Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Kajtazi boton librin më të ri poetik, “Pemë e egër”

“Pemë e egër”, është libri më i ri poetik i Artan Kajtazit. Brenda kopertinave të librit janë përfshirë gjithsejtë 55 poezi të shkruara viteve të fundit.

“Pemë e egër”, sipas shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Binak Kelmendi, është një pemë e butë e kultivuar me përkushtim e kujdes e poezive të poetit Artan Kajtazit. Me tema e motive të ndryshme, filluar nga dashuria prindërore e atdhetare, pastaj dashuria tjetër ajo platonike që e bën vetë jetën, Artan Kajtazi, me poezitë e veta, sjell, ide, art, simbole dhe porosi njerëzore.

Ndërsa, studiuesi, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Besim Rexhaj, ka thënë se, poezia e Artan Kajtazit, e përmbledhur në vëllimin me poezi me titullin “Pemë e egër”, është poezi e cila, para së gjithash, ndërtohet mbi metaforën poetike dhe, me anë të kësaj figure poetike, artikulon meditimet, temat dhe motivet, të cilat preokupojnë botën e poetit.

E, studiuesi e shkrimtari i njohur Agron Y. Gashi, ka thënë se, Artan Kajtazi, duke qenë një lexues sistematik dhe kronikan i letërsisë, i di mirë honet dhe hijet e kësaj mbretëreshe të zhanreve, prandaj krijon edhe një sistem të vetin poetik, krejtësisht autentik, duke u shndërruar një bono vox i poezisë së brezit të ri.

“Pemë e egër” vjen nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Rugova Art”, me seli në Prishtinë.

Autori librin “Pemë e egër” ia kushton babait, Sheremet Ali Kajtazit!

Ndryshe, Artan Kajtazi është magjistër i shkencave filologjike, i diplomuar në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Është autor i një numri të madh shkrimesh letrare / eseistike. Libri i tij i parë ishte i natyrës kërkimore / shkencore “Autobiografia e Fan S. Nolit” (2016). Ky është libri i dytë dhe i pari me poezi.

Please follow and like us: