Zana Tako: Ta jetosh jetën në falje dhe dashuri!
Njeriu gabon, por edhe mëson e mësimi nga gabimi nuk të turpëron. Turpëron atë që nuk di, që nuk njeh as mësimin, nuk njeh as gabimin.
Ka shumë njerëz në këtë jetë që falin, por ka edhe shumë të tjerë që nuk falin, e kjo ndodh kur njeriu njeh edhe fitimin edhe humbjen.
TË FALËSH NUK DO TË THOTË SE KE HUMBUR E TË MOS FALËSH NUK DO TË THOTË SE KE FITUAR!
Kjo medalje varet në qafën e çdokujt që e ka pësuar në jetë dhe nga pësimi ka mësuar atë që i vlen më shumë. Njeriu nuk mbetet i gjakosur nga rrëzimi, se plagët e trupit kalojnë shpejt, por kur shpirti gjakoset ilaçet e tokës nuk i bëjnë efekt, por ajo çfarë i vlen për t’u shëruar është dashuria.
Shpirti shërohet me dashuri. Faljen nuk e ka shpikur njeriu në ditën e tij më të vështirë, por është mësim prej së larti, e çdo gjë që ndodhet në lartësi ka vlerë qielli, ka dritë kaltërsie, ka rrezatim dashurie dhe e gjithë kjo mrekulli shëron edhe atë që njeriu nuk e shëron dot me dijen e tij.
Të mos falësh do të thotë të mbetesh në errësirë, por errësira nuk t’i çel sytë, e njeriu që sheh në errësirë me sy hapur është qorr me shpirt të cunguar, i mungon dashuria, i mungon edhe trimëria.
Trimat nuk të vrasin pas shpine, ashtu si fjala e mirë nuk thuhet në errësirë për t’u humbur. Por fjala e mirë del nga një shpirt i pastër që ndriçon nën dritën e dashurisë, që nuk vret por shëron. E nëse këto fjalë mëkojnë shpirtra të etur për dashuri, dija e saj vjen prej së larti.
Kjo fjalë nuk vlen për një ditë, as për dy, as për tri, por vlen për një jetë të tërë, kur di ta jetosh jetën në falje dhe dashuri!
6 nëntor 2023.