KINEMAJA ËSHTË ËNDRRA QË SHTON ËNDRRAT NË ÇDO MOSHË!
Mevlan Shanaj
Në vitet e fundit, por jo të fundit fare, pra në këto gati 20 vjetët e fundit dëgjohet të thuhet se në kinema nuk po duken aktorë të filmit si në vitet kur kinemaja shqiptare pati një hop cilësor si në prodhim të filmit dhe shpërthim të një numuri aktorësh. Vazhdon jehona e arritjeve të karaktereve të shumë e shumë aktorëve të filmit dhe teatrit! Në se ndjekim teatrin duhet ta pranojmë se këto vite jo vetëm kanë spikatur aktorët me përvojë, por kemi një rritje të numurit të aktorëve të rinj që po flasin me profesionalizëm! Në një kuptim real garën e ka fituar skena krahasuar me ekranin! U bënë vite që ka zbrazëti “talentesh”, i fundit që u duk si një talent ishte djaloshi simpatik Kreshnik Xhelili, që na humbi ekraneve të Europës! Ndoshta edhe Olta Gixhari, me zig zaget e saj! Të tjerë që të kenë shënuar mbresa nuk po më kujtohen! Mund të jetë edhe nga mënyra e shpërndarjes së prodhimit të filmave apo edhe të kujtesës sime! Apo ndoshta prodhimet e fundit janë ende jetë shkurtër? Pra është diçka që çalon?! Mendoj se mungesa e “heronjëve” të ekranit është një zbrazëti e ndërlikuar për kulturën e një shoqërie. Më befasojnë njerëzia lidhur me nostalgjinë për filmat e para ‘90. Ky komunikim tani në verë është kaq i zakonshëm nga ata që vijnë për pushime dhe kanë mall për çdo gjë të këtij vendi! Lidhet me jetën e tyre, e shkuara (e nemura), por ja që siç thuhet gjuha vete ku dhemb dhembi! Disa herë vihesh në pozita me shprehjet e njerzëve! Ju duam ju artistëve se me filmat tuaj jemi rritur! Ne ato filma vazhdojmë shikojmë! Nuk vijnë më artista si ju, të thonë pa rreshtur! Epo, u them, vetëm ato kishit dhe jeni mësuar! Këto kërkesa të shikuesve për ekranin janë të pandalshme! Që kur erdhi kinemaja shoqërisë njerëzore nuk i kanë munguar modelet e frymëzimit të njerëzimit! Kinemaja është ëndrra që shton ëndrrat në çdo moshë! Kjo e drejtë nuk funksionon prej vitesh në shumë Kinema të Shqipërisë!
https://gazetadielli.com/?s=mevlan+shanaj