Skënder Asani: SHQIPTARËT – KOMB I ALFABETIT
Kur jemi mbledhur sot, në hapjen e manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që tradicionalisht, çdo vit, organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nuk mund të mos e shpreh ngazëllimin tim që ky edicion sivjet po hapet në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që paraqet një mirënjohje jo vetëm për neve si institut që e organizon këtë ngjarje, por njëherazi është edhe nderimi më i lartë që i bën kjo qeveri kulturës shqiptare dhe, në përgjithësi, angazhimit shkencor albanologjik në vendin tonë.
Të nderuar të pranishëm, duke qenë në hapje të këtij edicioni, gjithnjë e kam në mendje çastin se 14 nëntori i vitit 1908 ishte një ditë e ftohtë vjeshte në Manastir, siç përshkruhet në literaturë, por ajo ishte edhe një ditë kur kombi ynë mori përpjetën dhe të mbarën pranverore. Para 115 vjetëve rilindësit tanë më të mirë u mblodhën aty dhe punuan për një javë rresht për ta dakorduar një alfabet me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe. Dhe, kur ta mendosh se Fishta, Mjeda, Shahin Kolonja e Mithat Frashëri po i përgjigjeshin ftesës së Gjergj Qiriazit për të vajtur në Manastir për ta bërë alfabetin, të bën të mendosh se ata mund të mos e kenë ditur as vetë se në fakt ashtu po niseshin drejt rrugës së dizajnimit të kombit. Krijimi i alfabetit të gjuhës shqipe nuk ishte vetëm një ngjarje teknike e temës së grafisë, me të cilën do të shkruhej shqipja, por ishte më shumë se kaq. Në atë kongres u vendosën kornizat e orientimit kulturor të shqiptarëve. Duke dalë nga një perandori orientale, shqiptarët – përmes këtij kongresi – po e përvijonin të ardhmen e tyre oksidentale. Dhe, këtë nuk e themi vetëm për shkak të kontekstit të sotëm, por ne e dimë mirëfilli se ndër sponsorizuesit më të mëdhenj të këtij alfabeti që e kemi sot ishin pikërisht shoqëritë biblike angleze, amerikane si dhe vet qeveria austrohungareze, që duke e frymëzuar familjen Qiriazi të Manastirit, po e projektonin edhe identitetin e kombit shqiptar.
Andaj, në frymë të aktualitetit tonë shoqëror, ashtu siç dikur i pranuam këshillat e aleatëve tanë perëndimorë për alfabetin e për gjuhën, shqiptarët edhe sot e dinë mirëfilli se kjo aleancë nuk ka pushuar. Janë miqtë tanë amerikanë dhe, në përgjithësi, perëndimorë, që na ftojmë që këtë përpjekje ta kurorëzojmë në këtë kohë, duke e hapur rrugën për integrimin europian, kur edhe këta kufij politikë do të bëhen të parëndësishëm dhe të pavërejtshëm.
E derisa jemi te tema e identitetit tonë kombëtar, duke e lidhur drejtpërdrejt me alfabetin dhe gjuhën shqipe, sot nuk është kurrfarë zbulimi kur themi se shqiptarët janë komb gjuhësor ose, shprehur në kontekstin e ditës së sotme, janë komb alfabetik. Duke qenë të ndarë në përkatësi të ndryshme fetare, dialektore e krahinore, në mungesë të një njësie politike që do t’i bashkonte, u bë pikërisht alfabeti dhe gjuha indi lidhor i këtij kombi që po lindte. Thënë ndryshe, shqiptarët me këtë alfabet nuk e shkruan vetëm gjuhën e tyre, por e shkruan edhe identitetin e tyre etnik.
Prandaj, sa herë që vjen nëntori i alfabetit, nuk mund të mos e pohojmë se për identitetin shqiptar janë tri pika si ngjarje dhe tri qytete si strumbullarë të ndërtimit të identitetit tonë. Është Prizreni i Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, kur për herë të parë lindi ideja e një kombi shqiptar dhe e një njësie politike shqiptare, është Manastiri i Kongresit të Alfabetit, kur ekzistenca e këtij kombi u garantua përmes shkrimit dhe gjuhës dhe është Vlora e Flamurit, kur ky komb ia doli të mëvetësohet. Por, pa Lidhjen e Prizrenit e pa Manastirin e Alfabetit sigurisht nuk do të ndodhte as Vlora. Kështu është krijuar trekëndëshi barabrinjës i kombit tonë.
Së këndejmi, nëse në Kosovë madhërohet Lidhja e Prizrenit e në Shqipëri Dita e Flamurit, ne në Maqedoninë e Veriut i kemi “Ditët e alfabetit”, përmes të cilave e dëshmojmë jo vetëm praninë, por edhe peshën, meritën dhe rëndësinë që ka areali ynë shqiptar në raport me historinë e ndërtimit të kombit.
Të dashur të pranishëm, po e përfundoj fjalën time duke i shpallur të hapura “Ditët e alfabetit”, me ç’rast do të ketë një varg aktivitetesh shkencore, promovime, takime mes studiuesve dhe këmbim të ideve e të literaturës, në mënyrë që 22 nëntori të jetë jo vetëm festa e alfabetit, as vetëm festa e përfundimit të manifestimit “Ditët e alfabetit”, por të jetë edhe një kremte kur ne do të jemi të bindur se edhe në këtë 115-vjetor i kemi përsëritur dhe i kemi përvetësuar leksikonet e etërve të kombit tonë se janë shkronjat, është gjuha, është arsimi dhe është kultura ajo që, siç thoshte rilindësi ynë i madh Naim Frashëri, “përpara do të na shpjerë”.
Unë e falënderoj qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e vazhdueshme, i falënderoj tre akademitë e shkencave dhe institucioneve të tjera shkencore e kulturore, që janë bërë bashkëpjesëmarrësve në këtë manifestim, dhe i uroj punë të mbarë edicionit të sivjetmë “Ditët e alfabetit”.
(Fjalë rasti në hapjen solemne të manifestimit “Ditët e Alfabetit)
Shkup, 14 nëntor 2023