Zana Tako: Dashuria na bën të lirë…
Skicë
Mesi i muajit nëntor… Edhe pak ditë dhe vinte muaji i festave, ku shpirti ngazëllen nga bukuria, ritmi, gëzimi… Ishte fundviti.
Në memorie kisha renditur gjithçka, ngjarje të shkuara, por edhe të freskëta, njëlloj si me një pako të bukur, lidhur me fjongo të artë.
Kujtimet janë si valët e detit… Zhurma e tyre përcjell ndjesinë e paqes, qetësisë, e uji që plluskon nëpër gishtërinj të freskon deri në ëndje…
Po shkonte edhe ky vit, pa brenga… Nuk i ruaj brenda shpirtit… rëndojnë, e shpirti duhet pastruar nga rëndesa…
Po shkojnë ditët një e nga një, e bukuria e tyre ngjan me ndriçimin e çdo ylli që shëtit nëpër hapësirën e pafundme…
Çdo ngjarje e këtij viti ka lënë gjurmë në memorien time. Veçova ato që duhen lënë mënjanë… le të mbeten si kujtim… por ruaj si të shtrenjta, në formën e thesarit, ato që më vlejnë më shumë, që i japin dritë shpirtit, që vezullojnë e nuk fiken, që bëjnë dritë edhe kur është errësirë…
Gjendem mes qindra minutave e sekondave që mbartin ditët dhe netët e vitit që po shkon, e që më kanë dhuruar atë që më është e çmuar shumë, dashurinë…
Dashuria troket në çdo portë shpirti, por porta e shpirtit hapet vetëm kur e njeh trokitjen e saj, pa rëndesë, sepse dashuria është e bukur në ngazëllim, në marramendje, në vetëflijim…
Kush e pranon dashurinë të banojë brenda shpirtit, ka pranuar lirinë e tij, pa zinxhirë e vargoj, sepse dashuria nuk prangoset. Prangoset ndërgjegja, por jo dashuria. Prangoset mendimi, por jo dashuria. E nëse duam në liri, i kemi dhënë liri mendimit, ndjenjës, adhurimit.
Dashuria na bën të lirë, e ky mësim i gjallë ka ngjyrën e trëndafilit, stolisur me dritëza që vezullojnë. Petalet e tij ledhatojnë e të kujtojnë se nuk mund të ëndërrosh tjetër veçse me dashurinë, miken e shpirtit që i dhuron rininë ditëve, orëve, minutave që plotësojnë kohën, e cila nuk ndalet në rrugëtimin e saj…