Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj: Tiranën e çliroi ushtria partizane
Në rajonin e Mushqetasë u organizua me dy prita: e para nga Qafa-Kërrabës e deri te ura e Erzenit nga 8 batalione partizane me rreth 1.500 luftëtarë dhe prita e dytë prej urës së Erzenit deri te ura e Farkës nga 3 batalione, me rreth 700 luftëtarë. Manovra e forcave partizane u krye me shpejtësi e me fshehtësi. Organizimi i luftimeve në pritë u realizua në kohë shumë të shkurtër dhe përfundoi në datë 14 nëntor 1944. Forcat u vendosën të maskuara deri 50 m larg rrugës. Kreu i autokolonës gjermane arriti te ura e Erzenit, ndërsa fundi në rajonin e Qafë-Kërrabës. Ajo u fut e tëra në pritë, pa diktuar asgjë. Forcat partizane hapën zjarr të befasishëm me të gjitha llojet e armëve. Luftimet morën karakter shumë të ashpër. Ato u zhvilluan në largësi të vogla e kryesisht me luftim trup me trup. Në mëngjesin e 15 nëntorit forcat gjermane ndodheshin të rrethuara nga të gjitha anët. Gjermanët u hodhën në kundërsulme, të mbështetur nga tanke e autoblinda. Pas përpjekjeve të shumta, kreu i autokolonës armike mundi të kalonte pritën e parë e të futej në pritën e dytë, ku u ndesh përsëri në zjarrin e forcave partizane. Pak forca gjermane rreth 300 veta u futën në kryeqytet, sepse jo vetëm që çanë me mjete të blinduara, por u ndihmuan dhe nga autoblindat e tanket e ardhura nga Tirana. Kështu ishte arritur një rezultat i madh e me leverdi, në pritën e Mushqetasë, ku armikut iu vranë mjaft ushtarë dhe u kapën 300 robër, ju shkatërrua e u kap i gjithë armatimi, teknika luftarake dhe materiali tjetër. Sukses u arrit në saj të marrjes në kohë të të dhënave për lëvizjet e armikut, vlerësimit të shpejtë të gjendjes, marrjes së vendimit të drejtë, vënies në kohë të detyrave luftarake, përqendrimit të një sasie të madhe forcash, manovrës së shpejtë, organizimit të mirë të pritës, shfrytëzimit të terrenit, zhvillimit të luftimeve në largësi të vogla e mbi të gjitha në sajë të moralit të lartë e mjeshtërisë luftarake të luftëtarëve. Në kohën qëë zhvilloheshin luftimet në pritën e Mushqetasë, autokolona gjermane, që lëvizte në rrugën Elbasan-Rrogozhinë-Durrës-Vorë, u godit dhe u dëmtua rëndë nga forcat e Br. XII S në Bishqem dhe nga Br. XI S në kodrat e Rrogozhinës. Këto brigada i vazhduan goditjet kundër armikut në tërheqje dhe çliruan qytetet Peqin, Rrogozhinë e Kavajë. Autokolonës dhe forcave të tjera gjermane të garnizonit të Durrësit iu shkaktuan humbje të tjera, nga një pjesë e forcave të Br. X S, të cilat pas luftimesh më 16 nëntor çliruan Durrësin e Shijakun. Asgjësimi pothuajse tërësisht i autokolonës gjermane në Mushqeta dhe dëmet e shumta që iu shkaktuan autokolonës tjetër armike në rrugën Peqin-Durrës-Vorë, i vunë në gjendje tepër kritike forcat gjermane të rrethuara në Tiranë. Ato humbën çdo lloj shprese shpëtimi.
Goditja kryesore në fortifikata
Shtabi i Përgjithshëm i Vermahtit u gjend në vështirësi, për shkak të aktivitetit intensiv të partizanëve kundër lëvizjeve të marshimit dhe evakuimit në zonën eTiranës. Goditja kryesore në frontin e brendshëm të forcave partizane u dha me krahët e brendshëm të Br. IV S dhe Br VIII S në sektorin e Tiranës së Re dhe ndihmëse me Br. I S në Tiranën e Vjetër. Ndërtimi operativ përbëhej në një skalion, me rezervë një batalion. Br. I S vijoi mësymjen nga vija e zënë për të asgjësuar armikun në pikëmbështetjet e tij në: autorepart, Burgu i Ri, shtypshkronja “Atdheu”, tek ndërtesa Njësia 3, Radio Tirana, hotel “Dajti”, Bashkia, sheshi para Muzeut Historik Kombëtar, e të dilte në qendër të sheshit “Skënderbej”. Br. IV S ngushtonte frontin dhe vijonte mësymjen në vijën: Pallati Mbretëror (Pallati i Brigadave), në të majtë të kishës së Shën-Prokopit (rreth 2.5 km front), Tiranës së Re, sheshin e ministrive, ku të merrte takim me forcat e Br. I S dhe Br VIII S. Qëllim ishte që të rritej vëllimi i zjarrit në sektorin e Tiranës së Re, ku mbrojtja e armikut gjendej më e fortifikuar, këtu u bë dhe përqëndrimi i artilerisë së brigadave. Bateria e artilerisë e Br. I S iu dha në përforcim Br. IV S, me detyrë të bënte zjarr në pikëmbështetjet e armikut në Pallatin Mbretëror e në kishën e Shënprokopit. Bateria e artilerisë e Br. VIII S po bënte zjarr në pikëmbështetjen e armikut në, kazermat “Shkumbini”. Sulmi filloi me të gjitha armët e rënda, si artileria, mortajat, pushkët kundërtanke e mitralozat e rëndë, duke vijuar pa ndërprerje. Qëndresa e armiku në objektivat e parë të sulmit nuk e ndaloi përparimin e forcave partizane për tu futur në thellësi të qytetit. Vendet që paraqitnin qëndresë, të mbaheshin të veçuara dhe të kapeshin një nga një më pas. Gjatë ditëve 10-11 nëntorit u zhvilluan veprime sulmuese në të gjithë sektorët e mësymjes, pa ndryshuar regjimin e mëparshëm të luftimeve. Armiku nuk pati mundësi që të zbulonte përgatitjet që bëheshin për fazën përfundimtare të operacionit dhe për një mësymje më të gjerë. Më 11 nëntor shtabet e brigadave, por veçanërisht Br. VIII S dhe batalionet, u njohën me terrenin dhe organizuan luftimin, ku përcaktuan mbrojtjen e armikut, sektorët dhe drejtimet e mësymjes, rendimin e luftimit, objektet e sulmit, mënyrën e veprimit për marrjen e pikëmbështetjeve, u dhanë detyrat luftarake, u organizua bashkëveprimi etj. Të gjitha armët e rënda, si mortajat, mitralozat e rëndë, pushkët kundërtanke u vendosën në pozicione të përshtatshme. Kujdes iu kushtua, organizimit të ndërlidhjes, për të cilën u caktuan nga 4 lajmëtarë, që nga kompania e lart, dhe u organizua ndërlidhja me radio ndërmjet shtabit të Divizionit dhe Korparmatës.
