Përpjekjet e shtetit shqiptar për të gjetur varrin e Skënderbeut
Përpjekjet e shtetit shqiptar për të gjetur varrin e Skënderbeut në vitin 1937: raporti i arkeologut Hasan Ceka.
Për festimin e 25-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1937 u krijua “Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit të vet-qeverimit” i cili kishte si detyrë jo vetëm të organizonte aktivitetet kulturore me rastin e këtij përvjetori, por edhe të mblidhte të dhëna, dokumente dhe dëshmi nga protagonistët e kohës për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Është meritë e këtij komisioni, që në çdo krahinë të Shqipërisë u evidentuan të gjithë patriotët që kishin dhënë kontributin e tyre nga periudha e Rilindjes deri te Pavarësia. Madje, duhet theksuar se në ekspozitën e organizuar nga ky komision është ekspozuar për herë të parë edhe “Deklarata e Pavarësisë”, të cilës, pas 1944 nuk i dihet fati…
Një nga detyrat që i vendosi vetes Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit ishte gjetja dhe sjella e eshtrave të Skënderbeut në kryeqytet. Për këtë qëllim ishte planifikuar të bëheshin gërmime në Lezhë, ku sipas të dhënave thuhej se gjendej varri i Skënderbeut. Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Arsimit më 24 qershor 1937, Komisioni i Kremtimit të 25-vjetorit kërkonte që kjo detyrë t`i ngarkohej Hasan Cekës. Në këtë periudhë, ai ishte i vetmi specialist i shkolluar dhe i diplomuar në Austri për arkeologji.
Ministria e Arsimit u shpreh e gatshme të vinte në dispozicion të komisionit arkeologun e njohur, i cili paraprakisht kishte përgatitur një raport, duke u mbështetur mbi leximet dhe kërkimet që ai kishte zhvilluar në kalanë e Lezhës.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme kërkoi nga Prefektura e Shkodrës që të urdhëronte nënprefekturën e Lezhës për të ndihmuar me çdo mjet arkeologun Hasan Ceka.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është raporti i tij i 8 korrikut 1937 për Komisionin e Kremtimit të 25-vjetorit dhe Ministrinë e Arsimit lidhur me të dhënat e autorëve të ndryshëm për vendodhjen e varrit të Skënderbeut. Ajo që të bie në sy është fakti se të gjithë autorët dhe albanologët e njohur kanë rënë pre e pasaktësive apo e propagandës së Marin Barletit. Ky i fundit ka shkruar në librin e tij se, Skënderbeu ishte varrosur në Kishën e Shënkollit dhe se kur osmanët pushtuan Lezhën në vitin 1479, çelën varrin e tij dhe eshtrat ia morën për hajmali. Me këto “Trillime legjendare”, siç i quan me të drejtë Fan Noli në librin e tij për Skënderbeun disa thënie të Barletit dhe Biçikemit, jemi rritur që në hapat e para të shkollës.
Nuk e di se për çfarë i duhej kjo hajmali turqve, të cilët, në këtë periudhë ishin në kulmin e fuqisë politike dhe ushtarake. Gjithësesi, problem mbetet fakti, se pre e kësaj gënjeshtre kanë rënë shumë autorë të tjerë.
Hasan Ceka shkruan se nga gjurmët e mbetura në kala nuk shiheshin gjurmët e themeleve të ndonjë kishe; xhamia e vjetër ishte ndërtim prej fillimit dhe jo ashtu siç shkruante Barleti, George Hanh etj, duke iu referuar gojëdhënave të popullit, sipas të cilave ajo ishte ndërtuar mbi themelet e Kishës së Shënkollit.
Hasan Ceka i përmbahet pikëpamjes se vetëm kur të gjehej një varr i zbrazët dhe pa eshtra mund të ishte e sigurtë se ishte gjetur varri i Skënderbeut.
Këto kërkime dështuan ashtu si ato në vitet 60-të.
Please follow and like us: