Mimoza Bici: Skicë poetike
Filloi dimri
Unë strukem brenda vetes
Kap duart e tua…
Fillojnë ngrohin zemrën e trëndafiltë.
Aq përhumbur jam pranverës tënde
e dëshirës time të ngroh këtë dimër të bardhë,
sa nuk munda të t’i shoh sytë!
Të tërhoqa më shumë brenda vetes
t’më ndizje egërsisht këtë acar të ftohtë
Duart nuk kishin fuqinë si dikur
ku një ledhatim shkrinte borën
e kapja yjet lakuriq
dukesha vërtet një shkëndijëzë ku vetëm trupit tënd shuhej.
Tashmë dua të shoh më shumë brenda meje
Aty ku ndahen kufijtë bardhë e zi…
Duart e varur tinëz
tërhequr forcës time
Këmbët e zbathura tek shtypin gjinjtë rënduar ulërimës
pusit thellë.
Fytyrën mbrapsht
aty ky sytë shkrepëtijnë jetën e një tjetre.
Ç’të bëj me këta duar të pajetë
zemrës së trëndafiltë?
Si munde t’mi dërgosh?!
Ah t’i paskam rrëmbyer pa dëshirë!
Si drutë kur priten jetës të ngrohin dimrin e ftohtë
Mirë,
kuptoj se një tjetre i përket
kjo është bërë rutinë tani.
Për pak kohë, më thonë zgavrat e syve të t’u shpuar kokës mbrapsh.
Meshkujt janë gatuar si Platoni
pasi zgjojnë kërshëritë
rikthehen pritës së parë.
Ndërsa femrat ashtu të lënduara
vazhdojnë lyejnë gishtin në mjaltë…
Filloi dimri
Unë strukem brenda vetes
Zgjat duart të mbyll portën e trëndafiltë.
Dhjetor 2023.
Please follow and like us: