Teatri Migjeni: Lamtumirë Zef Deda!
Lamtumirë Zef Deda!
I përjetshëm qoftë kujtimi yt!
I pashuar do mbetet ylli që ndezë në artin tonë komik.
Në teatrin “ Migjeni “ , aty ku ai nisi rrugëtimin e tij të ëndrrës për t’u bërë ai që vërtetë u bë, një nga komedianët më të mirë të traditës sonë të artit komik, i cilësuar edhe si “Charlie Chaplini” i Shqipërisë. Ai u lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe u shua po në qytetin e tij të lindjes, në qytetin që e pati sinonim të jetës dhe veprimtarisë së tij si artist. Mori rrugën e amshimit, sot më 24 nëntor 2023, duke lënë pas jo vetëm trishtim dhe dhimbje, jo vetëm pikëllim dhe lot, por edhe kujtime të bukura dhe një galeri të pasur rolesh dhe karakteresh, tipash dhe personazhesh, të cilëve për 40 vite të jetës në skenë ai u mëkoi shpirtin.
Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkelqyër psiko-fizike, ai arrin të realizojë qindra figura artistike me një vërtetësi dhe sinqeritet, sikur ata dilnin nga shpirti i tij. Kjo marrëdhënie që ai pati me skenën bëri që Zef Deda të ishte edhe “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, Kushrini nga Amerika” po aq sa Charlie Chaplini.
Zef Deda nuk mund të ikte pa lënë në thesaret e tij interpretuese edhe monumentet e tij të fundit, komeditë, “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, role të cilat ai i dha atë më të çmuarën që kishte, talentin dhe pasionin e tij për skenën, kontributin dhe vlerësimin që ai kishte si obligim për Shkodrën, për Teatrin Migjeni dhe artin komik.
Ai, me një virtuozitet të pashembullt interpretues, dhe një thellësi depërtuese përjetimi dhe përçimi të karakterit dhe personalitetit të personazhit, e ngriti lart lojën aktoriale, e përsosi komunikimin artistik, i trajtoi me përgjegjësi profesionale dhe i mëkoi ndjesi të thella të gjitha rolet që i besuan, ishte dhe mbeti deri në fund një mik i pashoq dhe një koleg që solli risi në marrëdhënie dhe dashuri në komunikim.
Kjo e bëri të madhin Zef Deda, Zefin e zemrave të të gjithëve, zërin e dashur të çdo kumimi shpirti, sepse ai para se të ishte një aktor i madh, ai ishte një njeri i mirë, mik i të gjithëve, buzëqeshja që shkrepi hare dhe gjallëri në çdo kontakt dhe komunikim.
Rrugëtimi i tij i gjatë në skenë u shkëput për një periudhë 6-vjeçare, për shkak të emigrimit jashtë atdheut. Por ai do të ishte sërish aty, te buka e vjetër, te kafja e këndshme, te zyra e debateve artistike, te salla e provave. Rikthehet në vitin 1996 për të rifilluar sërish aty ku e kishte lënë dhe për të vazhduar deri në të fikur të frymës, sot më 24 nëntor 2023, për të tronditur gjithkënd që mori vesh për lajmin e ndarjes nga jeta, për të gjithë ata që e njohën, punuan me të, atyre që e adhuruan.
Zef Deda mori udhën e përjetësisë në këtë ditë fundnëntori, për të mos mundur të marrë me vete veç trupit, trupit që do të prehet në Shkodrën e tij të dashur, në dheun ku prehen prej vitesh miqtë dhe kolegët e tij të Teatrit Migjeni.
Ai nuk do të jetë më në përditshmërinë e thjeshtë shkodrane, ai Zefi i amëlt te kafja e lagjes, as edhe te takimet me kolegët e Migjenit. Do t’i mungojë familjes, siç do të jetë një ikje e trisht për skenën, për gjithçka që ai ishte dhe mbeti.
Ngushëllime familjes dhe më të shtrenjtëve, ngushëllime miqve dhe kolegëve. Paçi paqe në shpirtin tuaj të bardhë, siç pati ai dritë e mirësi në të gjallët që sot la, në frymën që sot dorëzoi.
U shpërbleftë me dritën e Parajsës, shkodrani i vlerave të epërme të qytetarisë dhe kontributit, artisti i madh i Teatrit Migjeni, prindi i përkushtuar dhe gjyshi i mrekullueshëm, njeriu i mirë dhe miku që do të na mungojë!
Please follow and like us: