Arkeologët zbulojnë tumë në Himarë
Arkeologët shqiptarë zbuluan në shtratin e përroit të Koramit në Himarë tumën e tretë ilire, që konsiderohet nga studiuesit si një nga monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian.
Tuma e tretë u zbulua pranë varrezës tumulare të Himarës, të cilat quhen të tilla pasi janë varre të ndërtuara në kodër.
“I përket periudhës së bronzit, ajo ka një rëndësi kulturore shumë të madhe qoftë për hartën e të gjithë Shqipërisë, janë këto varre që i japin një rendësi të veçantë kësaj zone por normalisht edhe dokumentimit të te gjitha varreve si dhe objekteve që janë gjendur brenda varreve, siç ishin përveçse skeleteve ishin dhe një majë heshte dhe një enë balte, të cilat do të jenë pjesë e studimit dhe më pas e muzeumit qoftë në Bashkinë Himarë qoftë në muzeun e Vlorës”, thotë Orgest Feimi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Përveç elementëve unikale të arkitekturës së ndërtimit të këtyre varreve, drejtori i trashëgimisë kulturore të Vlorës tregon rëndësinë e këtij zbulimi edhe për vetë zonën e Himarës.
“Ky gërmim ashtu siç ne e kemi thënë dhe më parë ka filluar që prej vitit 2018, ku është zhvilluar fillimisht tuma e parë ilire gjatë derdhjes së përroit të Koramit më vonë pasi u dokumentua kjo tumë ne kishim dyshime për një tumë të dytë të ndodhur atje, u zbulua tuma e dytë në vitin 2020 dhe gjatë vëzhgimeve arkeologjike që kemi bërë në të gjithë zonën u identifikua se atje kishte ende blloqe varri të spostuara nga pjesa e erozionit”, tregon ai.
Arkeologët shpresojnë që në këtë zonë të zbulojnë edhe elemente të vendbanimeve ilire, të cilat gjithashtu do të kenë një rëndësi të jashtëzakonshme arkeologjike.
“Pritshmëritë tona janw shumë të larta sepse në aktualisht kemi zbuluar vetëm varret e ilirëve por sigurisht që aty janw dhe vendbanimet e tyre në duam të studiojmë të gjithë zonën sepse po flasim për një kulturë pre-historike 3500-vjeçare me një rëndësi të veçantë për zonën e Himarës”, shprehet ai.
Ky është një zbulim i rëndësishëm i cili dhe një herë dëshmon dhe vërteton rëndësinë e zonës së Himarës dhe tumat ilire të gjetura në këtë zonë.