Elton Qyno: Faleminderit për mbështetjen dhe solidaritetin!
Faleminderit për mbështetjen dhe fjalët e mira që më keni dhënë gjatë këtyre 48 orëve, duke më bërë të ndjehem mirë mes kolegësh dhe shokë.
Unë personalisht por edhe familja ime ranë në një situatë të befasishme dhe të paprecedentë ndonjëherë, duke u bërë objekt kontrolli të njëpasnjëshëm, e duke u sekuestruar çdo gjë e mundshme, që mbase e në vijim mund të na rrezikojë, ekspozojë mbi sigurinë tonë dhe kanalet e informimit të këtyre 18 vite pune si reporter i kronikës së zezë në Shqipëri.
Unë nuk kam shpifur, por kam nxjerrë informacion, siç mund të bëjë çdo koleg i imi çdo ditë dhe nxjerr e publikon online, print apo tv çdo dosje që i bie në dorë, pa i dhënë llogari ndokujt se nga kush i merr dhe në çfarë forme i merr.
Jam ndjerë i keqardhur për këmbënguljen e paligjshme të organeve hetimore për të depërtuar në çdo kanal informacioni që unë kam, duke më sekuestruar telefonat, dy kompjuterat, 7 usb, cd e sende të tjera.
I keqardhur që në 18 vite pune vetëm pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda, SPAK dhe prokurorive të tjera në rrethe, të përfundoj në një ekzaminim të tillë të paligjshëm dhe antikushtetues dhe në kundërshtim të çdo konvente për të drejtën e informimit dhe raportimit.
Shpesh herë për shkak të punës që bëjmë ne gazetarët ndodhemi mes një vale kërcënimesh, shantazhe dhe presionit nga më të ndryshme, të cilat vijnë nga palët e para, të dyta dhe të treta.
Kërcënimet na vijnë në mënyrë tërthorazi, në rrugë madje dhe në sallën e gjyqit apo ambjenteve të gjykatës së posaçme SPAK, ku gazetarët në sy të prokurorëve, policëve të gjykatës dhe avokatëve të pandehur, kërcënohen, fyhen dhe janë goditur me shkelma e grushta, vetëm e vetëm pse kanë shkruar.
Asnjë hetim nuk është nisur nga prokuroria e SPAK edhe pse prokurori ka qenë prezent në sallë apo qoftë dhe në korridor, ku ka ndodhur situata e paligjshme.
Një situatë e tillë ka ndodhur me Armand Bajramin A2CNN, Edmond Hoxhën BIRN që u kërcënua direkt në sallën e gjyqit, mua personalisht disa raste, (së fundi me shijaksit) Flamur Vezaj, Anila Hoxhën e Top Channel, Klodiana Lalën e News 24, Artan Hoxhën e ABC News, Anduenën, Ermalin e të tjerë, por askush nuk nisi hetim.
E mbani mend kur të dënuar e familjarë tek çështja Lazarati, vunë përpara dhe rrahën me shkelma mes gjykatës operatorë dhe gazetarë. A pati ndonjë hetim? Fare.
Ndërsa tashmë organet e hetimit lënë punët e dosjeve të ditës TË KORRUPSIONIT të zyrtarëve të lartë, duke u përqëndruar tek unë.
Në një vend si ky i yni, ku titullari i shtetit dhe ministrat e tij, flasin me telefon dhe dalin në përgjime të dosjeve të SPAK, me lloj e sorollop krimineli duke u përfshirë së bashku me ta për të blerë vota në çdo qendër votimi apo duke ndarë llokmat e tenderave dhe koncesioneve, ngeli rasti dhe erdhi koha që drejtësia duhet të veprojë mbi mua lidhur me mekanizmin e gjetjes së informacioneve dhe nxjerrjen e sekreteve.
Tre kryetarë opozite dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë janë nën hetim nga SPAK dhe e kuptoj në çfarë tryesnie është SPAK.
I keqardhur realisht që në gjithë këtë kakofoni provash, SPAK mbeti tek unë për të hetuar dhe të zbulojë burimet.
Rrëmbimi i telefonave në mënyrë të paligjshme duke mos më vënë në dispozicion qoftë dhe një proces-verbal bllokimi, automatikisht më ekspozon dhe kërcënon jo 1, por një rrjet të tërë burimesh të mia konfidenciale në administratë dhe jashtë saj.
Aq më tepër më ekspozon dhe kërcënon mua si gazetar tek palë të dyta apo të treta, që pa dyshim në të nesërmen mund të marrin veprime të kundërligjshme.
Faleminderit të gjithëve ju për mbështetjen dhe solidaritetin që patët.
Për shkak të kushteve të paprecedentë të bllokimit në mënyrë të paligjshme të dy telefonave numrat e mi janë sërish të njëjtët në përdorim aktualisht.
Gjykata e Strasburgut mbron Lapsi.al. SPAK nuk ka të drejtë ta sekuestrojë