Artisti shqiptar nga Kosova në Muzeun Metropolitan të Artit në New York
Në muajin prill 2024, Petrit Halili do të marrë në dorë Kopshtin e Tarracës së muzeut më të madh dhe më të famshëm njujorkez për një instalim artistik me temën e meditimit në konflikt.
Lajmin e ka dhënë vetë Muzeu që ka shpallur kalendarin e tij artistik për vitin 2024. Halilaj do të jetë një nga tre artistët ndërkombëtarë që këtë vit me veprat e tyre do të nënvizojnë potencialin e artit për të gjeneruar optimizëm në jetë.
Dy artistët e tjerë do të vijojnë në shtator dhe nëntor.
Duhet pasur parasysh që dhjetëra mijëra artistë nga e gjithë bota konkurrojnë nganjëherë për një vepër të vetme në muret dhe hapësirat e Muzeut Metropolitan të Artit (Met) në New York.
Petrit Halilaj ka filluar që tani nga puna për stolisjen e Kopshtit, me artin e tij.
“Puna e artistit është e rrënjosur thellë në biografi, duke ringjallur përvojën e tij si fëmijë refugjat në vitet 1990, gjatë luftimeve të ashpra në Kosovë, në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë”, shkruan për këtë ngjarje artistike gazeta e njohur “The New York Times”. “Edhe për Kopshtin e tarracës së Muzeumit Met, ai ka në plan të thellohet edhe më tej në çështje lidhur me dëbimin dhe historinë”.
E cituar për këtë shkrim, Iria Candela, një kuratore e Met-it që po punon për këtë projekt thotë: “Petriti është një skenografist i vërtetë i kujtimeve kolektive të atdheut të tij. Ai është mjeshtër i mbushjes së asaj zbrazëtire duke trajtuar kujtimet dhe imagjinatën si njësoj të brishta”.