Lufta për shpinëmarrjen e armikut
Me kalimin në mësymje, mbi pikëmbështetjet e armikut u hap zjarr i dendur dhe i përqëndruar me të gjitha armët e rënda. I efektshëm ishte veprimi taktik shpinëmarrës i togave të batalionit të parë të Br. I S, të cila gjatë natës së 10-11 nëntorit depërtuan në brendësi të armikut që mbrohej në ndërtesat e Maternitetit e të shtypshkronjës “Atdheu”, e sulmoi atë në befasi të plotë nga shpina dhe e kapën këtë rajon. Batalioni i dytë i Br. I S, sulmoi armikun në pikëmbështetjen te Burgu i ri, por nuk e mori dot. Pas këtij veprimi, një pjesë e forcave e mbajti të rrethuar armikun ashtu si edhe më parë, kurse pjesa tjetër përparoi në thellësi të qytetit dhe kapi ndërtesën e Radio-Tiranës. Batalionet e tjera të Br. I S me sulme të shpejta e të vijueshme kapën kodrat e Fuat Beut, ndërtesat e Legatës Amerikane, krejt Pazarin e Vjetër etj. Sukses arritën dhe forcat e Br. IV S, Br. VIII S të cilat me krahët e brendshëm shpërthyen mbrojtjen e armikut ndërmjet kishës së Shënprokopit dhe kazermave “Shkumbini”. Një pjesë e forcave hynë thellë në zonën e Tiranës së Re, duke mbërritur te fusha e Shallvares, shkolla 9 vjeçare “20 vjetori” e ndërtesat rreth saj. Në këto kushte armiku, për të mos rënë në rrethim në kishën e Shënprokopit, u tërhoq. Armiku, i detyruar nga sulmet e vrullshme të forcave të tri brigadave, u tërhoq sidomos në sektorin e Tiranës së Re dhe u grumbullua në qendër të Tiranës, si në: ndërtesat e ministrive, te Sahati, hotel “Dajti”, Banka, Bashkia, hotel “Kontinental”, (hotel “Internacional”), Shtëpia e Oficerëve. Armiku qëndronte me këmbëngulje në kushte rrethimi në pikëmbështetjet: Burgu i Ri, Pallati Mbretëror, kazermat “Shkumbini”, ku në këto pikëmbështetje u mbajt i rrethuar për disa ditë, pa lidhje zjarri e taktike me forcat e tjera të tij të rrethuara në qendër të Tiranës. Komanda gjermane në këto kushte dha disa kundërsulme, me qëllim që të zgjeronte unazën e rrethimit, të mbante të hapur rrugën e Elbasanit e të rimerrte Radio-Tiranën. Kundërsulmi i armikut dhënë më 12 nëntor 1944 nga sheshi “Skënderbej” drejt rrugës së Elbasanit nuk pati sukses, sepse batalioni i tretë i Br. I S e goditi atë në të dyja anët e rrugës nga Sahati e deri te Biblioteka Kombëtare, sot dega e Bibliotekës Kombëtare dhe e detyroi të hiqte dorë nga qëllimi i tij. Kundërsulme të tjera të përsëritura dha armiku më 13 nëntor, drejt rrugës së Kavajës të shoqëruar me disa autoblinda, me anën e të cilave mundi të rrimerrte Radio-Tiranën vetëm për pak orë, sepse forcat e batalionit të dytë të Br. I S e ato të batalionit të tretë të Br. VIII S e kapën atë përfundimisht. Ndërkohë dhe njësitë e tjera të Korparmatës I Sulmuese zhvilluan goditje të vijueshme kundër garnizoneve armike dhe autokolonave të tij në lëvizje, në të gjithë zonën e operacionit. Kjo bëri të mundur që të dështonin të gjitha përpjekjet që bënë autokolonat gjermane për tu futur në. kryeqytet, sidomos nga drejtimi i rrugës Vorë-Tiranë. Forcat e Br. X S dhe Br. XXIV S dhe të batalionit “Antonio Gramshi” nëpërmjet pritave të organizuara në rrugën Tiranë-Vorë i goditën rreptë forcat armike, gjë që çoi në dështimin e të gjitha përpjekjeve të autokolonave gjermane për tu futur në kryeqytet. Forcat e Br. XV S, pas luftimeve të ashpra, më 11 nëntor çliruan qytetin e Elbasanit. Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944. Në këto momente që u çliruar kryeqyteti i Shqipërisë shtrohet pyetja e thjeshtë se ku ishin forcat e Ballit Kombëtar, të Legalitetit, etj., apo po zhvillohej luftë civile siç përpiqen edhe sot disa pinjoll të shprehen. Tiranën e çliruan forcat partizane dhe këtë e dinë mirë të gjithë, e dinë mirë forcat aleate, por e di dhe shumë mirë edhe kundërshtari pushtues gjerman, i cili ka pohuar me mijëra herë se Ballin Kombëtar dhe forca të tjera i kishim bashkëpunëtorë të mirë në rrugëtimin tonë pushtues në Shqipëri.