po e bëjmë!

– Po, ele – ele, sa bunkerë  janë ngritur gjer tani në fshatin tonë?

– Aaaa, këtë pyetje mos ma bëj, të lutem shumë! Është sekret ushtarak!

– Jo, or, jo! Por, a më thua dot se me tërë atë çimento e hekur, që ka  ky bunker, a u bën dot ballë gjyleve të topit?

– Sigurisht, sigurisht! Se nuk kursehet gjë për bunkerin! Me materialet që ha ky, mund të çohet në këmbë një shtëpi me dy kate!

– Pa shiko, pa shiko! E po, duke i pasur këta, na e marrka të keqen armiku, thuaj!

Të nesërmen, sapo hëngrën groshën e mëngjesit, oficeri  i mensës e njoftoi ushtar Kamberin që të paraqitej menjëherë në zyrën e  komisarit.

Kamberi shkoi dhe, kur arriti, sapo hapi derën e zyrës, u gjend përballë tre oficerëve pa kepele.

– Shoku komisar, sipas urdhërit tuaj, ushtar Kamber Holta ju paraqitet! – tha ai në qëndrim gatitu, duke nderuar me grusht mbi vsh.

Kaluan disa çaste në heshtje, pastaj komisari u ngrit në këmbë dhe, ndryshe nga herët e tjera, i bërtiti:

– Je i arrestuar! Merr vesh? Të hënën do të dalësh para gjyqit ushtarak!

– Unë!? Pse!? Ç’paskam bërë!?

– Ke guxuar të nxjerrësh jashtë sekretin ushtarak për bukerët dhe je marrë me axhitasion e propagandë!

– S’është e vërtetë, shoku komisar!

– Hajt, pusho, se nuk ia fusim në tym ne! Kemi dëshmitarë tre ushtarët që punojnë me ty dhe Lamçe Gurin nga Darzeza! Tani e pata këtu, në zyrë!

Kamberi u trondit. Njëri prej ushtarëve ishte shoku i tij më i ngushtë, kurse Lamçja, siç i tha vetë, qenkësh mik e shkuar mikut me të atin!

 

 

Please follow and like us: