Albspirit

Media/News/Publishing

‘Dieta’ e suksesit 25-vjeçar nga Dr. Anila Kalleshi

Sukses do të thotë që në çastet më të vështira të jetës tënde ti merr vendimin e duhur.

Ne flasim çdo ditë për vlerat e kujdesit fizik dhe mendor. Por ky artikull i përket dikujt që për 25 vite, ka qenë e dedikuar dhe e përkushtuar çdo ditë, për të studiuar dhe analizuar çdo informacion që lidhet me shëndetin fizik, mendor, por edhe shëndetin e zemrës.

E bukur në linja dhe në shpirt, Dr. Anila Kalleshi, prej shumë vitesh, ka ‘shtruar një rrugë’ në dietologji dhe në fushën e mirëqënies në vend. Një fener që ka lëshuar dritë mbi shumë informacione dhe zgjidhje për çdokënd që ka problematika në shëndetin fizik apo për ata që duan ta mirëmbajnë atë.

Në zyrën e saj, aty ku ora për të ndalon, muret janë të veshur me kornizat e certifikatave dhe specializimeve që Anila ka ndjekur ndër vite dhe janë arsyeja e triumfit në ‘dietën e së bukurës’.

CLASS u bë pjesë e zyrës për ‘të rrëmbyer’ disa informacione në lidhje me këtë grua dominante në profesion edhe në jetë.

‘Çfarë e krijon këtë besim kaq të madh tek klientët kundrejt teje?’

Kjo pyetje gjendet në rreshtat e intervistës, pasi gjithnjë është vënë re, edhe në forma virtuale, energjia e mirë që Dr. Anila krijon me klientet e saj.

Nuk na u desh shumë kohë, që gjatë bisedës, ta gjenim vetë përgjigjen.

Përveçse, një klient, mund të gjejë zgjidhjen në ekspertizën që Anila zotëron, gjen këshilla të mençura dhe një rreth virtuoz të intelektit dhe pasionit që ajo ka në punën që bën.

Anila, e cila ka qenë dhe është drejtuese e suksesshme prej 25 vjetësh e ‘Anila Kalleshi Center AKC’, si edhe President of Albanian Lifestyle Medicine Association, është një grua shqiptare me shumë çmime ndëkombëtare.

Ne prekëm edhe anën e Anilës si nënë. Frankli është djali i saj, siç ajo e pëshkruan, një burim i pastër drite dhe kënaqësia më e çmuar.

Nëpërmjet disa pyetjeve, ne donim të merrnin diçka më tepër, përtej asaj që Anila shfaq çdo ditë me vizionin e saj të palëkundur.

Si i përshkruan me një fjalë këto 25 vite?

TRIUMF

Në këto 25 vite kam pasur privilegjin që të përjetoj momente magjike dhe plot emocione, përballje mjaft të vështira por edhe mbresëlënëse. Anila Kalleshi’s Center ishte një sfidë që i bëra vetes sime dhe ia kam dalur më së miri, pasi tashmë AKC është një brand i njohur ndërkombëtarisht.

Paralelisht me të nuk ndalova së kualifikuari e së shkolluari, pa lënë mënjanë performancat e mia televizive që nuk janë pak ( 4980 dalje publike në të gjitha mediat shqiptare)

Pika jote më e fortë?

Unë nuk e njoh fjalën ‘nuk mundem’ në profesionin tim. Në çdo gjë i them Anilës “ You will” dhe nuk njoh asnjëherë hapa mbrapsht.

Sa kalori të janë dashur për të përballuar sfidat?

Sa kalori?! Pafund! Netë të tëra pa gjumë, orë të tejzgjatura në punë, por jam e lumtur që çdo sfidë e kam superuar me sukses.

I ke arritur qëllimet e tua?

Nëse ti do të arrish të bëhesh dikushi në jetë së pari duhet të përcaktosh saktësisht se çfarë do të arrish. Mund të përpiqesh gjithë jetën tënde dhe vjen një moment ku pyet veten se për çfarë jam përpjekur deri tani! Suksesi nuk ka të bëj me faktin se sa para ke, pa diskutim që paratë janë një tregues i asaj se sa ke arritur, por sukses do të thotë se sa vlera ke ndërtuar si njeri. Sukses do të thotë që në çastet më të vështira të jetës tënde ti merr vendimin e duhur. Dhe unë ia kam dalur më së miri.

Sipas Anilës, çfarë i duhet një gruaje për të qenë e sukseshme në biznes?

Përkushtim, sakrificë, impenjim dhe padyshim ta dashurojë deri në adhurim punën që bën.

Për dikë që nuk e njeh mund të duket e tepruar, por sakrificat, mundi, orët e tëra me studime, me përqëndrime në zyrë, në një kohë kur moshataret e mia ishin kafeneve të Tiranës, unë fatkeqësisht këtë gjë ja kam mohuar vetes. Kam mohuar festat, kam mohuar organizimet e ndryshme, drekat dhe darkat jashtë me miqtë, ja kam mohuar gjithçka vetes, për të arritur këtu ku jam. Çdo gjë ja vlen në fund!

Sa vjeç ndihesh?

E kam jetuar jetën në të gjitha dimensionet, ndaj padyshim nga kjo jetë kam marrë maksimumin. Sa ndihem?! Ka njerëz që vegjetojnë, harxhojnë jetën kafeneve të bllokut, pa punuar një ditë në jetën e tyre dhe kjo është përtej asaj që unë mendoj për jetën. Nuk jam nga ato që do të doja të thoja: ‘ah sikur të isha 20 vite më e re’. Nuk do të doja të ndryshoja asgjë nga jeta ime.

Sa kohë shpenzon në ditë për veten?

Shumë pak! Rutina e mëngjesit, një tualet dhe kaq është gjithçka.

Suksesi në biznes dhe profesion, të ka sjellë probleme në familje?

Absolutisht jo. Kam mësuar se si ta ruaj balancën midis të dyjave dhe mendoj që çdo njeri që ka karrierë dhe familje mund ta arrijë.

Pse ndihesh krenare sot?

Gjithçka kam bërë në jetë më ka bërë të ndihem e vlerësuar dhe kjo nuk është pak. Kam arritur të takoj të gjithë idhujt e mi të fushës së dietologjisë, kam arritur të kem një post graduation në Harvard Medical School.

Kemi dëgjuar që pacientet/klientet janë gjithnjë të lumtura dhe vështirë se shkëputen më nga klinika, ku qëndron sekreti?

Përpiqem t’i ndihmoj maksimalisht të superojnë me sukses problemet shëndetësore, mbipeshën, nënpeshën, patologjite kronike.

Si është Anila si nënë?

Kam një marrëdhënie të jashtëzakonshme me tim bir! Çdo nënë do ta adhuronte këtë raport që kam me tim bir! Frankli është bekimi im! E adhuroj në çdo qelizë dhe në çdo moment e ndjej që ia kam dalë me së miri me edukimin dhe shkollimin e tij. Është adoleshent, dhe çdo prind është i tmerruar në këtë faze, por Frankli im më ka bërë të mos e ndjej fare këtë periudhë të tij. Tolerancë, mirëkuptim, dashuri dhe konfidencë.

Po bashkëshorti ndihet i lumtur për arritjet e tua?

Padyshim, i lumtur dhe shumë krenar.

Arritja më e madhe?

Familja dhe biznesi që kam krijuar!

Sfida më e madhe?

Periudha kur kam dhënë leksione studentëve të mjekësisë në Universitetin e Amerikës Latine. Sfida e rradhës, dhënia e disa leksioneve nga ana ime në Harvard Medical School.

Çfarë u thua më shpesh njerëzve që kanë kompleks peshën dhe pamjen e tyre?

Bukuria e një personi nuk qendron tek pesha. As shendeti. Njoh persona në peshe ideale me probleme të theksuara depresioni, anemie, vezore policistike, etj.. Ashtu sic njoh persona mbipeshë që gëzojne shëndet të plotë. Mbipesha ka një sërë arsyesh që mund të jetë prezente tek dikush. Ndaj paragjykimin për të mund ta bëjnë vetëm njerëzit e vegjël në mendje e në zemër.

Pse rezultatet e tua janë gjithnjë të suksesshme?

Sepse këshillat që jap janë të bazuara në shkencë dhe jo në këshilla për Likes, klikime apo viralitete. Edhe pse sot bota sot po orientohet ndaj antivlerës, unë besoj që asgjë nuk mund të të zhyse e të të përdhosë drejt paaftësisë dhe budallalliqeve.

Na zbulo një plan për të ardhmen…

Së shpejti do të dalë ne treg libri im i 13-të mbi ushqyerjen dhe dietat për sëmundjet autoimune.

3 fjalë që e përshkruajnë Anila Kalleshin…

Avantgard, sensitive, e guximshme.

Prindërit e tu, dy emra shumë të njohur Prof. Faruk Kalleshi, me titullin ‘Nderi i Kombit’ dhe mamaja Liljana Kalleshi artiste në Teatrin Migjeni, e nderuar me Urdhrin Kalorësi i Skënderbeut së fundmi. Çfarë përfaqësojnë ata për ty?

Unë rrjedh nga një familje me shumë kërkesa ndaj meje, edhe pse që ditën që kam lindur e deri tani nuk më ka munguar kurrë asgjë, madje kam patur shumë shumë më tepër se moshataret e mia.

Por prindërit e mi ( heronjtë e mi) më kanë edukuar deri në vena që:

– në jetë nuk duhet të ndalosh kurrë,

– që qyli i përket njerëzve pa moral, pa identitet,

– që emrin duhet ta fitosh vetë,

– që shkollimi, studimet janë një pasaportë diplomatike që ia thyen dhunshëm turinjtë injorancës,

– që hapat mbrapsht tregojnë fundin tënd,

– me punë, vullnet e sakrificë arrihet gjithçka

– që thjeshtësia është virtyt i atyre që e kanë jetuar jetën në të gjitha dimensionet.

– që t’i qendroj besnike fjalëve që them, e mos të hapem ‘si vaji në lakra’

– se yjet janë bërë vetëm dhe vetëm për të ndriçuar .

Kjo është shkolla më e mirë e jetës që familja ime më ka mësuar!

Një mesazh për njerëzit që të kanë mbështetur në këtë ‘andërr’

Mirënjohëse deri në frymën e fundit për suportin që më japin të gjithë. Jam më e lumtura në botë ku ngado ku përmendet emri im nuk ka absolutisht një koment negativ, përkundrazi.

Dhe kjo është një arritje në këtë botë me diversitet mendimesh, idesh e këndvështrimesh.

Të jesh e bukur dhe e suksesshme si Anila, do të thotë që asnjëherë mos të….

DORËZOHESH POR TË VAZHDOSH ME KOKËN LART DREJT NJË SUKSESI TE GARANTUAR.

Një reflektim mbi suksesin e Anilës:

Prof.Dr. Anila Kalleshi  studimet e para i ka kryer  në Universitetin e Tiranës në Degën Ekonomi, më pas Master, për të vazhduar në Beograd  studimet për Fizioterapi për 3 vite. Më pas ka studiuar për Dietologji në Romë, për të vijuar studimet  në Universitetin e Harvardit, në Universitetin e Arizonës, Universitetin e Mjekësisë në Lituani, Universiteti ‘Aldo Moro’ në Bari, Master mbi stilin e jetesës, etj.

Ajo është nderuar ndër vite me çmime ndërkombëtare në fushën e mjekësisë si “Name of Science” si dietologia më e mirë në Konferencën e Ekselencës të Cilësisë Korrik 2017 në Lucernë të Zvicrës, në po të njëjtin vit në Francë në European Aëards Night me çmimin më të lartë Ndërkombëtar në fushën e mjekësisë “The Socrates Aëard”, çmimin ‘Queen Victoria Avvard’  Oxford 2022, etj.

Prof. dr Anila Kalleshi është autore e botimeve ”Si të dobësohemi”, “Dieta?! Jo vetëm”, ”Dieta sfidë”, e shumë të tjera. Në këto 25 vite pune, interesi i saj parësor është shëndeti i pacientëve dhe jo vetëm humbja e peshës, por mbi të gjitha edukimi për një ushqyerje të shëndetshme, që është baza kryesore e një shëndeti afatgjatë dhe më pak rrezik për t’u prekur nga sëmundjet kronike, sepse nëse nuk i kushtohet rëndësia e duhur, pasojat më vonë do të jenë të paevitueshme.

Please follow and like us: