Zana Tako: Syth i paçelur…
Syth i paçelur ende brenda zemrës sime,
të ruaj nga i ftohti i acartë,
nga shiu që lag deri në palcë,
nga thatësira, nga ngrica
të ngroh me flakën e ngadaltë që nuk fiket.
Je brenda meje, syth i paçelur,
i brishtë si dora e fëmijës së porsalindur,
si belbëzimë e ëmbël,
si dritëz që nuk verbon,
zgjon kujtime,
që nuk të lodhin kur i kujton.
Të ruaj sa ditë e sa netë,
pa e flakur ndjenjën,
pa e zvenitur dëshirën.
Prani engjëjsh, filizi i qenies tënde,
syth i paçelur që pret shpërthimin.
Po rritesh brenda ngrohtësisë,
i sigurt se jashtë bën ftohtë,
e kur të ngrohet moti,
oh, mjalt i hojes që nuk vel,
shpërthe në mirësi,
syth që çel jo me frikë
por në dashuri…
19 nëntor 2023.
Please follow and like us: