ILIR IKONOMI – FAN NOLI, APOSTULLI (1)
Fan Noli (1882-1965) gjithnjë më ka tërhequr për guximin me të cilin i kishte nisur punët e tij të mëdha, duke shkatërruar korniza dhe hapur shtigje të reja.
Ky libër i pasuron studimet për Nolin me material të panjohur më parë. Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara, në Merilend, ruan dokumente të rralla për Nolin. Biblioteka e Kongresit në Uashington ka një koleksion të mirë të gazetës Dielli. Ndër arkivat e tjera që konsultova, befasues ka qenë ai i Ministrisë së Jashtme austriake në Vjenë. Gjatë vizitave në Shqipëri kam hulumtuar në Arkivin Qendror të Shtetit, mjaft miqësor për kërkuesit. Në Bibliotekën Kombëtare gjeta koleksione të vjetra që më ndihmuan të kuptoj sfondin historik në të cilin veproi Noli. Ka qenë një privilegj të takohesha me specialistë të historisë, letërsisë, fesë dhe muzikës, para se të përzgjidhja materialin me të cilin do të ndërtoja vëllimet e mia.
Për jetën e Nolit është shkruar mjaft, nga shqiptarë e të huaj. Janë bërë shumë zbulime. Një pjesë e biografëve kanë qenë përfshirë në dëshirën për t’i thurur atij lavde pa fund. Në sytë e tyre, Noli ishte një shenjt, një njeri i pakritikueshëm. Kjo ka qenë zgjedhja e tyre, por nuk besoj se do t’i kishte pëlqyer Nolit po të ishte gjallë.
Disa prirje pro-bolsheviste të Nolit dhe bashkëpunimi me regjimin komunist të Shqipërisë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, i siguruan atij një propagandë lavdërimesh gjatë dekadave të diktaturës. Dhe, siç ndodh në diktaturë, të vërtetat u fshehën ose u shtrembëruan. Edhe sot ka ende ngurrim për t’i thënë të gjitha, nga droja se mund t’ia errësojnë Nolit figurën.
Unë zgjodha rrugën e natyrshme: t’i hidhja faktet në tryezë dhe ta lija personazhin tim të fliste vetë, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pafiltruarSigurisht, e vërteta është e komplikuar dhe shpesh e dhimbshme. Nganjëherë më është dashur të hyj në luftë me veten, për të mos shkarë në pozitat e një kritizeri të pandershëm dhe as në idolatri. Ndërkaq, problemi i përhershëm që ka një biograf i Nolit është se nuk mund ta intervistojë dot personazhin e tij.
Në këtë vëllim të parë të jetëshkrimit, lexuesi do të ketë rast ta njohë Nolin me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimin, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që kanë ose nuk kanë vdekëtarët e kësaj bote. Jam përpjekur të dokumentoj me saktësi çdo akt, fjalim, shkrim dhe gjithçka tjetër që lidhet me Nolin e me epokën e tij, në mënyrë që të shuhen dyshimet për subjektivizëm dhe filmi të jetë i plotë e i paprerë.
Please follow and like us: